Qytetarët ankohen për reduktime më shumë se 2 orë, KEDS-i thotë se orari po respektohet
Reduktime me energjinë elektrike janë bërë kryetemë në vend që disa ditë. Kjo pasi që shumë kujt po i vështirësohet në një mënyrë apo tjetrën jeta, teksa reduktimet vazhdojnë të jenë 6 orë me rryme dhe 2 pa rrymë. Por, shumë qytetarë raportuan në adresë të gazetës Nacionale për, sipas tyre, reduktime edhe më të mëdha se ato që zyrtarisht lajmërohen.
Por, KEDS, në një përgjigje për Nacionale, e ka mohuar se ka reduktime më shumë se 2 orë.
Ndërsa, qytetarët e pyetur në grupin e Viberit në Nacionale, në shumicë absolute deklaruan se nuk ka respektim të orarit të reduktimeve me rrymë në Kosovë.
Ankesat e qytetarëve
Disa banorë të Fushë Kosovës po ankohen se ky orar nuk po zbatohet si duhet.
Më saktësisht tek banesat e serbëve, rryma gjatë ditës së djeshme është ndalë për më shumë se 3 orë. Madje të njejtit thonë se nuk ka pasur paralajmërim.

“Dje nuk kemi pasë rrymë prej orës 16:30 deri në 19 e 30 qaty diku. Edhe kjo ka ndodhë pa asnjë paralajmërim, domethënë nuk ka qenë në orar të reduktimeve”, thotë një qytetar nga Fushë Kosova.
Gjatë ditës së djeshme në faqen e KEDS, nuk kishte paralajmërim për punime në këtë lagje, përveç në pjesën pas hekurudhës.
“Nga TS 35/10 kV Fushë-Kosovë do të ndërprehet:
Dalja 10kV Bardh i Madh (kodi:15018018 ) nga ora 10:00 deri 15:00
Vendet: Lagjja 28, pjesa e Fushë-Kosovës pas Hekurudhës, Kuzmini dhe Bardhin e Madh.
Arsyeja: Mirëmbajtje preventive”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një përgjigje për gazetën ka thënë se parimi i dy orëve po respektohet, përderisa rrymë mund të mos ketë më shumë se dy orë vetëm në pjesët ku ka punime dhe se ato paralajmërohen.
“Parimi i dy orëve po respektohet, veç nëse ka intervenime të mirëmbajtjes. Na i kemi informu opinionin aty ku ka punime”, ka thënë Buzhala për gazetën.
Ndërkohë në një sondazh të bërë në grupin e Nacionales në rrjetin Viber, qindra persona kanë thënë se nuk po respektohen reduktimet e rrymes, përderisa vetëm një pakicë kanë deklaruar se orari po respektohet.
Madje, njëri nga lexuesit e gazetës ka thënë se që 5 orë nuk ka rrymë.

Tash e më shumë se një javë, në Kosovë, kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike.
Kriza energjetike në mes të muajit gusht ka irrituar qytetarët, të cilët mendojnë se gjatë muajve të dimrit situata me energji do të jetë më rënduese. Ndërsa, ekspertët e energjisë janë pesimistë se gjendja e krizës energjetike mund të përmirësohet.
KEDS ka thënë se çmimi i larti i rrymës dhe mos-subvencionimi i energjisë nga qeveria janë disa nga arsyet pse ka reduktime.
Nga ana tjetër, Qeveria ka fajsuar KEDS për humbjet e rrymës që po bëhen për shkak të mos investimeve në rrjet.
Gjatë javës që po ikën, Nacionale raportoi për problemet që po u shkakton bizneseve kosovare kriza energjetike.
Ata janë detyruar të blejnë gjeneratorë dhe naftë në sasi të madhe, që mos ta ndalin punën.