Shkon në 100 numri i të helmuarve në Malishevë
Numri i të helmuarve në një lokal në Malishevë ka arritur tashmë në 100. Kjo është konfirmuar për Nacionalen nga Afrim Krasniqi, drejtor i Qendrës Mjekësore Familjare në Malishevë.
Gazetarja e Nacionales, Leonora Kolukaj po përcjell për së afërmi zhvillimet pas helmimit të disa qytetarëve në Malishevë.
Mbrëmë Krasniqi veç e konfirmoi se qytetarët u helmuan nga ushqimet e shpejta, dhe një pjesë e madhe prej tyre, kishin konsumuar “doner”.
“Gjendja për momentin është më e rëndë për momentin është e një fëmijë të moshës gjashtëvjeçare. Komplikimet e tij janë për momentin janë dridhjet, ethe, temperaturë dhe ka një çrregullim të sistemit nervor për momentin.” – u shpreh tutje ai.
Mëngjesin e sotëm, Policia dha detaje në lidhje me këtë ngjarje përmes raportit 24 orësh, ku konfirmoi se pronari është arrestuar.
“PRODHIMI, VËNIA NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – njoftohet në raportin e Policisë, transmeton Nacionale.
Ndërsa Lamir Thaçi, zëdhënës i AVUK-ut, e konfirmoi edhe mbylljen e përkohshme të lokalit të dyshuar.
“Sonte rreth orës 17:30 AUV Zyra Regjionale Prizren është njoftuar nga policia dhe organet komunale se disa pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore me shenja klinike të helmimit me ushqim. Koordinatori bashkë me Inspektorët Sanitarë të AUV-së menjëherë janë përgjigjur dhe kanë dalur në raste bashkë me policinë. Nga pacientët e shtrirë është marrë informata për emrin dhe adresën lokalit gastronomik ku janë shërbyer me ushqime. Ndërsa nga ekipi mjekësore janë marrë të dhënat mbi anamnezën e të shtrirëve, shenjat klinike për dyshimet në helmim.” – deklaroi ai për gazetën Telegrafi.
Tutje, Thaçi tregpo edhe për procedurën e kontrollit.
“Fillimisht është ndaluar puna dhe shërbimi i lokalit. Pastaj ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Gjendja e përgjithshme jo e mirë. Janë evidentuar të gjitha produktet prezentë në lokal. Aty kryesisht janë gatuar ushqime të shpejta: Hamburger, doner, tost, piza etj. Është marrë origjina e produkteve prezentë, është gjurmuar procesi i gatimit deri te produktet finale për konsum. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi…” – theksoi Thaçi.
