Qeveria ekzekuton pagat për mësimdhënësit
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka treguar se Ministria e Financave ka bërë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se komunat kanë konfirmuar një gjë të tillë.
“Po, më në fund”, ka thënë Ibrahimi.
Kurse, një burim brenda ministrisë së Financave ka thënë për gazetën Nacionale se kjo ka ndodhur pas konfirmimit të listave nga komunat.
“Pas konfirmimit nga organizatat buxhetore se listat e pagave janë të sakta, pagat janë ekzekutuar. Çdo mospërputhje me ligjin obligohen organizatat buxhetore të reflektojnë në listat e pagave në muajit në vazhdim”, ka thënë ky burim.
Gjatë ditës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar se mësimdhënësit duhet t`i zëvendësojnë orët e humbur.
Në të kundërtën, sipas ministrisë, pagat mund të ndalen.
“MFPT njofton që marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga MASHTI që parasheh zëvendësimin e orëve të muajit Shtator, ka kërkuar edhe njëherë nga Organizatat Buxhetore që të rikonfirmojnë listat e pagave, duke ua rikujtuar obligimet ligjore që kanë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. OB-të duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e Shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, është thënë në njoftimin e MFPT-së.
Pozita dhe opozita debatojnë për pagat
Partitë opozitare e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndaljen e pagave të mësimdhënëseve, të cilët kanë qenë në grevë për një muaj.
Gjatë kësaj interpelance, ata kanë vlerësuar se qasja e ekzekutivit ndaj kësaj kategorie është diktatoriale, joligjore dhe selektive.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se me mosekzekutimin e pagave, Qeveria ka tentuar t’i nënshtrojnë mësuesit.
“Këtu s’ka të bëjë as me ligj, as me ligjshmëri, por me një tendencë me u thënë mësimdhënësve që kemi me ju shkelë, kemi me ju nënshtru, kemi me ju shkatërru si organizim sindikal, para së gjithash, dhe ju mos guxoni kurrë me kërku kurgjo, përveç çka vendos mëshira e Albin Kurtit dhe e Hekuran Muratit me ju dhënë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, veprimet e Qeverisë janë dhunim i sistemit demokratik të shtetit nga pushtetarët.
“Ju veç pushtetin lokal s’e keni, e me këtë formë ju po doni me e uzurpu edhe atë pushtet. Përmes ndalesës së pagesave dhe përmes presionit që u është bërë komunave në vazhdimësi dhe mos të flasim pastaj edhe përmes ndalesën së investimeve kapitale dhe zvogëlimit të buxhetit. Tani po idhnoheni, kur po ju themi që kjo është tendencë diktatoriale. Po çka tjetër është? Çka është kjo, nëse s’është diktat? Ja qysh të them unë, ja ndryshe s’mundeni”, është shprehur Krasniqi.
Ai theksoi se ministri Murati e ka shkelur ligjin me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve për muajin shtator.
“Ministri dje e ka shkelë ligjin me mosekzekutimin e pagave, mundohuni me interpretu qysh të doni. Kallëzimin penal e ka. Për këtë ka me u përgjigj. Pagat kanë me dalë. Fundi ka me i ardhë, ashtu qysh duhet, por ky presion dhe ky shantazh që po u bëhet mësimdhënësve, nuk besoj që ka me u harru. Unë nuk po e kuptoj a don me metë najkush prej këtyre ministrave pa e shkelë ligjin, pa e shkelë Kushtetutën”, shtoi Krasniqi.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.
Ai është zotuar para mësimdhënësve që pagat e tyre do të dalin, herët apo vonë.
“Kjo Qeveri, ose nuk e kupton ligjin, ose e kuptojnë, por janë hakmarrës. Të dyja janë të këqija. Ky kryeministër po kërkon krizë, është mësuar të krijojë e të jetojë me kriza se pa to nuk di të jetojë e të udhëheqë. Të dashur mësimdhënës, pagat tuaja do të jepen herët apo vonë, merreni këtë si zotim timin e të LDK-së. Deri atëherë, do t’i marrim të gjitha masat. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe do ta rregullojmë këtë veprim të turpshëm e të paligjshëm të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se 25 mijë familje janë lënë pa të ardhura mujore.
“Jemi në javën e parë të tetorit, dhe 25 mijë mësimdhënës kosovarë, 25 mijë familje kosovare, janë lënë pa të ardhurat e tyre mujore. Ky dënim ndaj tyre vjen në kohë të një krize të paprecedent. Viti me inflacion rekord e dimër të vështirë. Ky dënim në këtë kohë është nivel i ri dhe i ulët ndaj njerëzve të këtij vendi. Greva është ndërprerë dhe me të ka rënë fantazia për rënien e Qeverisë, por nuk ka rënë apetiti për të treguar forcë e për t’i ndëshkuar solidarizuesit me grevën. Hakmarrja e merr formën e shkeljes ndaj mësimdhënësve të këtij vendi. Kjo është beteja e Albin Kurtit sot. Ndaj kujt? Ndaj 25 mijë familjeve kosovare me 400 euro rrogë”, ka thënë Abdixhiku.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka prezantuar një rezolutë, përmes të cilës ka bërë thirrje për ekzekutimin e pagave për mësidhënësit.
Ai ka thënë se Qeveria duhet ta ndalë presionin ndaj mësimdhënësve dhe administratës shtetërore.
“Qeveria nuk është punëdhënëse e personelit parauniversitar. Punëdhënës, me ligj, me kushtetutë, këtë përgjegjësi ia ka deleguar komunave. Kontratat nënshkruhen me Departamentin komunal të Arsimit. Thesari dhe Ministria e Financave e ka obligim ekzekutimin e listave”, ka thënë Tahiri.,
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Qeverisë i kanë hedhur poshtë pretendimet e partive opozitare.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka fajësuar partitë opozitare se kanë qëndruar prapa grevës së mësimdhënësve.
Sipas tij, kjo është bërë për ta sabotuar punën e shtetit.
“Fakti i parë është se kush qëndronte prapa këtij organizimi. E kemi parë, që sa ditë japin ultimatum herë PDK-ja, herë SBAShK-u e herë LDK-ja. Dhe në fund, kallëzimi penal u dorëzua nga PDK-ja në emër të SBAShK-ut. Pra u pa se kush ka qëndruar mbrapa këtij organizimi për ta sabotuar punën e shtetit, për t’i lënë nxënësit jashtë shkollave për një muaj. Pra ishin këto parti opozitare”, ka thënë Murati.
Në fund të interpelancës, Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta votuar rezolutën e AAK-së.