Qysh mediat sociale po na çojnë drejt kiametit?
Shkruar nga Jonathan Haidt i The Atlantic, dhe përkthyer nga Nacionale
Si mund të kishte qenë jeta në Babel në ditët pas shkatërrimit të saj? Në Librin e Gjenezës, na thuhet që pasardhësit e Noas e ndërtuan qytetn e madh në tokën e Shinarit. Ata ndërtuan kullën “me majën në qiell” për të bërë emër për veten. Zoti u ndje i fyer nga mendjemadhësia njerëzore dhe tha:
“Këqyre, ata tashmë janë një popull, e e kanë një gjuhë; dhe ky është veç fillimi i asaj që do të bëjnë; asnjë mësymje e tyre s’do të jetë e pamundur. Hajde, t’i japim fund kësaj gjëje, pështjelljuani gjuhën, në mënyrë që të mos kuptojnë njëri-tjetrin.”
Teksti nuk thotë se Zoti e shkatërroi kullën, por në interpretimet më popullore të këtij tregtimi ai e shkatërron, kështu që le ta kemi në mendjet tona atë imazh dramatik: njerëzit duke u endur mes rrënojave të Babelit të shkatërruar, të paaftë të komunikojmë me shoqishoqin, të dënuar në moskuptim të përbashkët.
Tregimi i Babelit është metafora më e mirë që kam gjetur për ta kuptuar atë që ndodhi në Amerikë gjatë viteve 2010, për këtë komb të frakturuar të cilit i përkasim. Diçka shkoi tmerrësisht keq, krejt papritmas. Jemi të çorientuar, të paaftë për ta folur të njëjtën gjuhë apo për ta njohur të njëjtën të vërtetë. Jemi shkëputur nga njëri tjetri dhe nga e kaluara.
Ka qenë e qartë tash e një kohë se Amerika e kuqe (Republikanët) dhe Amerika e kaltër (Demokratët) po bëhen dy shtete të ndara në një territor të njëjtë, me dy versione të ndryshme të Kushtetutës, ekonomisë dhe historisë amerikane. Por Babeli nuk është një tregim për tribalizmin; është tregim për fragmentarizimin e gjithçkaje. Është për rrënimin e krejt asaj që dukej solide, shkapërderdhjen e njerëzve që kishin qenë bashkësi dikur. Është metafora për atë që po ndodh jo veç mes të kuqve dhe të kaltërve, por edhe brenda të majtës dhe brenda të djathtës, e ashtu edhe brenda universiteteve, kompanive, shoqatave profesionale, muzeve dhe madje edhe familjeve tona.
Babeli është metaforë për atë se çka kanë bërë disa forma të mediave sociale te gati secili grup dhe institucion me rëndësi për të ardhmen e vendit – dhe për atë se çka na kanë bërë neve si popull. Qysh ndodhi kjo? Dhe çka na parathotë për jetën amerikane?
Ngritja e Kullës Moderne
Historia ecën kah bashkëpunimi i njerëzve në shkallë të gjerë. E shohim këtë trend në evolucionin biologjik, në serinë e “tranzicioneve të mëdha”, përmes së cilave organizmat shumëqelizorë fillimisht u shfaqën dhe më pas zhvilluan marrëdhënie të reja simbiotike. E shohim edhe në evolucionin kulturor, gjithashtu, siç shpjegonte Robert Wright në një libër të tij të titulluar Nonzero: Logjika e destinimit Njerëzor. Wrighti tregonte që historia përfshin një varg tranzicionesh, të udhëhequra nga rritja e dendësisë së popullësisë plus teknologjitë e reja (të shkruarit, rrugët, shtëpitë botuese) që krijojnë mundësi të reja për tregtinë me përfitim të përbashkët dhe të mësuarit. Konfliktet shfarosëse – si luftërat e feve që u ngritën kur shtëpitë botuese shpërndan ide heretike në mbarë Evropën – ishin menduar si pengesa të përkohëshme, dhe nganjëherë madje ishin edhe integrale për përparimin. (Ato luftëra të religjionit, thoshte ai, e bënë të mundur tranzicionin te kombe-shtetet moderne me qytetarë më të informuar). Presidenti Bill Clinton kishte lavdëruar portretizimin optimist të Nonzeros për të ardhmen më bashkëpunuese falë avancimit teknologjik.
Interneti i hershëm në vitet 1990, me dhoma chat-i, mesazhe dhe email-e, veç sa e ilustronte tezën e Nonzeros, siç e bëri edhe vala e parë e platformave të mediave sociale, të cilat u lansuan rreth vitit 2003. Myspace, Friendster dhe Facebook e bënë më të lehtë të lidheshe me miqtë dhe të huajt për të folur në lidhje me interesat e përbashkëta, falas, në një shkallë të paimagjinueshme më herët. Deri në vitin 2008, Facebook-u u bë platforma dominante, me nga 100 milionë përdorues të rinj në muaj. Në dekadën e parë të shekullit të ri, mediat sociale gjerësisht besohej të ishin një gjë e mirë për demokracinë. E si mund ta impononte vullnetin e tij një diktator në një qytetari të ndërlidhur? Çfarë regjimi mund të ndërtonte një mur aq të madh sa për ta lënë jashtë internetin?
Pika më e lartë e optimizmit tekno-demokratik ishte viti 2011, një vit që nisi me Pranverën Arabe dhe përfundoi me lëvizjen globale Occupy. Ky është viti edhe kur Google Translate u bë e qasshme në – virtualisht – gati krejt smartfonët. Viti 2011 ishte viti kur njerëzimi rindërtoi Kullën e Babelit. Ishim më afër se që kishim qenë ndonjëherë të qenët“një popull” dhe efektivisht e kishim kapërcyer mallkimin e ndarjes përmes gjuhëve të ndryshme që flisnim. Për optimistët tekno-demokratik, duket të jetë veç fillimi i asaj që njerëzimi mund të bënte.
Në shkurtin e vitit 2012, derisa po përgatitej që ta bënte publik Facebook-un, Mark Zuckerberg reflektoi për ato kohëra të jashtëzakonshme dhe i prezantoi planet e tij. “Sot, shoqëria jonë ka arritur një tjetër majë,” kishte shkruar ai në një letër për investitorët. Facebook-u shpresonte “të rilidhte formën se si njerëzit shpërndanin dhe konsumonin informacionin.” Duke i dhënë atyre “pushtetin që të shpërndanin,” do t’ju ndihmonte që “edhe një herë të transformonin shumë prej institucioneve dhe industrive kyçe.”
Dhjetë vjet prej atëherë, Zuckerbergu e bëri bash atë që tha se do ta bënte. Ai rilidhi mënyrën se si ne e shpërndanim dhe konsumonim informacionin; i transformoi institucionet tona, dhe na çoi përtej majës. Megjithatë, kjo s’ka funksionuar siç ai ka pritur.
Gjërat shkapërderdhen
Historikisht, civilizimet janë mbështetur te gjaku i përbashkët, zotat e përbashkët dhe armiqtë e përbashkët në mënyrë që t’i rezistonin tendencës për t’u ndarë. Por çka i mban bashkë demokracitë e mëdha dhe diverse si ajo e Shteteve të Bashkuara dhe e Indisë, apo, edhe ato të Francës dhe Britanisë moderne?
Shkencëtarët socialë kanë identifikuar tri forca të mëdha që kolektivisht i mbajnë së bashku demokracitë e suksesshme: kapitali shoqëror (rrjetet e gjera shoqërore me nivel të lartë besimi), institucionet e forta, dhe tregimet e përbashkëta. Mediat sociale i kanë dobësuar që të trija. Për ta parë mënyrën, duhet ta kuptojmë se si mediat sociale kanë ndryshuar përgjatë kohës – dhe veçanërisht pak vite pas 2009-s.
Në format më të hershme, platformat si Myspace dhe Facebook ishin relativisht të padëmshme. Ato i lejonin përdoruesve që të krijonin faqe në të cilat mund të postonin fotografi, risitë familjare, dhe vegëzat për te faqet statike të miqve të tyre dhe bendeve të preferuara. Në këtë mënyrë, media sociale fillestare mund të shihet si një hap i radhës në progresin e gjatë të avancimeve teknologjike – nga Shërbimi Postar te telefonët dhe emaili e të shkruarit me tekst – që ndihmuan njerëzit të arrijnë qëllimin e përjetshëm për mbajtjen e lidhjeve të tyre shoqërore.
Por gradualisht, përdoruesit e mediave sociale u ndjenë më rehat që të ndanin detaje intime nga jeta e tyre me të huajt dhe korporatat. Siç kam shkruar në vitin 2019 në një artikull me Tobias Rose-Stockewell, ata u bënë më të shkathtë që të performonin online dhe të menaxhonin brendin e tyre personal – e kam fjalën për aktivitetet që mund t’i magjepsin të tjerët por që s’i thellojnë miqësitë si për shembull të thirrësh një shok në telefon e ta pyesësh se qysh është e çka po bën.
Sapo platformat e mediave sociale i trajnuan përdoruesit që të harxhonin më shumë kohë duke performuar e më pak për t’u lidhur tamam me të tjerët, u vendos skena për transformimin e madh, i cili nisi në vitin 2009: intensifikimin e dinamikave virale.
Para 2009-s, Facebook-u iu kishte dhënë përdoruesve një kohështrirje të thjeshtë – një lumë me përmbajtje që s’mbaronte kurrë të gjeneruar nga miqtë e tyre dhe lidhjet, me postimet më të reja në majë dhe me më të vjetrat në fund. Shpesh kjo ishte dërrmuese sa i përket vëllimit, por ishte një reflektim i saktë i asaj që të tjerët postonin. Kjo nisi të ndryshonte në vitin 2009, kur Facebook-u ofroi te përdoruesit mënyrën që publikisht të “pëlqenin” (butoni “like”) postimet me një klikim. Po atë vit, Twitteri ofroi diçka edhe më të fuqishme: butonin “Retweet”, që i lejoi përdoruesit që publikisht të shkruanin për një postim derisa e ndanin me krejt ndjekësit e tyre. Facebook-u shpejt e kopjoi inovacionin me butonin e tij të “share”-it, që u bë i qasshëm te përdoruesit e smar-fonëve në vitin 2012. “Like”-u dhe “Share”-i u bënë shpejt butonët standardë në shumicën e platformave tjera.
Pak pasi butoni “Like” filloi të prodhonte të dhëna se çka i “angazhonte” më shumë përdoruesit, Facebook-u zhvilloi algoritma për t’i sjellë çdo përdoruesi kontent i cili kishte më shumë gjasa të gjeneronte “like” apo ndërveprime tjera. Më vonë hulumtimi tregoi që postimet që nxisnin emocione – veçanërisht zemërim – kishte më shumë gjasa të shpërndaheshin.
Deri në vitin 2013, mediat sociale ishin bërë lojë e re, me dinamika krejt ndryshe prej atyre të vitit 2008. Nëse ishit i shkathtë apo me fat, do të krijonit një postim që “do të bëhej viral” dhe të ju bënte juve “të famshëm në internet” për disa ditë. Nëse gabonit, do ta gjenit veten të varrosur nëpër komente urrejtëse. Postimet tuaja merrnin famë apo poshtëroheshin, varësisht prej klikimeve të mijëra njerëzve të huaj, dhe në këmbim edhe ju vetë i jepnit mijëra klikime në këtë lojë.
Kjo lojë e re inkurajoi mashtrimin dhe dinamikat e bandave: Përdoruesit udhëzoheshin jo veç prej preferencave të tyre të vërteta por edhe nga përvojat e kaluara të shpërblimit e ndëshkimit, dhe parashikimi i tyre se si të tjerët mund të reagonin për secilin veprim të ri online. Një prej inxhinierëve në Twitter që ka punuar në butonin e “Retweet” më vonë kishte kallëzuar se i ra rënë pishman për kontributin e tij sepse e kishte bërë Twitterin një vend më të ndyrë. Derisa ai po shikonte formimin e bandave të Twitterit përmes krijimit të atij butoni të ri, kishte menduar vetëmevete, “Më duket se ja dhamë një 4-vjeçari një armë të mbushur me fishekë,”
Si një psikolog social që studion emocionet, moralitetin dhe politikën, e pashë të njëjtën gjë. Platformat e reja ishin të dizajnuara gati në mënyrë perfekte që të nxjerrnin prej nesh anën më moralistike dhe më së paku reflektive. Vëllimi i tërbimit të prodhuar ishte shokues.
Ishte mu ky lloj i shpërndarjes eksplozive të tërbimit nga i cili James Madison ishte munduar të na mbronte kur e kishte draftuar Kushtetutën e ShBA-ve. Shkruesit e Kushtetutës ishin psikologë të shkëlqyer socialë. E dinin që demokracitë kishin një thembër të Akilit sepse vareshin nga gjykimi kolektiv i njerëzve, dhe bashkësitë demokratike janë subjekt i “turbulencave dhe dobësive të pasioneve të egra.” Çelësi ishte dizajnimi i një republike të qëndrueshme, prandaj, duheshin ndërtuar mekanizma për t’i ngadalësuar gjërat, për t’i ftohur pasionet, për kërkimin e kompromiseve, dhe për heqjen e liderëve nga mania e momentit derisa i mbajmë përgjegjës vazhdimisht, për ditën e Zgjedhjeve.
Kompanitë teknologjike që përftuan viralshmërinë prej 2009-s e deri më 2012 na rrasën thellë në makthin e Madisonit. Shumë autorë citojnë komentet e tij në “Federalisti Numër 10” mbi prirjen e brendshme njerëzore drejt “faksionit” nga e cila nënkuptonte prirjen tonë për t’u ndarë nëpër ekipe apo parti që janë aq të përflakura me “animozitet të përbashkët” sa janë “shumë më të predispozuara që të zemërojnë dhe shtypin njëri tjetrin se sa të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët.”
Por ajo ese vazhdon edhe në një pjesë më pak të cituar e barazisht të rëndësishme, dhe flet për lëndueshmërinë e demokracisë nga trivialiteti. Madisoni vëren që njerëzit janë aq shumë të prirur kah faksionalizimi sa “kur asnjë rast domethënës (për armiqësi) nuk paraqitet, dallimet më joserioze e të çuditshme bëhen të mjaftueshme për të ndezur pasione armiqësore dhe për të ndezur konfliktet më të dhunshme.”
Mediat sociale edhe i kanë zmadhuar e edhe i kanë armatosur këto dallime joserioze. A është demokracia jonë më e shëndetshme tash se sa në kohën kur Twitteri po kallej në lidhje me fustanin e kongresmenes Alexandria Ocasio-Cortez në Met Gala, apo për fustanin e Melania Trumpit në një ngjarje përkujtimore për 11 shtatorin?
Kjo s’ka të bëjë veç me humbjen e kohës apo vëmendjen e pakësuar; është copëtimi i vazhdueshëm i mirëbesimit që vlen në këtë rast. Një autokraci mund të shpërndajë propagandën apo të përdorë frikën që të inkurajojë sjelljet që dëshiron, por demokracia varet nga pranueshmëria e gjerë e internalizuar e rregullave, normave e institucioneve legjitime. Besimi i verbër dhe i parevokueshëm ndaj ndonjë individi apo organizate nuk kërkohet asnjëherë. Mirëpo kur qytetarët humbin besimin në liderët e zgjedhur, në autoritetet shëndetësore, në gjykata, polici, universitete dhe në integritetin e zgjedhjeve, atëherë çdo vendim bëhet i kontestueshëm; çdo proces zgjedhor bëhet luftë për jetë a vdekje për ta shpëtuar vendin nga pala tjetër. Barometri i fundit i Besimit nga Edelman (një matje ndërkombëtare e besimit qytetar në qeveri, biznes, media dhe organizata joqeveritare) shfaqi autokracitë stabile e kompetente (Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) në majë të listës, ndërsa demokracitë si ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Korea e Jugut gati në fund.
Studimet më të reja akademike tregojnë që mediat sociale përnjëmend janë gërryese të besimit në qeveri, media, dhe te njerëzit dhe institucionet në përgjithësi. Një hulumtim serioz konkludoi që “shumica dërmuese e lidhjeve të raportuara mes përdorimit të mediave digjitale dhe besimit dukej të ishte e dëmshme për demokracinë.” Literatura është komplekse – disa studime tregojnë benefitet, veçanërisht në demokraci më pak të zhvilluara – por hulumtimi gjeti se, mediat sociale amplifikonin polarizimin politik; nxitnin populizmin, veçanërisht populizmin e së djathtës; dhe lidheshin me shpërndarjen e dezinformatave.
Kur njerëzit e humbin besimin në institucione, ata e humbin besimin në tregimet që thuhen prej këtyre institucioneve. Kjo është e vërtetë veçanërisht për institucionet të cilave iu besohet edukimi i fëmijëve. Kurrikula për Historinë shpesh ka shkaktuar debat politik, por Facebook-u dhe Twitteri e bënë të mundshme që prindërit të zemërohen përditë në lidhje me mësimin e historisë që merrnin fëmijët e tyre – dhe për mësimin e matematikës, përzgjedhjet letrare, apo çdo ndryshimi të ri pedagogjik në vend. Motivet e mësuesve dhe administratorëve kontestohen, dhe shpesh kjo shkakton ndryshim në ligje apo reforma në kurrikulë, duke e pakësuar kësisoj besimin edhe më tej. Njëra rrjedhojë është që të rinjtë tanë të edukuar në periudhën post-Babel është më pak e mundur që të mbërrijnë në një storje koherente se kush jemi si njerëz, dhe më pak e mundshme për të pasur rrëfime të përbashkëta me ata që ishin pjesë shkollash të ndryshme apo që ishin edukuar në dekada të kaluara.
Ish analisti i CIA-s, Martin Gurri, kishte parashikuar këto efekte frakturuese në librin e tij të vitit 2014, “Revolta e Publikut”. Analizat e Gurrit ishin fokusuar në efektet e përmbysjes së autoriteteve nga rritja eksponenciale e informacionit, filluar me internetin në vitet 1990. Edhe gati para një dekade, Gurri mund të shihte fuqinë e mediave sociale si një tretës universal, duke thyer lidhjet dhe duke dobësuar institucionet kudo që mbërrinin. Ai vërejti që rrjetet shpërndarëse “mund të protestojnë e të rrëzojnë qeveri, por kurrë s’mund të qeverisin.” Ai përshkroi nihilizmin e shumë lëvizjeve protestuese prej 2011-s që u organizuan kryesisht online si “Occypy Wall Street”, e të cilat kërkonin shkatërrimin e institucioneve ekzistuese pa ofruar një vizion alternativ për të ardhmen.
Gurri nuk është dashamirës i elitave apo autoritetit të centralizuar por ai vëren një tipar konstruktiv në periudhën para-digjitale: një “audiencë në masë” që konsumonte të njëjtin kontent, sikur të shihnin të gjithë në të njëjtën pasqyrë gjigante pasqyrimin e shoqërisë së tyre. Në një koment për Voxin që flet për diasporën e parë post-Babel ai thotë:
“Revolucioni digjital ka shkatërruar atë pasqyrë, dhe tash populli popullon ato copa të thyera xhami. Kësisoj populli nuk është e njëjta gjë; është krejt i fragmentuar, dhe është i armiqësuar. Njerëzit i bërtasin njëri-tjetrit dhe jetojnë nëpër fluska të një lloji a llojit tjetër.”
Mark Zuckerbergu mund të mos e ketë dëshiruar një gjë të tillë. Por përmes rilidhjes së gjithçkaje në turrin e tij për t’u rritur – me një koncept naiv të psikologjisë njerëzore, të kuptuarit e paktë të ndërlikueshmërisë së institucioneve, dhe pa shqetësimin për kostet e jashtme të imponuara në shoqëri – Facebooku, Twitteri, Youtube, dhe të tjera platforma të mëdha pa dashje kanë mbytur besimin, besimin në institucione, dhe në rrëfime të përbashkëta që e kishin mbajtur të bashkuar demokracinë sekulare dhe diverse.
Ma merr mendja se rënia e kullës shtrihet mes viteve 2011 (vitet e protestave “nihiliste” sipas Gurrit) dhe 2015, një vit që u shenjua nga “zgjimi i madh” i të majtës dhe ardhja e Donald Trumpit në të djathtën. Trumpi nuk shkatërroi kullën; ai thjesht e shfrytëzoi rrënimin e saj. Ai ishte i pari politikan që kontrolloi dinamikat e reja në periudhën post-Babel, në të cilën tërbimi është çelësi për te viralshmëria, ku performanca e inskenuar e shkelë zotësinë, Twitteri mund të fuqizojë krejt gazetat në vend, dhe storiet të mos ndahen më (apo të paktën besohen) dhe që e vërteta të arrijë një shpërndarje të gjerë.
Analistët e shumtë, përfshirë edhe veten, kishin argumentuar se Trumpi nuk mund të fitojë në zgjedhjet e përgjithshme duke u mbështetur në institucionet para-Babelit, e kishin thënë se skandalet e tilla si përgjimi Access Hollywood (në të cilin Trump fryhej se kishte kryer sulm seksual) janë fatale për fushatën presidenciale. Por, pas Babelit, asgjë nuk ka më kurrfarë kuptimi – të paktën jo në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe për të cilën njerëzit pajtohen.
Politika pas Babelit
“Politika është art i së mundshmes,” kishte thënë shtetasi gjerman Otto von Bismarck në vitin 1868. Në demokracitë post-Babelike, pakçka mund të jetë e mundshme.
Natyrisht, kultura e luftës amerikane dhe rënia e bashkëpunimit ndër-partiak është më e hershme se mbërritja e mediave sociale. Në mes të shekullit 20 kishim një polarizim pazakonshëm të ulët në Kongres, që nisi të kthehej në nivele të zakonshme në vitet 1970 dhe 1980. Distanca ideologjike mes dy partive filloi të rritej më shpejt në vitet 1990. Fox News dhe “Revolucioni Republikan” i 1994-s e konvertuan këtë parti në një parti më luftarake. Për shembull, Lideri i Kongresit Newt Gingrich kishte dekurajuar anëtarët e rinj republikanë të Kongresit që t’i sillnin familjet e tyre në Washington DC ku mund të formonin lidhje shoqërore me demokratët dhe familjet e tyre.
Raportet ndër-partiake veçse ishin të tensionuara para 2009-s. Por, viralshmëria e mediave sociale e bëri më të rrezikshme të shiheshe me armikun apo edhe thjesht të dështoje që të sulmoje armikun me vrull të mjaftueshëm. Në të djathtën, termi RINO (Republikanë veç në emër) ishte zëvendësuar më 2015 nga një term më përçmues “karservator” (cuckservative) që u popullarizua në Twitter nga mbështetësit e Trumpit. Në të majtën, mediat sociale lansuan kulturën e protestës në vitet pas 2012-s, me efekte transformative mbi jetën universitare e më vonë edhe politikën e kulturën në mbarë botën anglisht-folëse.
Çka ndryshoi në vitet 2010? Le ta rikujtojmë metaforën e inxhinierit të Twitterit për dhënien e një arme të mbushur te një katër vjeçar. Një cicërim (tweet) dashakeq nuk e vret askënd; është përpjekje për ta turpëruar apo ndëshkuar dikë publikisht ndërsa përshfaqnin besnikërinë e tyre të shkëlqyer tribale. Kjo është më shumë shigjetë se sa plumb, sepse shkakton dhimbje por jo vdekje. Prej 2009-s deri më 2012-n, Facebook-u dhe Twitteri lejuan që të hidheshin 1 miliard shigjeta globalisht. Prej atëherë jemi duke gjuajtur njëri-tjetrin pa reshtur.
Mediat sociale i kanë dhënë zë disa njerëzve që nuk kishin më herët, dhe e ka bërë më të lehtë që të njerëz me pushtet të mbahen përgjegjës për keq-bërjet e tyre, jo veç në politikë por edhe në biznes, arte, akademi dhe tjetërkund. Ngacmuesit seksualë ishte e mundshme të denoncoehshin në mënyrë anonime para Twitterit, por është e zorshme të imagjinohet që lëvizja #MeToo të kishte qenë kaq e suksesshme pa viralshmërinë që e ofruan platformat madhore. Sidoqoftë, “përgjegjshmëria” e deformuar e mediave sociale po ashtu kanë sjellë padrejtësi – dhe disfunksionalitet politik – në tri mënyra.
E para, shigjetat e mediave sociale i japin më shumë fuqi trolleve dhe provokatorëve ndërsa heshtin qytetarët e mirë. Hulumtimi nga politologët Alenxader Bor dhe Michael Bang Petersen gjetën se nëngrupet e vogla të njerëzve në platformat e mediave sociale ishin tepër të dhënë pas marrjes së një statusi më të lartë shoqëror dhe për këtë gjë janë të gatshëm të përdorin agresion online. Ata e kanë pranuar se në diskutimet e tyre online shpesh mallkojnë, tallen me oponentët e tyre, dhe bllokohen nga përdorues tjerë apo raportohen për komentet e papërshtatshme. Përgjatë tetë studimeve, Bori me Petersenin gjetën se të qenët online nuk i bënte njerëzit më agresivë apo armiqësorë, por, lejonte një numër të vogël të njerëzve agresivë që të sulmonin një numër shumë më të lartë viktimash. Edhe një pjesë e vogël e hajvanëve ishte e mundshme të dominonin forumet e diskutimit, zbuluan ata, sepse jo-hajvanët lehtë heqin dorë nga diskutimet politike online. Një hulumtim shtesë zbuloi që gratë dhe zezakët janë të ngacmuar joproporcianlisht, në mënyrë që sfera digjital publike të jetë më pak mirëpritëse për zërat e tyre.
E dyta, shigjeta e mediave sociale u japin më shumë pushtet e zë ekstremeve politike ndërsa reduktojnë edhe zërin edhe pushtetin e shumicave të moderuara. Studimi i “Tribuve të Fshehura” (Hidden Tribes) nga grupi pro-demokracisë “More in Common” mori përsipër 8 mijë amerikanë në vitin 2017 dhe 2018 dhe identifikoi shtatë grupe mes tyre që ndajnë besime dhe sjellje të përbashkëta. Ai më ekstremi i djathtë, i njohur si “konservatorët e devotshëm” përbëhej nga 6 për qind e popullsisë amerikane. Grupi ekstrem i majtë, “aktivistët progresistë” përbëhej nga 8 për qind e popullsisë. Aktivistët progresistë ishin shumë më prodhues në mediat sociale: 70 për qind prej tyre kishin shpërndarë kontent politik përgjatë vitit të kaluar. Konservatorët e devotshëm ishin të dytët, me 56 për qind.
Këto dy grupe ekstreme janë të ngjashme në mënyra befasuese. Ata janë më të bardhët dhe më të pasurit mes shtatë grupeve, që tregon se Amerika po copëtohet nga betejat mes dy nëngrupeve të elitave që nuk janë përfaqësuese të shoqërisë së gjerë. Për më shumë, ata janë dy grupet që tregojnë homogjenitetit më të madh në moralin dhe qasjet e tyre politike. Ky uniformitet i opinionit, spekulojnë autorët e studimit, është e mundshme të ishte rezultat i të policimit mendor në mediat sociale: “Ata që shprehin simpati për pikëpamjet e grupeve kundërshtare mund të përjetojnë goditje nga hordhitë e tyre.” Me fjalë të tjera, ekstremistët politikë jo thjesht gjuajnë shigjeta drejt armiqve; ata harxhojnë municion duke shënjestruar disidentët apo mendimtarët e nuancuar në vet ekipin e tyre.
Dhe e fundit, duke i dhënë secilit nga një shigjetë, mediat sociale e bëjnë secilin administrator drejtësie pa proces të mirëfilltë. Një sulm i suksesshëm tërheq një numër të madh pëlqimesh dhe një numër të madh kundërsulmesh. Platformat e viralshmërisë prandaj lehtësojnë ndëshkimin masiv kolektiv për veprat penale të vogla apo të imagjinuara, me pasoja të vërteta, përfshirë të pafajshmit që humbin vendet e punës apo turpërohen aq sa të kryejnë edhe vetëvrasje. Me sferën publike të qeverisur nga dinamikat e bandave, ne s’kemi drejtësi dhe përfshirje por shoqëri që shpërfill kontekstin, proporcionalitetin, mëshirën dhe të vërtetën.
Budallallëku strukturor
Prej që ra Kulla, debatet e të gjitha llojeve janë bërë gjithnjë e më konfuze. Pengesa më e përhapur e të menduarit të mirëfilltë është miratimi paragjykues, që i referohet prirjes njerëzore për të kërkuar prova që i konfirmojnë besimet e preferuara. Edhe para mediave sociale, makinat e kërkimit po e bënin gjithnjë e më të lehtë gjetjen e provave për besimet absurde dhe teoritë konspirative, të tilla si Toka është e rrafshët apo që qeveria amerikane vet i inskenoi sulmet e 11 shtatorit. Por mediat sociale i përkeqësuan gjërat.
Kura më e mirë për miratimin paragjykues është ndërveprimi me njerëz që nuk ndajnë të njëjtat besime. Ata ju konfrontojnë me kundër-prova dhe kundër-argumente. Njerëzit që mendojnë ndryshe dhe janë të gatshëm të mos pajtohen me juve iu bëjnë më të mençur, njësoj si të ishin zgjatime të trurit tuaj. Njerëzit që provojnë të heshtin apo intimidojnë kritikët e tyre e bëjnë veten më budallenj, njësoj si të gjuanin shigjetat drejt trurit të tyre.
Pjesë e madhështisë së Amerikës në shekullin 20 ishte zhvillimi i rrjeteve më të afta, vibrante dhe produktive të intitucioneve dijeprodhuese në historinë e krejt njerëzimit, duke i lidhur së bashku universitetet më të mira botërore, kompanitë private që i kthyen avancimet shkencore në prodhime të jashtëzakonshme për konsumatorë, dhe që i bënë agjencitë qeveritare të bashkëpunonin aq sa të çonin njeriun në hënë.
Por, institucionet dhe agjencitë u bënë gjithnjë e më uniforme ideologjikisht dhe i heshtën pakënaqësitë mes tyre duke u bërë gjithnjë e më të prirura kah budallallëku.
Do të bëhet shumë më keq
Në një intervistë në vitin 2018, Steve Bannon, ish këshilltar i Donald Trumpit, tha që mënyra se si duhet marrë me mediat ishte “ta përmbysnin zonën me mut.” Ai po përshkruante taktikën e rrenave nga programet ruse të dezinformatave që mësynin t’i bënin amerikanët konfuzë, të çorientuar dhe të tërbuar. Por në atë kohë, më 2018, kishte një kufim në sasinë e mutit të qasshëm, sepse i gjithë muti duhej krijuar nga një person i vetëm.
Tash, megjithatë, inteligjenca artificiale është gati që të lejojë shpërndarje të pakufizuar të dezinformatave gati krejtësisht të besueshme. Programi i Inteligjencës Artificiale GPT-3 është tanimë aq i mirë sa mund t’i jepni çfarëdo teme dhe ai do të shkruajë sa të doni ese, me gramatikë perfekte dhe nivel befasues të koherencës. Për një vit a dy, kur programi të përditësohet në GPT-4, do të jetë edhe më i aftë. Në një ese në vitin 2020 të titulluar “Furnizimi i Dezinformatave shpejt do të bëhet i pakufizuar,” Rene DiResta, shpjegonte që shpërndarja e rrenave – qoftë përmes tekstit, imazheve apo videove deep-fake – së shpejti do të bëhej shumë më e lehtë (Ajo shkroi esenë në fjalë bashkë me GPT-3).
Faksionet amerikane nuk do të jenë të vetmet që do të përdorin Inteligjencën Artificiale dhe mediat sociale për të gjeneruar kontent sulmues; edhe armiqtë do ta bëjnë.
Tashmë e dimë që demokracia amerikane nuk po sulmohet veç nga rusët. Para protestave të 2019-s në Hong Kong, Kina kishte qenë e fokusuar krejtësisht në platformat e brendshme si WeChat. Por tash Kina po zbulon se çka të bëjë me Twitterin dhe Facebookun, për pak para, në konfliktin e eskaluar me ShBA-të. Marrë parasysh avancimet e vet Kinës në Inteligjencë Artificiale, duhet të presim që dikush të bëhet më i shkaththë në vitet e ardhshme në përçarjen e Amerikës.
Në shekullin 20, identiteti i përbashkët i Amerikës në luftën e vendit për ta bërë botën më të sigurt për demokracinë ishte një forcë e fortë që ndihmoi në mbajtjen e kulturës dhe politikës bashkë. Në shekullin 21, kompanitë teknologjike amerikane kanë rilidhur botën dhe kanë krijuar produkte që tani duken të gërryejnë demokracinë, të pengojnë të kuptuarit e përbashkët, dhe të shkatërrojnë kullën moderne.
Demokracia pas Babelit
Nuk mund të kthehemi më kurrë në periudhën para-digjitale. Normat, institucionet, dhe format e pjesëmarrjes politike që u zhvilluan gjatë periudhës së gjatë të komunikimit masiv nuk do të funksionojnë mirë tash që teknologjia ka bërë gjithçka shumë më të shpejtë dhe më shumëdrejtimëshe.
Nëse nuk bëjmë ndryshime madhore shpejt, atëherë institucionet tona, sistemi ynë politik, dhe shoqëria jonë mund të kolapsojë gjatë luftës së ardhme të madhe, pandemisë, tkurrjes financiare apo krizave konstitucionale.
Lexo esenë e plotë në The Atlantic duke klikuar KËTU.