"Mani se marre": Qysh ndodhi rrahja në Aeroportin e Prishtinës?
Shtatë persona janë shoqëruar në Polici, e dy të tjerë shkaku i lëndimeve janë përcjellur për në spital. Ky është bilanci që e njoftoi Policia tash për tash për një rrahje që ndodhi në Aeroportin e Prishtinës. Por, çka na thotë rrahja në vetëvete bazuar në pamjet dhe zërat që dëgjohen nga videoja?
Videoja në fjalë i përmban vetëm 36 sekonda, por të cilat janë të mbushura me aksion me më shumë se thjesht shtatë personazhe të përfshira.
Një person me një kuletë të varur për trupi i kërcen dy personave që ishin të kapur me njëri tjetrin. Ai më pas e mban për krahu dhe fyti njërin prej tyre, derisa prapa këtij të fundit i vjen edhe personi i dytë duke e shtyrë dhe duke u përpjekur që ta godiste.

Ata shihen duke folur diçka në mënyrë agresive por asgjë nga ajo që thuhet nuk është e kuptueshme.
Ky sherr duket se merr fund, përkohësisht.
Më pas vijnë dy persona tjerë duke vrapuar, njëri prej të cilëve në kërcim e sipër i mëshon personit me kuletë të varur për trupi.
Nga frika, xhiruesi largon kamerën tjetërkah dhe nuk mund të shihet se si përfundoi kjo pjesë.
Ndërkohë, në kornizat e kamerës futen dy persona tjerë, njëri me maicë të bardhë dhe me një xhaketë që e mbante gjithë kohës në dorë, ndërsa tjetri me një bluzë të çelët. Ata po rrahen me njëri-tjetrin duke u përpjekjur që të godasin njëri-tjetrin në fytyrë.

Por, në të njëjtën kohë po ndodh edhe një tjetër luftë mes tre personash, në të cilën sërish është i përfshirë personi me kuletë të varur për trupi.
“Policia, policia,” – bërtet një person duke dashur t’i trembte.
“Mani se marre,” – bërtet një tjetër.

Një person provon të ndajë çiftin e parë ndërluftues, derisa personi me maicë të bardhë dhe xhaketë në dorë pastaj vrapon në anën e kundërt për të goditur dikë tjetër. Ky i fundit mbrohet me këmbën të ngritur lart.
Paraprakisht, shohim një person tjetër që merr një karrige për të sulmuar personin me kuletë të varur për trupi, por e lë karrigen pas disa sekondash.
Nuk dihet se si, por më pas personi me xhaketë në dorë rrëzohet teposhtë derisa dëgjojmë klithmat e të paktën një gruaje dhe ngritjen e tij.
Edhe më tej nuk dihet se cilat ishin arsyet prapa kësaj rrahjeje, por videoja në fjalë është bërë mes videove më të komentuara të ditës.