Shqiptarët flenë më së shumti nga 63 shtete të analizuara në botë
Një person fle mesatarisht shtatë orë për çdo 24 orë, sipas një hulumtimi të ri, të bërë nga revista “Nature”. Kjo mesatare ndikohet nga disa faktorë, përfshirë moshën, shkollimin, mënyrën e udhëtimit për në shkollë ose në punë, moshën dhe gjeografinë.
Nga 63 shtete të hulumtuara, shqiptarët flenë më së shumti, thotë studimi, ndërsa banorët e Azisë Lindore flenë më pak se mesatarja globale.
Mesatarja e fjetjes për shqiptarët, sipas studimit, është 7 orë e 32 minuta në natë. Kjo është dukshëm më shumë se mesatarja e gjumit në Japoni – 6 orë e 38 minuta, shkruan “Big Think”.
Atëherë, si shpjegohet ky ndryshim? Sipas hulumtuesve, kjo ndodh për shkak të normave kulturore dhe gjerësisë gjeografike.
Si shembull i faktorit gjeografik, hulumtuesit i referohen një studimi të mëhershëm që e tregonte dallimin e fjetjes në Kili, shtet shumë i përshtatshëm për ta studiuar dallimin e fjetjes në bazë të gjerësisë gjeografike.
Sipas studimit, gjatësia e gjumit gjatë ditëve të punës ishte 7 orë e 55 minuta në veri dhe 8 orë e 20 minuta në jug. Me fjalë të tjera, banorët e Kilit që janë më afër ekuatorit, flenë më pak se bashkëvendësit e tyre në pjesën tjetër të vendit.