Ministri Latifi la ‘shëndetësinë’ në Kosovë, shkoi në Austri për t’i prezantuar punimet - NACIONALE

Ministri Latifi la ‘shëndetësinë’ në Kosovë, shkoi në Austri për t’i prezantuar punimet

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Shëndetësia në Kosovë për momentin është ‘pa zot shtëpie’. Kreu i këtij dikasteri, Rifat Latifi, ka vendosur të marrë pjesë në një kongres Botëror të Kirurgëve ku për çudi po prezantohen punimet e tij.

Në këtë kongres u prezantua punimi i Ministrit Latifi si një ndër punimet më të mira të kësaj fushe.

E se punimet e Latifit u prezantuan në këtë kongres u konfirmua nga vetë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

“Në sesionin për "Menaxhimin e Katastrofave”, u prezantua punimi i Ministrit Latifi, i zgjedhur si një nga tri punimet më të mira të publikuara në këtë fushë, ku flitet për konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Manaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Qendrave të Telemjekësisë. Ky punim i Ministrit Latifi, u vlerësua lart nga pjesëmarrësit e këtij Kongresi”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

"Në ditën e parë të Kongresit Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka marrë pjesë aktive në shumë sesione, në të cilat u prezantuan tri punimt më të mira, të publikuara në pesë vitet e fundit", sqarohet tutje.

E pas prezentimit të punimit të ministrit tonë, Latifi vendosi të flasë pak për prioritetet e tij si ministër i shëndetësisë në Kosovë.

“Në ditën e parë të Kongresit, Ministri Latifi ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit të vendeve të zhvilluara me vendet që kanë nevojë për studime shkencore, duke veçuar Republikën e Kosovës, si një vend që duhet përkrahur në këtë aspekt. Meqë Kosova sipas Ministrit Latifi është në vendin e gjashtë nga fundi i renditjes në mesin e vendeve të botës për punime shkencore të botuara në revista mjekësore, ai përmendi nevojën urgjente për bashkëpunim me vendet e zhvilluara me qëllim që të nxitet e të zhvillohet më shumë kjo lëmi në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

“Nga viti 1998-2019, 46% të punimeve të publikuara nga Kosova, ose nuk e kanë autorin e parë të punimit nga Kosova, ose nuk kanë fare autorë nga Kosova”, theksoi Ministri Latifi.

Latifi para pak më shumë se një muaji ka qenë në Austri . Atje qëndroi në Klinikën Universitare të Stomatologjisë.

A e di ministri i Shëndetësisë se çfarë ushqimi u servohet lehonave në QKUK?

Një lehonë e cila para pak ditëve ka sjellë në jetë një foshnjë në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, po ankohet për cilësinë e ushqimit që u servohet nënave aty.

Qytetarja Adelina Berisha përmes një statusi ka listuar menynë ushqimore që shërbehet në këtë klinikë.

Ajo ka shprehur shqetësimin për kualitetin e mungesën e vitaminave e mineraleve në këto shujta ushqimore.

“E pastaj nga këto lehona pritet të jenë të forta ta ushqejnë foshnjën me qumësht gjiri veçanërisht në rastet kur fëmijët janë në repartin e neonatologjisë për javë të tëra, apo fëmija është në kujdes intensiv e ka nevojë për qumësht sa më cilësor, të pajisur me proteina, vitamina, minerale, etj.”

“Me kushtet që ky vend u ofron lehonave, është çudi si ne gratë po vazhdojmë të lindim fëmijë. P.S. në burgje ushqimi është 100-fish më cilësor”, thuhet në reagimin e saj.

E lind pyetja se a e di ministri i shëndetësisë kosovare se me çka ushqehen këto të hospitalizuara në QKUK?

Por Latifi nuk besojmë t’i ketë parë kushtet në Klinikën e Gjinekologjisë.

Por, për një gjë, mjeku Rifat Latifi do të mbahet në mend. Për udhëtimet e tij të shpeshta. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme