Papunësia në Kosovë mbetet dyshifrore, punësimi i grave ende i ulët - NACIONALE

Papunësia në Kosovë mbetet dyshifrore, punësimi i grave ende i ulët

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2022. Megjithëse ka shënuar një përmirësim të lehtë krahasuar me muajt e mëparshëm, situata mbetet e shqetësueshme për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, që vazhdon të qëndrojë në shifra dyshifrore.

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar një shkallë të lartë të papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës.

Ndërkohë, shifrat e punësimit në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësuese, me shifrat që tregojnë ende një shkallë të lartë të papunësisë dhe një pabarazi gjinore të theksuar.

Pak gra të punësuara

Krahasuar me shkallën e lartë të popullsisë në moshë pune, shkalla e punësimit, megjithëse ka pasur rritje të lehtë krahasuar me muajt e mëparshëm, mbetet e ulët. Tremujori i tretë i vitit 2022 ka regjistruar një shkallë të punësimit prej 34.7 për qind.

“Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2022 është 34.7%”, - thuhet në njoftim.

Gjinia gjithashtu paraqet një aspekt shqetësues në rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore.

Burrat prijnë sa i përket shkallës më të lartë të punësimit në krahasim me gratë, duke arritur në 50.8 për qind, ndërsa shifra për gratë është vetëm 19.1 për qind.

“Punësimi me i lartë është te meshkujt 50.8%, ndërsa punësimi te femrat është 19.1%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 58.5% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 45.5%”, - thuhet në publikim.

Papunësia tregon një rënie të lehtë

Shkalla e papunësisë në Kosovë shënoi rënie në 10.8 për qind në fund të tremujorit të tretë të vitit 2022, nga 11.1 për qind në tremujorin paraprak, sipas publikimit të Anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së.

Dallimi gjinor në shkallën e papunësisë është i dukshëm, me gratë që përballen me një shkallë të lartë papunësie në krahasim me burrat.

“Sipas tremujorit të tretë të AFP-së 2022 në Kosovë ka pasur 50 693 persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë, 29 390 nga të cilët ishin meshkuj dhe 21 303 femra (Tabela 2.1). Shkalla e papunësisë ishte 10.8 %, më e lartë ishte tek femrat me 15.5% se sa te meshkuj, 8.9%”, - thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndryshimi i shkallës së papunësisë në krahasim me tremujorin e mëparshëm (TM2-2022) tregon një rënie të lehtë prej 0.3 për qind.

Kjo ulje është më e theksuar te meshkujt, me një rënie prej 1.6 për qind, ndërkohë që tek gratë është 3.0 për qind.

“Krahasuar me tremujorin paraprak të AFP-së (TM2-2022) në Kosovë, kemi rënie të shkallës së papunësisë me 0.3 %, ku kjo rënie te meshkujt ishte me 1.6 %, përderisa te femrat kjo rënie ishte me 3.0 %”, - thuhet në njoftim.

Moszbatim i Ligjit të Punës

Pavarësisht shumë masave mbrojtëse që parasheh ligji i punës, punëdhënës të sektorit privat anashkalojnë kontratat formale dhe proceset e pagesave, duke zgjedhur të paguajnë punonjësit me para në dorë, gjë që mund të minojë më tej të drejtat e punëtorëve, thekson raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për "Klimën e Investimeve 2023"

Për më tepër, dallimi midis pushimeve nga puna dhe shkarkimit në Ligjin e Punës do të thotë se pagesa e largimit është e mandatuar vetëm për punëtorët e pushuar nga puna kur një përqindje e caktuar e punonjësve shkarkohen kolektivisht.

Kjo dispozitë potencialisht i lë punonjësit e tjerë të cenueshëm ndaj ndërprerjeve të papritura pa kompensim adekuat.

"Për shkak të informalitetit të përhapur dhe ritmit të ngadaltë të gjykatave, marrëveshjet joformale dhe verbale shpesh kanë më shumë rëndësi sesa marrëveshjet dhe kontratat formale. Punëdhënësit e sektorit privat shpesh bëjnë një praktikë të mos sigurojnë kontrata për punonjësit e tyre dhe t'i paguajnë ata me para në dorë. Në sektorin publik, punëdhënësit nganjëherë punësojnë punonjës si punëtorë me kontratë dhe i regjistrojnë në listën e rregullt të pagave kur të bëhet i disponueshëm buxheti për paga", - thuhet më në raport.

Raporti thekson më tej se sindikatat, edhe pse ligjërisht të pavarura, janë shpesh të lidhura ngushtë me partitë politike, duke shtuar kompleksitin e problemeve.

"Sindikatat janë të pavarura me ligj, por në praktikë, shumë prej tyre janë të lidhura ngushtë me partitë politike," - thuhet aty më tej.

Lajme të ngjashme