Dardafon: Ministria e Drejtësisë ndërhyri në mënyrë flagrante në sistemin e drejtësisë - NACIONALE

Dardafon: Ministria e Drejtësisë ndërhyri në mënyrë flagrante në sistemin e drejtësisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në emër të Dardafonit, dëshirojmë të shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë më të thellë lidhur me vendimin e fundit të Ministrisë së Drejtësisë për të suspenduar Përmbaruesin Privat, i cili ishte zgjedhur nga vetë Ministria për të trajtuar lëndën e Dardafonit. Kjo ndodh në një kohë kur gjykata ka konstatuar që ky përmbarues nuk ka bërë asnjë shkelje të procedurave apo ligjeve në fuqi.

Akti i suspendimit të përmbaruesit, i zgjedhur qëllimisht për të trajtuar një çështje delikate dhe të rëndësishme siç është lënda e Dardafonit, tregon jo vetëm një shkelje të qartë të parimeve të pavarësisë së institucioneve gjyqësore, por edhe një ndërhyrje politike të paprecedentë në vendimet gjyqësore dhe në funksionimin e institucioneve të pavarura.

Veprimi i Ministrisë së Drejtësisë, që vjen pas një periudhe të gjatë të moslejimit të ekzekutimit të lëndës së Dardafonit në arbitrazhin ndërkombëtar që nga viti 2016, ngre dyshime të rënda mbi përpjekjet e qeverisë për të ndërhyrë drejtpërdrejt në raste të caktuara të arbitrazhit ndërkombëtar, duke minuar kështu integritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Dardafoni kërkon që Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve qeveritare të tregohen transparente në veprimet e tyre dhe të ndalojnë çdo lloj ndërhyrjeje që cënon sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ne theksojmë nevojën urgjente për të respektuar vendimet gjyqësore dhe për të mbështetur funksionimin e paanshëm dhe të pavarur të institucioneve të drejtësisë, si shtylla kryesore e funksionimit të shtetit e së drejtës dhe sistemit të vlerave demokratike të cilat Republika e Kosovës është njohur dhe themeluar.

Dardafoni bën thirrje për rikthimin e menjëhershëm të përmbaruesit në detyrën e tij, për të mundësuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, si e drejtë e garantuar kushtetuese në kuadër të drejtës për gjykim të drejtë, për të gjithë qytetarët dhe subjektet në Republikën tonë.

Ne ritheksojmë gatishmërinë tonë për bashkëpunim me të gjitha instancat institucionale për të siguruar një zgjidhje të drejtë dhe të ligjshme për çështjen në fjalë, duke mbrojtur interesat e të gjithë përfshirëve me përkushtimin më të lartë ndaj parimeve të drejtësisë dhe transparencës.

Lajme të ngjashme