Smajljaj kritikon deputetët për mosmiratimin e rezolutës për shëndetësinë
Politologu Avdi Smajljaj ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që dje nuk kanë miratuar rezolutën për shëndetësinë.
Duke mos krijuar kuorumin e nevojshëm në sallë për miratimin e kësaj rezolute, ka thënë ai, deputetët kanë treguar se kanë halle më të mëdha sesa shëndeti i qytetarëve.
“Se sa zemërohen e interesohen deputetët e kuvendit, ata/ato që i ka votuar qytetari/ja, për gjendjen e mjerueshme në shëndetësi, tregon qartazi madje mungesa edhe e kuorumit në kuvend, depuetetët/et kanë halle më të mëdha sesa shëndeti i qytetarëve. Lëre që nuk u intereson fare për të ofruar zgjidhje për kaosin në sistemin e shëndetësisë, por kanë gjëra private më të rëndësishme sesa të paktën pjesëmarrja në seancë kur diskutohet për shëndetësi”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, qytetarët nuk kanë mundësi të shkojnë në klinikat private.
“Me pagat e të hyrat tjera si nafta, etj. nga tatimet e qytetarëve mund të marrin shërbime në klinika private. Qytetarët që s'kanë mundësi financiare të shkojnë në klinika private, sorrollaten në kaosin në shëndetësi të shkaktuar nga politika. Papërgjegjësi, arrogancë, korrupcion i politikanëve”, ka shkruar ai.