Ministria këshilloi të bënim seks me më pak partnerë: Çka thonë ekspertët për Seksin dhe Linë e Majmunit? - NACIONALE

Ministria këshilloi të bënim seks me më pak partnerë: Çka thonë ekspertët për Seksin dhe Linë e Majmunit?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje, ministria e Shëndetësisë bëri bujë përmes një këshille për qytetarët. Ajo iu kërkonte që të reduktonin numrin e partnerëve seksualë për të shmangur “linë e majmunit”. Pra, nuk po thonin të bënin seks vetëm me një burrë ose grua, por që të kufizonin numrin e partnerëve seksualë. A ka Ministria të dhëna që tregojnë se kosovarët kanë nga 5-6 partnerë seksualë? Nëse jo, atëherë si qëndron problemi me seksin dhe linë e majmunit?

Kontaktet e shumta seksuale mund të ju vënë në rrezik të lartë për infektim me Linë e Majmunëve. E në mënyrë që të parandalohet infeksioni me këtë sëmundje, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) e ECDC po rekomandojnë në vazhdimësi që personat ta kufizojnë numrin e partnerëve seksualë por edhe marrëdhëniet seksuale në momentin që preken nga ky infeksion e deri në përfundimin e tij.

Këtë fakt po e mbështesin edhe infektologët kosovar.

Infektologu Hamdi Ramadani në një bisedë për Nacionalen ka dhënë arsyet shkencore që sipas tij duhet të ndiqen në mënyrë që të parandalohet infeksioni.

Ramadani ka theksuar se mundësia e përhapjes së këtij infeksioni është shumë më e madhe që të bartet përmes marrëdhënieve seksuale.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, çdokush që kontakton me personin e sëmurë, është shumë e mundshme që ta marrin Linë e Majmunëve. Andaj edhe duhet pasur shumë kujdes. Në këtë kuptim, masat mbrojtëse do të fokusoheshin me e ndale ekspozimin e të infektuarve me qytetarët e tjerë”, thotë Ramadani.

Ish drejtori i Klinikës Infektive jep edhe një tjetër argument interesant në një klasifikim interesant të njerëzve “që merren me shprehitë seksuale”, duke iu bërë thirrje që “ti ndalin këto shprehi”.

“Së dyti është mirë, që ky grup i qytetarëve që merren me shprehitë seksuale është mirë që ta dinë që mundësia e përhapjes në këtë aspekt është edhe më e mundshme. Do të ishte hap pozitiv që këta persona të marrin më shumë këshilla që t'i ndalin këto shprehi deri sa të jenë të infektuar me ‘Linë e Majmunëve”.

E nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Kosovë kanë dhënë disa këshilla se si qytetarët të mbrohen por edhe shprehitë që duhet t’i evitojnë në mënyrë që ta mënjanojnë infeksionin.

“Kontaktet e shumta dhe të shpeshta seksuale mund t’ju vënë në rrezik më të lartë për t’u infektuar nga lija e majmunit. Prezervativët mund të mos parandalojnë plotësisht infeksionin e lisë së majmunit. Lodrat e seksit duhet të mbahen të pastra dhe të mos ndahen me askënd”, janë vetëm disa nga këshillat që ECDC e OBSH kanë ndarë për qytetarët.

Tutje edhe nga OBSH rekomandojnë që personat e infektuar të bëjnë pushim nga akti sekaul gjatë periudhës së infektimit.

“Bëni një pushim nga akti seksual derisa simptomat tuaja të zhduken dhe krusta e fundit të ketë rënë”, thuhet në rekomandim.

Në Kosovë zyrtarisht nuk ekziston asnjë rast me Linë e Majmunit

Në Kosovë deri më tani nuk është paraqitur asnjë rast i konfirmuar me ‘Linë e Majmunit’.

Drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, Arben Vishaj, ka konfirmuar se në Klinikën ku ai udhëheq nuk është asnjë rast i dyshuar me këtë sëmundje.

Vishaj theksoi se Kosova nuk ka të regjistruar asnjë rast dhe nuk rrezikohet nga ardhja e diasporës.

“Në vendin tonë nuk kemi raste të regjistruara me linë e majmunëve. Nuk e mendoj që jemi të rrezikuar nga ardhja e diasporës dhe Kosova sikurse çdo pjesë e botës është në kontakt me vendet e Evropës”, tha Vishaj.

E në muajin qershor në vend u raportua për një rast të dyshimtë me Linë e Majmunëve. Personi i moshës mbi 60-vjeçare u trajtua në Infektiven e QKUK-së. Mosta me dyshimet se barte këtë virus u dërgua në Berlin. Por rezultatet nga atje u kthyen negative./GazetaNacionale/

Lajme të ngjashme