Rrëzimi fatal i vinçit që i mori jetën një punëtori dhe la një tjetër të lënduar – Rama kërkon hetim të plotë - NACIONALE

Rrëzimi fatal i vinçit që i mori jetën një punëtori dhe la një tjetër të lënduar – Rama kërkon hetim të plotë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një punëtor ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar rëndë pasi një vinç u rrëzua të martën në një kantier ndërtimi në Prishtinë. Të lënduarit u dërguan me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, njëri prej tyre nuk mbijetoi. Punëtori tjetër po trajtohet në QKUK, ndërsa gjendja e tij mbetet stabile.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, tha se ekipet mjekësore u përpoqën për rreth dy orë ta mbanin në jetë pacientin.

“Njëri kishte politrauma të rënda dhe përkundër masave të ndërmarra të RCP-së rreth dy orë, për fat të keq s’mundi t’u përballonte lëndimeve dhe ndërroi jetë. Pacienti tjetër është në QE, me lëndime të rënda por gjendje stabile. Vazhdon trajtimin në Torakale”, citohet të ketë deklaruar Syla për KOHËN.

Policia e Kosovës, bashkë me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimin për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti dhe nëse ekziston përgjegjësi penale.

Zëdhënësi policor Enis Pllana konfirmoi vdekjen, duke bërë të ditur se njësitë përkatëse i kanë ndërmarrë veprimet fillestare në vendin e ngjarjes.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit," tha ai.

Në hetim është përfshirë edhe Inspektorati Qendror i Punës. Inspektorati nuk ka dhënë ende një përfundim për shkakun, duke vlerësuar se nevojiten ekzaminime teknike dhe ekspertiza të tjera.

“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka bërë ditur Inspektorati.

Rrëzimi shkaktoi edhe dëme materiale. Një pjesë e konstruksionit të vinçit goditi një shtëpi private pranë kantierit.

Menjëherë pas ngjarjes, në kantier u angazhuan zjarrfikësit, Policia, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe njësitë komunale për reagim të shpejtë.

Në operacion morën pjesë edhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilat ndihmuan në sigurimin e zonës dhe menaxhimin e situatës.

Pas tragjedisë ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai i shprehu ngushëllime familjes së viktimës dhe i uroi shërim punëtorit të lënduar.

“Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, shkroi Rama.

Kryetari falënderoi shërbimet emergjente, Policinë dhe ekipet mjekësore për ndërhyrjen, duke vlerësuar koordinimin dhe profesionalizmin e tyre.

“Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente”, deklaroi Rama.

Ai shkroise kontrolli i respektimit të standardeve të sigurisë në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës, i cili funksionon në nivelin qendror.

Rama kërkoi zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe përgjegjësive, ndërsa tha se siguria e punëtorëve duhet të jetë standard i panegociueshëm në çdo vendpunishte.

Lajme të ngjashme