Surroi: Dialogu ka nevojë për konsensus mes palëve shqiptare
Publicisti kosovar Veton Surroi në një vështrim të publikuar në Koha.net po pohon se procesi i Dialogut ka nevojë për koncensus mes palëve shqiptare.
Sipas tij procesi negociator me Serbinë, i filluar me 8 mars të këtij viti, shënon një precedencë negative në politikën shqiptare të 20 vjetëve të fundit.
“Fillimisht, sepse Qeveria, në mungesë të konsultimit parlamentar apo të një tryeze të rrumbullakët politike, vendosi të dërgojë një përfaqësim të vetin, një delegacion që do ta përfaqësonte atë, Qeverinë. E meqë kjo Qeveri përfaqëson pakicën elektorale shqiptare, si në numra votash ashtu edhe në përfaqësim parlamentar (një përfaqësim edhe ashtu me legjitimitet të dëmtuar), delegacioni i Kosovës, i cili shkoi në Bruksel, përfaqësoi pakicën. Në njëzet vjetët e fundit, prejse ka filluar negociatat në një ambient pluralist, Kosova gjithnjë është përpjekur të ketë një bazë sa më të gjerë përfaqësuese shqiptare, dhe kjo u pa edhe në Rambouillet, ku me insistim të disave prej pjesëmarrësve kosovarë, e në fund edhe me insistimin amerikan, u ndërtua një delegacion i cili kishte përfshirjen më të madhe të mundshme”, ka shkruar Surroi.
Tutje ai thotë se mësimi i dytë i Rambouillet (i përsëritur pastaj në procesin Ahtisaari) është se procesi negociator ka nevojë për një konsensus mes palëve shqiptare që nuk pajtohen mes vete në çështje të tjera të politikës së brendshme.
“Për dallim, negociatat e sapofilluara në Bruksel nuk u mbështetën në konsensusin shqiptar”, shkruan publicisti Surroi.