Pse askush nuk shkon në pishinën e Gërmisë edhe pse është shumë më lirë?
Të martën nuk kishte shumë persona në pishinën e Germisë. Pishina e vetme publike në kryeqytet, ku qytetarët freskohen gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës, nuk ka ndryshuar aspak gjatë viteve të fundit. Krejt kjo, si pasojë e mungesës së investimeve.
Investimi kapital i fundit në pishinën e Gërmisë daton që nga viti 2015. Këtë, për gazetën Nacionale e konfirmoi kryeshefi i ndërmarrjes “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica.
Llapashtica tha se pa investime nga aksionari, pra komuna e Prishtinës, është e vështirë që të ketë kushte më të mira, se sa këto që janë tani.

“Mungesa e investimeve kapitale nga viti në vit e ka përcjellur pishinën e Gërmisë vazhdimisht. Investimi kapital i fundit në pishinën e Gërmisë daton nga viti 2015. Edhe pse nga stafi i pishinës asnjëherë nuk ka munguar përkushtimi për mirëmbajtje, por pa investime madhore nga aksionari (Komuna e Prishtinës) tepër vështirë të ketë kushte më të mira se këto që janë tani”, tha ai.
Llapashtica tutje shtoi se menaxhmenti i NPL “ Sport Marketing” për çdo vite ka kërkuar nga komuna që të ndajë mjete për investim në pishinë, por se të njëjtit nuk janë marrë me këto kërkesa.

“Menaxhmenti i NPL “Sport Marketing”, çdo vit ka kërkuar parreshtur nga Komuna që të ndaj mjete buxhetore për investime në pishinë, por këto kërkesa për fatin e keq kanë hasur në vesh të shurdhër. Tani me qeverisjen që ka ardhur kemi vrejtur se ka interesim për të përmirësuar kushtet në pishinën e Gërmisë, shpresojmë se për vitin e arshshëm do të ketë plan konkret për investime. Kurse sa i përket investimeve, nga të hyrat vetanake është e pamundur pasi që NPL “Sport Marketing”, ka të vetmin asetë pishinën dhe kjo sjell të hyra vetëm gjatë 2 muajve të sezonës verore,” tha ai.
Çmime tejet të ulëta
Hyrja në Pishinën e Gërmisë kushton 2 euro për të rritur, dhe 1 euro për personat nën moshën 13 vjeçare.
Këto çmimet, janë tejet të ulëta për të kaluar gjithë ditën pranë pishinës.

Pishina e Gërmisë është hapur më 12 qershor dhe zakonisht, operon gjatë muajve të verës, pra deri në fund të gushtit.
Kjo, njëherit është pishina e vetme publike në kryeqytet.

Në anën tjetër, vendi është mbushur me pishina private e të cilat kanë çmime disafish më të larta se sa Gërmia.
Ende nuk dihet nëse qeverisja komunale e Përparim Ramës do të ndërmarrë veprime konkrete për të përmirësuar gjendjen e kësaj pishine./Nacionale.com/