“Punësimet nuk ndalen”: Punëtorët e Postës në grevë nga nesër, ankohen për paga e kushte jo të mira - NACIONALE

“Punësimet nuk ndalen”: Punëtorët e Postës në grevë nga nesër, ankohen për paga e kushte jo të mira

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pushteti i ka kthyer ndërmarrjet publike si një arsye për t’u lavdëruar e krenuar nëpër debate publike. Megjithatë, situata po del se nuk është aq e mirë.

Punëtorët e Postës së Kosovës që nga dita e nesërme do të fillojnë me grevë.

Greva do të mbahet secilën ditë nga një orë, megjithatë Sindikata e Punëtorëve ka paralajmëruar radikalizim të masave.

Në vendimin që e ka siguruar Nacionale, Sindikata e Punëtorëve të Postës ka kërkuar rritje të pagave, përmirësim të kushteve të punës, pagesën e shujtës e sigurime shëndetësore.

Ata kanë theksuar se pavarësisht që kanë pasur mirëkuptim për gjendjen e rëndë të Postës, punësimet nga jashtë nuk janë ndalur.

“Niveli i ulët i pagave, kushtet jo të mira të punës, sigurimi shëndetësor, dhe shujta ditore janë disa nga kërkesat të cilat nuk mund të presin në pafundësi. Kërkesat e mësipërme nuk presin më edhe për faktin se përkundër krizës financiare, ndërmarrja jonë ka vazhduar me shpalljen e konkursve të reja të jashtme dhe ka bërë punësime të vazhdueshme. Ky zhvillim duket në shpërputhje me mirëkuptimin tonë që t’u jeper përgjigje kërkesave të sipërtheksuara”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Nacionale.

“Përkundër kërkesave tona të vazhdueshme, menaxhmenti i ndërmarrjes sonë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për realizimin e kërkesave të vazhdueshme të cilat i kemi adresuar sidomos për pozitat postier dhe për pagesat e kujdestarive për sportelistët dhe të gjitha kërkesat jetike”, thuhet më tutje.

Greva do të udhëhiqet nga këshilli grevist dhe do të mbahet që nga nesër, fillimisht një orë në ditë.

Por, si nisën ankesat?

Ankesat e punëtorëve të Postës nuk janë risi. Ata disa herë kanë dërguar Emaile në menaxhment me kërkesat e tyre, por të cilat duket se nuk janë përfillur.

Nacionale ka siguruar një Email e cila është dërguar me datën 14 mars dhe ku prezantohen kërkesat e punëtorëve.

“Kërkojmë rritje të menjëhershme të pagave për të gjithë postierët. Duke marrë parasysh situatën e rëndë ekonomike për shkak të rritjes së inflacionit dhe faktorëe të tjerë që kanë ndikuar në kualitetin e jetës. Kërkojmë rritjen e pagave për të gjithë punëtorët pa dallim duke u bazuaSr në shkallën e rritjes së inflacionit”, thuhet në këtë Email të dërguar nga Sindikata.

Sindikata ka pasur ankesa edhe për ristrukturimin që po bëhet në Postën e Kosvoës, dhe mënyrën se si po ndodh kjo reformë, dhe sidomos ndaj Komisionit të caktuar.

“Përveç kësaj, anëtarët e Komisionit përveç që nuk kanë asnjë përvojë për t’u marrë me këtë proces të rëndësishëm dhe sensitiv, njihen për sjellje arrogante ndaj punëtorëve dhe pjesëmarrës në shumë vendime që janë provuar si të paligjshme ose që janë në procese gjyqësore për shkak të shkeljes së të drejtave të punëtorëve”, thuhet në këtë Email.

Në këtë Email, Sindikata paralajmëronte masa të tjera nëse kërkesat nuk trajtohen, dhe kjo duket se ndodhi. Andaj që nga nesër, në Postën e Kosovës do të fillojë greva.

Lajme të ngjashme