Prokuroria fillon hetimin për rrahjen e të moshuarës në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmerren masat e nevojshme ligjore ndaj personave që kanë kryer këtë vepër penale.
Sipas tyre, dy persona janë arrestuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi”.
“Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.
Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere. Rasti ka ndodhur në një shtëpi për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.
Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.
Ky rast e ka tronditur opinionin publik, me reagime nga të gjitha anët.
Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.
