Në Guardian del një shkrim ku lavdërohet Serbia: Vuçiqi veproi menjëherë për dy sulmet në masë, Amerika s’bëri asgjë për 200
Në gazetën prestigjioze britanike The Guardian është publikuar një shkrim në të cilin lavdërohet reagimi i Serbisë pas dy sulmeve në masë që ndodhën javën e kaluar e që lanë të vdekur 17 persona. Ndërkohë, kritikohet ShBA-ja për të njëjtën çështje.
Artikulli në fjalë i titulluar “Serbia veproi pas dy vrasjeve në masë – ShBA-ja s’ka bërë asgjë për 200 këtë vit” është shkruar nga Kris Brown.

Aty tregohet se çka ndodhi në Serbi, dhe çka bëri presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
“Nuk mori shumë kohë që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të ndërmerrte veprime të shpejta.” – shkruhet në artikull.
Aty tregohen edhe masat që ndërmori Vuçiqi për të parandaluar tragjeditë e reja.
“U deshën vetëm dy ditë, pas këtyre sulmeve tmerruese në masë, që Serbia të vepronte. Pse, edhe pas më shumë se 200 sulmeve në masë vetëm në 2023-n, ShBA-ja ka dështuar të bëjë veprime të tilla të shpejta, ose thjesht më shumë veprim?” – vazhdon tutje Brown.
Sipas tij, dallimi mes ShBA-ve dhe Serbisë në këtë aspekt është te ndikimi i madh politik i industrisë së armëve te vendi partner i Kosovës.
“Lobuesit e armëve duan që amerikanët të besojnë se nuk ka ndonjë ligj apo ndonjë ilaç te rregullat për dhunën nga armët,” – shkruhet tutje, duke u dënuar mosveprimi i ShBA-ve.
Kujtojmë se në Serbi ka pasur edhe protesta pas sulmeve në masë që ndodhën javën e kaluar, derisa pushteti është kritikuar që Serbia ndodhej mes shteteve të para në listën e armëve më të shumta për kokë banori.
