RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë t’u hiqet licenca infermiereve - NACIONALE

RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë t’u hiqet licenca infermiereve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është shprehur u shqetësuar me rastin e dhunës që ka ndodhur në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë.

Përmes një reagimi, RrGK ka kërkuar nga institucionet që t’u hiqet licenca infermiereve të përfshirë në rast dhe ato të marrin dënimin e merituar.

“Përmes një videoje të shpërndarë sot në media shihet se disa nga infermieret e punësuara në këtë qendër përkujdesjeje dhunojnë dhe malltretojnë një grua në moshë. Përveç kësaj, infermieret e tjera në asnjë moment nuk ndërhyjnë por mbështesin kolegen e tyre duke xhiruar dhe qeshur. RrGK përmes këtij reagimi kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira. Gjithashtu, RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamenti për Politika Sociale dhe të Familjes, që të largojë licencën e operimit të qendrës ‘Orenda’, pasi që shihet se sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodhë keqtrajtimi me persona të moshuar”, është thënë në reagimin e RrGK.

Ky rrjet ka ftuar Policinë e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi të plotë duke arrestuar të gjitha infermieret e pranishme.

“Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës neni 184 ‘Kur vepra penale kryhet ndaj viktimës së ndjeshme […] kryesi dënohet me: burgim deri në tre (3) vjet për veprën penale ose burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet’. Përveç kësaj, KPK neni 195, ‘Personi zyrtar i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij e keqtrajton, frikëson ose fyen rëndë dinjitetin e personit tjetër, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet burgim’. RrGK bën thirrje që gjatë punës me viktimën e moshuar, institucionet të kenë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme”, është thënë në reagim.

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.

Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme