Gjendje e jashtëzakonshme e shpëtime si në filma - moti i ligë vërshon e përmbyt disa rajone të vendit - NACIONALE

Gjendje e jashtëzakonshme e shpëtime si në filma - moti i ligë vërshon e përmbyt disa rajone të vendit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

[Foto: Hilli Veliu]

Të reshurat e vazhdueshme të shiut në vend kanë përkeqësuar situatën në shumë qytete, ku përveç bllokimit të rrugëve e dëmeve të tjera, në rrezik është vënë edhe jeta e qytetarëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar për rajonet që janë përfshirë më shumë nga vërshimet, ndërsa ka bërë të ditur se janë angazhuar disa kompani për pastrim dhe largim të pengesave nga rrugët.

“Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut. Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga”,- ka njoftuar policia.

Gjithashtu është raportuar se si pasojë e të reshurave, nivel të shtuar të ujit ka pasur edhe në rrugët e Gjakovës, Ujëmirit të Klinës, në rajonin e Podujevës, Istog, në jug të Mitrovicës, Skënderaj e vende të tjera.

Nga Skënderaj ndërkaq, Nacionale ka siguruar pamje ekskluzive ku dy të moshuar rreth 60-vjeç, janë shpëtuar dhe janë nxjerr nga uji nga zyrtarët komunalë, derisa fatkeqësisht, kishin qenë të ngujuar për një kohë të gjatë.

Si pasojë e situatës me vërshime, kryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, ka konfirmuar se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

“Si rrjedhojë e reshjeve të panderprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë.” – ka njoftuar ai.

Më vërshime të mëdha është duke u përballur edhe Podujeva. Kreu i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi ka dhënë detaje rreth gjendjes në qytet, duke pohuar se ajo vazhdon të jetë e rënduar, sidomos në fshatin Pakashticë, fshat ky që është bllokuar në tërësi.

Bulliqi ka shtuar se sasia e tillë e ujërave që është raportuar të enjten te lumi Llap, nuk është parë që nga viti 1979, ndërsa ka njoftuar për evakuimin e dy familjeve.

Situatë e rënduar është raportuar edhe në rajonin e Dukagjinit. Nacionale gjatë ditës ka kontaktuar me Drejtorin e Shërbimeve Publike në Klinë, Qendrim Millaku, i cili ka thënë se lumi i qytetit ka dalë nga shtrati, duke dëmtuar disa biznese, shkaktuar vështirësi te banorët që jetojnë në ultësira e duke pamundësuar qarkullimin normal.

Nacionale veç kësaj siguroi edhe pamje nga lumi i qytetit.

Në anën tjetër, Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas vërshimeve të mëdha në vend, janë ngritur kapacitete reaguese me qëllim të përmirësimit të situatës.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. Autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.” – thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Ekzekutivi gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në lëvizje, pasi sipas Institutit Hidrometerologjik, të reshurat dhe përkeqësimi i motit do të vazhdojë edhe të premten.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova përballet me situata të ngjashme nga vërshimet. Rrreth katër muaj më parë, edhe Gjakova e Rahoveci ishin në situatë të rënduar, ndërsa ishte kërkuar edhe ndihma e FSK-së.

Në të dy qytetet, uji kishte depërtuar nëpër shtëpi, madje edhe në spitalin e qytetit në Gjakovë.

Autoritetet gjegjëse tashmë kanë publikuar edhe numrat respektivë, të cilët janë të hapur 24/7 për t'iu dalë në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë.

Qendra Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).

Gjithashtu mund të telefonojnë:

• Njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,

• Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,

• Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.

Lajme të ngjashme