Një shqelm kundër racizmit: Belgin Jashari, futbollisti 15-vjeçar që po i mposht paragjykimet ndaj komunitetit ashkali
Shtëpia në Fushë Kosovë është vendi prej ku e nis rrugën çdo ditë.
Rruga edhe pse jo e gjatë, është e lodhshme. Jo për nga distanca, por për mendimet që e ndjekin pas.
Në këtë lagje ku ëndrrat e Belginit janë të mëdha, po aq të mëdha janë edhe paragjykimet.
E ato, futbollisti i Fushë Kosovës që i përket komuniteti ashkali, i ndjen edhe në fushën e lojës. Madje, së fundmi, edhe me sulm fizik.
Ai u sulmua fizikisht nga një prind i cili hyri në fushën e lojës. U godit me shqelm. Një shqelm që shoqëria kosovare duhet t’ia jap racizmit.
Ofendimet e sulmet raciste që i ka nga kundërshtarët thuajse çdo lojë, nuk e zmbrapsin Belgin Jasharin.
Ai aktualisht është golashënuesi më i mirë në Ligën e 15-vjeçarëve, dhe Fushë Kosova kryeson në tabelë.
Në mesin e shumë ëndrrave Belgini nga Fushë Kosova i ka, dy janë më kryesoret.
“Me i bo krenarë prindërit. Andërr e kam me lujt për Napolin, edhe kombëtaren e Kosovës”, thotë Belgini.
Sulmi fizik e ofendimet raciste nuk ia kanë lëkundur vendosmërinë Belginit, por më shumë babait të tij.
“Me ndodh edhe njëherë duhet me ndalë, qysh i doket atij me ia sulmu dikush fëmijën”, thotë babai i Belginit.
Por motivin kryesor Belgini dhe familja e tij e gjejnë tek stafi i klubit dhe trajnerët. Për ta, Belgin Jashari ka potencial të bëhet në mesin e më të mirëve në Evropë.
Ofendimet e sulmet që i ka nga kundërshtarët, Belgini i kalon me bashkëlojtarët si mbështetësit kryesorë.
Lidhja e tyre është e jashtëzakonshme. Shoqëri brenda dhe jashtë fushës.
Me gola fantastik, driblime e asistime, Belgin Jashari llogaritet në mesin e lojtarëve më perspektivë aktuakisht në grupmoshën e tij.
Rrugën që e ka nisur ai nuk e ka ndërmend ta ndalojë, pavarësisht racizmit që e ndjen çdo ditë...edhe në fushën e lojës.