Qeni endacak e sulmoi 4-vjeçarin në çerdhen e kryeqytetit, drejtoresha s’ka përgjigje për prindërit
Lojën nuk arriti që ta shijonte si duhet. Një djalë 4-vjeçari, pjesë e çerdhes “Gëzimi Ynë” në Prishtinë, të hënën u kafshua nga një qen endacak derisa po luante me lodrat e këtij insitucioni parashkollor.
Gazeta Nacionale të martën qëndroi në hapësirën e kësaj çerdheje, por drejtoresha e çerdhes publike, “Gëzimi Ynë”, nuk qe në vendin e punës.
Duke mos dashur që të prezantohej për gazetën, një punëtore e kësaj çerdheje, që më vonë zbuluam se është zëvendësdrejtoreshë, na tha se e gjithë ngjarja ka ndodhur në oborrin e saj.

“Në oborr, aty kanë qenë duke luajtur. Një qen i ka sulmu. Vetëm një fëmijë ka arritur që ta kafshojë. Mësuesja është në gjendje të keqe psikike. Për fëmijën, ajo dihet. Jemi të shqetësuar për rastin”, tha ajo, duke mos dashur që të prezantohet se kush është.
Nëna e 4-vjeçarit: Djali ishte duke luajtur në oborrin e çerdhes, kur u kafshua nga qeni
Nacionale ka biseduar edhe me nënën e 4-vjeçarit, të cilin e kafshoi qeni të hënën e 17 tetorit. Aridona Demolli-Lumi e shpjegoi në hollësi rastin si dhe për gjendjen shëndetësore të djalit të saj.

“Dhembje të mëdha djali nuk ka. Plagën e ka goxha të thellë. E kemi pastru varrën në QKUK. Vaksinat i ka marrë, por ana psikologjike, gjendja e tij është e rëndë. Ne disa here, si prind, i kemi ngritur shqetësimet tona për prezencën e qenve brenda hapësirave të çerdhes. Në disa raste u kemi thënë mësueseve që ka qen në oborr. Gjithmonë na kanë thënë se s’ka ndodhë me e kafshu dikë. Unë kam qenë në punë, në orën 15:00 më ka thirrë mësuesja, më ka thënë se djalin e ka gërvisht qeni”, tha nëna e 4-vjeçarit.

Ajo e ka shpjeguar, po ashtu, edhe momentin kur djali i saj u kafshua nga qeni.

“Në oborr ka dalë mësuesja e djalit tim, vetëm klasa e tij, në oborr ka qenë vetëm mësuesja me 16 fëmijë. Çka mundet me bo ajo me gjithë ata fëmijë? Djali im ka vrapu me dalë i pari jashtë. Fëmijët tjerë kanë qenë më prapa e ata kanë ikë më shpejt. E tmerrshme! Kur e kam pa ambulancën në oborr, e dija që është për fëmijën tim, nuk dija as çka me bo”, tha ajo.

Drejtoresha prindërve nuk ua hapi telefonin
E për gjithë situatën e krijuar në këtë çerdhe, prindërit ka orë që janë duke tentuar që ta marrin arsyetimin e institucionit për këtë rast, por thirrjet e tyre drejt drejtoreshës Indira Huruglica janë të dështuara.
“Nga çerdhja më kontaktuan sot në mëngjes, drejtoresha e shkollës as që e ka hapë telefonin, ne krejt prindërit e kemi thirrë. Përgjegjësja e çerdhes më tha që kanë ba sot ankesë në Komunë. Unë nuk kam shpirt me e ri-dërgu djalin aty, pa u përmirësu kjo situatë. Në këmbën e djathtë është i kafshuar”, sqaroi nëna e të miturit.

Nacionale ka tentuar të marrë edhe një përgjigje në Komunën e Prishtinës për këtë situatë, por drejtoresha e Arsimit nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Për rastin nuk kanë komentuar as në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës./Nacionale.com/