Papunësia te të rinjtë u rrit me 5% në tremujorin e dytë të 2024-ës
Kosova vazhdon të përballet me sfida të tregut të punës, ndërsa shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit 2024 mbeti e pandryshuar, duke qëndruar në nivelin 10,7 për qind, e njëjtë me periudhën paraprake të vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe, numri i personave aktivë në tregun e punës shënoi një rënie, duke arritur në 461,675, që është 8,862 më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Po ashtu, numri i personave të punësuar shënoi ulje, duke rënë në 412,482, që përfaqëson 7,668 vende pune më pak se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Ndërkohë, numri i personave të papunësuar u zvogëlua me 1,193 individë, duke arritur në 49,194. Kjo rënie në numrin e të papunëve nuk ndikon në uljen e shkallës së papunësisë, për shkak se edhe pjesa e popullsisë aktive ka pësuar ulje.
Një trend shqetësues i evidentuar nga ASK është rritja e papunësisë tek të rinjtë (15-24 vjeç). Shkalla e papunësisë në këtë grupmoshë ka arritur në 21,2 për qind, duke shënuar një rritje prej 5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Dallimet gjinore
Burrat vazhdojnë të dominojnë tregun e punës me një shkallë punësimi prej 55,9 për qind, që është 2,8 për qind më e lartë se në vitin paraprak, ndërsa shkalla e punësimit për gratë ishte 20,8 për qind, me një rritje prej 1,2 për qind.
Përkundër rritjes së lehtë të punësimit të femrave, shkalla e joaktivitetit tek to mbetet shumë e lartë, duke arritur në 75 për qind, krahasuar me 39,1 për qind te meshkujt.
Sipas raportit vjetor të UNDP-së të vitit të kaluar, të anketuarit theksojnë se varfëria dhe papunësia mbeten problemet më të mëdha të vendit.
Të dhënat e anketës së majit 2024 treguan se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7). %) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.
Gratë madje e kanë renditur papunësinë si problemin numër një në vend, përpara varfërisë.
“Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë e kanë renditur papunësinë si çështjen më madhore kryesore (18%) dhe varfërinë (17.8%) si çështje madhore të dytë, krahasuar me burrat, të cilët varfërinë (15.3%) e kanë renditur si çështjen më madhore, ndërsa papunësinë (14.7%) si çështje madhore të dytë”, thuhet në publikimin e UNDP-së.