Nesër protesta e radhës për çmimin e rrymës, paralajmërohet përshkallëzim i situatës
Grupi i protestuesve “Asnjë cent më shumë” nesër do ta organizojë protestën e radhës.
Ata madje, kanë paralajmëruar se do të përshkallëzohet situata.
“Nesër do të jetë protesta e radhës që do të fillojë nga ora 12:00. Zëri i qytetarëve është mirë të mos ndalet dhe është e rëndësishme që ta vazhdojmë aktivitetin bashkë. Prej këtij sheshi që ta shtyjnë përpara këtë proces dhe në momentin e parë që konstiuohet Kuvendi të thirret menjëherë Zyra e Rregullatorit për Energji në Komisionin për Energji dhe sa më parë ky vendim të pezullohet”, tha Besnik Shabiu, përfaqësues.
Ai tha se nëse edhe pas ditës së nesërme nuk ka reflektim “do të jemi të detyruar që protestat t’i masivizojmë dhe ky masivizim nënkupton edhe përshkallëzim”.
“Nëse do të ketë nevojë ne do të bllokojmë edhe rrugë edhe institucione në mënyrë që zëri të dëgjohet edhe më tutje. Qytetarët më shumë se kurrë e kanë të rëndësishme t’i përgjigjen protestës”.