Mjekët e QKUK-së këtë herë bëjnë mrekulli, ia shpëtojnë parakrahun e prerë keq 27-vjeçarit - NACIONALE

Mjekët e QKUK-së këtë herë bëjnë mrekulli, ia shpëtojnë parakrahun e prerë keq 27-vjeçarit

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Një histori suksesi si asnjëherë më parë ka ndodhur në njërën nga sallat e operacionit të Klinikës Emergjente të QKUK-së. Aty, para disa ditëve është kryer një operacion shumë i rrallë e shumë i ndjeshëm. Për herë të parë në Kosovë, mjekët vendës kanë arritur që t’ia shpëtojnë dorën një të riu 27-vjeçar i cili ishte lënduar keq në vendin e tij të punës. Pas 14 ditësh qëndrimi në QKUK, 27-vjeçari u lirua për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. Si ndodhi rasti?

Stafi mjekësor në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës ballafaqohen me shumë vështirësi. Mungesa e kushteve të punës, e infrastrukturës, mungesa e aparaturave, instrumenteve, e medikamenteve mjekësore, janë vetëm disa nga mangësitë e këtij institucioni shëndetësor. E krahas kësaj, ka edhe mjekë që nuk e kryejnë siç duhet punën e tyre. Ankesa për këtë gjë kemi marrë dhjetëra herë nga pacientët e i kemi raportuar.

Por jo gjithçka është zi në këtë institucion. E themi këtë, për shkak se mjekët e QKUK-së, para disa ditëve, thuajse të pamundurën e bënë të mundur.

Bëhet fjalë për realizimin e një operacioni shumë të rrallë e shumë të ndjeshëm.

Për herë të përë, në sallat operative të QKUK-së, mjekët kanë arritur që t’ia shpëtojnë parakrahun thuajse të prerë një 27-vjeçari, i cili ishte lënduar rëndë në vendin e tij të punës.

Për këtë operacion, hollësi dhanë vetë mjekët e QKUK-së që kanë marrë pjesë në ndërhyrje. Mjeku Lulzim Vokrri tregon për vështirësitë gjatë realizimit me sukses të këtij operimi.

“I nderuar dhe shumë i privilegjuar që të udhëheqja operimin dhe që së bashku me kontributin e të gjitha ekipeve nga Kirurgjia Vaskulare, Klinika e Ortopedisë, Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive, Neurokirurgjisë, anesteziologëve dhe pjesës tjetër të ekipit operativ, kemi kryer me sukses operimin tek një pacient i moshës 27 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që ushqejnë dorën me gjak), e që është rast i rrallë dhe i suksesshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”- ka shkruar dr. Vokrri.

E kur dikush punon mirë, edhe sukseset duhet atribuuar.

Ndërhyrja është kryer nga mjekët: Dr. Lulzim Vokrri dhe specializantja Marigona Haziri nga Kirurgjia Vaskulare; Dr. Gani Jashanica, Dr. Ermir Shabani dhe Dr. Naim Bajrami nga Ortopedia; Dr. Sanije Abazi dhe Dr. Masar Azemi nga Kirurgjia Plastike; Dr. Armend Kërveshi dhe Dr. Flamur Hasimi nga Neurokirurgjia; Dr. Nexhmije Jonuzi dhe Alban Gjobalaj nga Anesteziologjia.

E hollësi për gjithë rastin kanë dhënë edhe nga ShSKUK-ja.

Mjekët e kanë kryer operimin te një pacient i moshës 27-vjeçare, duke i realizuar dy bypasse (urëzime) në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që e ushqejnë dorën me gjak).

“Si graft për rekostrukcion të arterieve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të pacientit; (Vena saphena magna). Po ashtu, ekipa operative ishte përkujdesur për dy venat radiale dhe ulnare dhe kishte bërë hemostazë korrekte”, thuhet në njoftim.

Ekipi i orotopedëve e bëri fiksimin e të gjitha kockave të prera, ekipi i Kirurgjisë Plastike e ka bërë qepjen e muskujve dhe të tendinave, ndërsa ekipi i Neurokirurgjisë një pjesë të qepjes së nervave do ta bëjë pas 4 javëve.

Pas operacionit, janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik është kryer me sukses dhe se pacienti, pas 14 ditësh hospitalizimi, sot është liruar për në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme