Raportohet për një përplasje mes Bleros dhe sigurimit pas mbarimit të Big Brother Vip Kosova - NACIONALE

Raportohet për një përplasje mes Bleros dhe sigurimit pas mbarimit të Big Brother Vip Kosova

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përditësim (12:35):

Në lidhje me raportimet për konfrontim fizik me sigurimin, ka folur edhe Blerim Muharremi, i njohur me emrin artistik Blero. Duke folur për Prive, ai ka thënë se nuk ishte rrahje, por një ngatërresë e vogël.

“Nuk bëhet fjalë për rrahje. Ishte një ngatërresë e vogël që u zgjidh shpejt. Si zakonisht, për tituj bombastik, ngjarjet zmadhohen në portale,” – ka deklaruar Blero.

Çka u raportua?

Dje përfundoi edicioni i dytë i Big Brother Vip Kosova, ku fitues doli Lumbardh Salihu, i cili e mori çekun e 144 mijë eurosh. Ndonëse ishte një natë festive, siç raporton Sinjali, jo çdo gjë ka shkuar në atmosferë të harmonisë e festës.

Duke u bazuar në burimet e tij, Sinjali ka shkruar se dyshohet që Bleroja është konforntuar fizikisht me sigurimin e Klan Kosovës. Sinjali ka raportuar edhe për motivin e kësaj përplasjeje. Edhe media të tjera, duke u bazuar në burimet e tyre, kanë raportuar për këtë temë.

Ngjarja bëhet edhe më e besueshme për shkak të një raportimi të “Prive.al”, që është portali i emisionit të njohur “Prive”, i cili shfaqet në Klan Kosova, autore e të cilit është moderatorja Liberta Spahiu, e cila është e përfshirë edhe në organizimin e BBVK-së.

“Pas mbarimit të spektaklit, të gjithë konkurentët e këtij edicionin ishin pjesmarrës në ‘After Party’, për të festuar mbarimin e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Por, duket se çdo gjë nuk shkoi mirë për njërin nga ish banorët e shtëpisë. Dhe bëhet fjalë për Bleron.

Burime të Prive bëjnë të ditur se Blero ka pasur një konfrontim fizik me sigurimin dhe shkas për këtë u bë e dashura e tij” – raporton “Prive”.

Lajmi i "Prive"-së u publikua edhe në faqen e emisionit "Prive" në Facebook.

Nacionale nuk ka arritur që t'i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime për konfrontimin fizik mes Bleros dhe sigurimit pas mbarimit të spektaklit "Big Brother VIP Kosova".

Megjithatë, Nacionale i ka shkruar Policisë së Kosovës për të marrë një përgjigje zyrtare nëse është hapur ndonjë rast i përplasjes fizike nga ky institucion. Po ashtu, Nacionale e ka pyetur Policinë e Kosovës nëse ajo ka nisur hetime pas raportimeve mediale.

Nacionale i ka shkruar edhe moderatorit të njohur të BBVK-së, Alaudin Hamiti, për të marrë një qëndrim në lidhje më këtë temë.

As Policia e Kosovës, as Hamiti nuk kanë kthyer përgjigje.

Sjellim ndër mend që Bleroja ishte njëri nga banorët e edicionit të dytë në BBVK, por e ndërpreu rrugëtimin drejt finales në mënyrë vullnetare.

Lajme të ngjashme