Rreth 20 hektarë tokë për fabrikën e biçikletave në Bresalc të Gjilanit – banorët përplasen me komunën - NACIONALE

Rreth 20 hektarë tokë për fabrikën e biçikletave në Bresalc të Gjilanit – banorët përplasen me komunën

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Avdi Kqiku, banor i fshatit Bresalc në Komunën e Gjilanit, qysh nga fëmijëria e mban në mend përrockën në fshatin ku jeton. Por, tash pikërisht në atë zonë, komuna ia ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet kompanisë “Albimi LTD”.

Në fshatin Bresalc, më saktëisht lagjen “Mihir” pritet të ndërtohet një fabrikë e biçikletave. Me këtë, Avdiu dhe banorët e tjerë, po pretendojnë se i ndërprehet rrjedha e lumit të fshatit, duke ua rrezikuar jetën edhe njerëzve.

Fabrika e kompanisë “Albimi LTD” pritet të ndërtohet në këtë zonë, ku do të bëhet dizajnimi, montimi i biçikletave. Megjithatë, banorët nuk po heqin dorë nga ankesat e tyre, pavarësisht se kompania tashmë e ka marrë lejen. Leja kompanisë i ishte lëshuar nga ish-udhëheqja e LDK-së në Gjilan.

Ankohen banorët, arsyetohet komuna, s’përgjigjet kompania

Avdi Kqiku, parashtruesi i ankesës kundër këtij vendimi e udhëheqësi i banorëve që po e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës, pranë shtëpive të tyre i ka thënë gazetës Nacionale se është shumë i shqetësuar për shëndetin e banorëve atje.

Nëse e sjellin fabrikën këtu, mua nuk më mbetet me qëndru në shtëpinë timë. Kanë me ia ndërru rrjedhën lumit a prrockës, qysh t’dojnë le ta quajnë. Ka me qenë rrezik per neve, shumë afër shpiave. Mundet me u mbyt najkush”, shprehet Kqiku.

Jemi anku” vazhdon tuje ai, i cili ka treguar se ankesat i ka bërë edhe në Komunë edhe në Ministrinë e Ambientit.

Në Komunë kur jemi anku, 5 muaj kemi prit veç për pergjigjje. Na kanë thënë jemi duke e shqyrtuar, pastaj jam taku edhe me kryetarin, ai s’dojke me dëgju për ketë punë. Tash së fundmi na kanë kallxu që na kanë refuzuar ankesën. Unë forcë nuk kom, as të njofshëm jo. Mundem me më shkel, veç unë nuk e kom ndërrmend me u ndalë. Edhe në ministri kam çu ankesë, e deri në fund kam me luftu, sepse në atë pjesë nuk osht bërë studimi i duhur. Nuk ka shancë me ia ndërru rrjedhën shtratit të lumit pa na e dëmtu neve pasurinë, bile edhe jetën kan me na e rreziku”, shprehet më tutje Kqiku për Nacionalen.

Të kontaktuar nga gazeta Nacionale, drejtoria për Urbanizëm, respektivisht drejtori Ali Arifi, ka thënë se leja kompanisë “ALBIMI LTD” i është dhënë vitin e kaluar. E cila ka kaluar edhe në Kuvenin Komunal.

Parcela për të cilën bëhet fjalë, kompanisë ALBIMI SH.P.K i është dhënë për 99 vjet në shfrytëzim nga pushteti i kaluar, për atë destinacion. Janë diku 20 hektarë tokë. Bëhet fjalë për një kompani e cila po don me u zhvendosë në atë pjesë. Është fabrikë e biçikletave, prodhojnë biçikleta. Ne e kemi gjete lejen aty. Veç ia kemi rishqyrtu kushtet dhe fazat i kemi kontrollu. Është shndërru në tokë ndërtimore dhe aty nuk figuron se ka rrjedhë të lumit. Janë plotësu të gjitha kriteret”, tha drejtori Arifi.

Pikërisht këtu duket të jetë kontesti në mes organeve komunale qytetarëve. Janë të paktën 6 shtëpi me familjet e tyre të cilat, “përrockën” të cilës do t’i ndryshohet rrjedha e quajnë lumë, kurse nga organet komunale të njëjtës i referohen si përrockë.

Banorët e lagjes thonë se i kanë dërguar edhe video-inçizime organeve komunale, duke ia dëshmuar se në rast vërshimesh, tash me projektin e ri, jeta e tyre do të rrezikohet.

Ju kemi thënë në komunë, edhe drejtorit, mundet me përfundu keq kjo punë. Nëse nesër ndodhë më e keqja, të mbytet dikush aty për shkak të vërshimeve, përgjejgësinë e mbanë komuna edhe ligjore edhe morale. Ama pasojat do t’i bartim ne banorët e lagjës”, shprehet më tutje përfaqësuesi i banorëve.

Drejtori i Urbanizmit, Arifi thotë se kjo ankesë është refuzuar sepse nuk ka bazë. Madje, vlerëson se zhurma po bëhet për përfitime përsonale.

Refuzimin e ankesës e kemi bë sepse nuk ka pasë bazë për ankesë. Kjo ankesë është e bazuar në përfitime personale të atyre që e kanë parashtruar”, shtoi tutje Arifi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që tash është parti opozitare në Gjilan, po e cilëson arrogante qasjen e komunës ndaj banorëve të fshatit Bresalc, anipse ishte LDK-ja në pushtet, kur parcelat iu dhanë në shfrytëzim kompanisë “ALBIMI LTD”

Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, i ka thënë gazetës Nacionale se komuna duhet t’i dëgjoj hallet e banorëve, sepse ata janë në anën e drejt.

“Në kohën e qeverisjes tonë, kemi pasë projeksione e projekte të japin tokë të komunës për shfrytëzim në mënyrë që të hapen vende të reja pune, një prej tyre është edhe kjo me kompaninë “ALBIMI LTD”, ka qenë marrëveshje që shifra e të punësuarve të jetë mbi 3 shifrore”

Sa i përket hallit të banorëve me rrjedhen e lumit, Aliu thotë se sa kanë qenë në pushtet, prioritet i tyre ka qenë mirëkuptimi me banorët atje.

Duhet koncensus me banorët që jetojnë atje. Ne i kemi taku atëherë, sasktësisht kryetari dhe komisioni, ne atëherë u patëm pajtuar që këtë punë ta zgjidhim me koncensus në mes të banorëve dhe kompanisë. Tash qeverisja e re në qytet nuk duhet të tregohet arrogante. Nuk ka të bëj me çështje personale, është kërkesë e banorëve. Në momentin kur një biznes dëshiron të zhvillohet duhet të përshtatet me banorët, e jo të gjithë banorët t’i përshtaten biznesit”, ka deklaruar asamblisti i LDK-së.

Gazeta Nacionale, ka provuar të kontaktoj me kompaninë “ALBIMI LTD”, por për të dytën ditë me rradhë, kan qenë të paçasshëm.

Kronologjia e rastit

Më 14 qershor të vitit 2021, atëherë kur me Komunën e Gjilanit udhëhiqte Lidhja Demokratike e Kosovës, kuvendi komunal, kishte votuar me shumicë votash dhënien në shfrytëzim afatgjatë (99 vjet) të 4 pronave të paluajtshme të komunës për kompaninë “ALBIMI LTD”.

Të 4 pronat e paluajtshme ndodhën në zonën katastrale të fshatit Ponesh në Komunën e Gjilanit, e oferta nga kompania “Albimi LTD” ishte vlerësuar nga një komision vlerësues i ofertave, si oferta më e favorshme ekonomikisht.

Me datë 11 janar të vitit 2022, banorët e fshatit e formalizojnë pakënaqësinë e tyre, duke paraqitur ankesë, pranë Drejtorisë së Urbanizmit në Gjilan.

Në ankesë, banorët e lagjës renditën arsyet për të cilat ata besuan se duhet të ndalet ky projekt. Këto arsye janë si: rreziku për dëmtimin e mjedisit, rreziku për jetën e banorëve që jetojnë afër etj.

Pas 5 muajve pritje, qytetarët ankues u informuan nga Komuna se ankesa e tyre është e pabazuar e se punimet duhet të vazhdojnë sipas kontratës.

Meqenëse në komunë banorët kanë hasur në vesh të shurdhër, ata i kanë thënë Nacionales se ankesën tjetër e kanë parashtruar pranë Ministrisë së Ambientit.

Përditësim: Kompania "ALBIMI LTD" ka reaguar pas publikimit të artikullit

Reagimi i plotë:

Përmes gazetës online, lexuam një artikull që i referohet kompanisë sonë lidhur me fabrikën e bicikletave.

Si fillim, asnjëherë nuk na ka kontaktuar asnjë person nga gazeta juaj për t'u deklaruar për rastin, lidhur me pretendimet tuaja dhe të banorëve të asaj pjese.

Ju njoftojmë se marrja e tokës komunale në shfrytëzim i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore, ku nga këto 20 hektarë sipas projektit vetëm 3.5 prej tyre janë të përshtatshme për prodhim, pasi që hapësira është malore, por në të ardhmen planifikojmë të ndërtojmë panele solare në pjesën malore.

Përsa iu përket banorëve, ne kemi biseduar disa herë me shumicën prej tyre, me ç'rast shumica janë pro ndërtimit përpos z. Kçiku - i cili ka pretendime të tjera por jo arsyet për të cilat deklarohet.

Të njejtit i kemi garantuar se prona e tij asnjëherë nuk do të cenohet dhe se fabrika do të ndërtohet me standardet më të larta që ekzistojnë.

Poashtu, z. Kçiku i kemi dhënë edhe një deklaratë noteriale për mospengesë dhe shfrytëzim të qetë të komplet pronës së tij.

Edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore, jemi të gatshëm në çdo moment që të bisedojmë dhe t'i përmbushim të gjitha kërkesat e tij të arsyeshme dhe të logjikshme me qëllim për ta siguruar pronën dhe pasurinë e tij.

Korrektësi

Gazeta Nacionale ka kontaktuar në numrin 0280 3200** të cilin e ka siguruar përmes një njoftimi online, i cili flet për aktivitetin, lokacionin dhe informatat shtesë në lidhje me këtë kompani.

Lajme të ngjashme