Ligji bëhet përnjëmend llastik: Auditori gjen një ‘mal’ me shkelje në spitalet publike kosovare - NACIONALE

Ligji bëhet përnjëmend llastik: Auditori gjen një ‘mal’ me shkelje në spitalet publike kosovare

4 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Gjatë vitit 2021 në QKUK e spitalet rajonale pa respektuar procedurat ligjore u punësuan dhjetëra punonjës shëndetësorë. Bëhet fjalë për 52 specialistë e 30 specializant, si dhe dy teknikë për mbajtjen e kujdestarive.

Angazhimi i tyre ishte bërë në forma të ndryshme, varësisht nga spitalet rajonale, ku në disa spitale ishin aplikuar kontrata pune për kohë të caktuar me marrëveshje bashkëpunimi.

“Kjo ishte në kundërshtim me ligjin përkatës i cili specifikon që marrëveshjet për shërbimet e veçanta duhet të lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në gjetjet që Auditori i Përgjithshëm i ka bërë në SHSKUK për vitin 2121. Kjo punë u bë në kundërshtim me ligjin.

E vlera e këtyre 84 kontratave, arrinte shumën e 347 mijë e 702 euro.

Por në SHSKUK sipas Auditorit të Përgjithshëm ka pasur edhe mangësi të tjera.

Bëhet fjalë vonesën e fatura. Për këtë punë, janë evidentuar 12 raste kur faturat janë vonuar në vlerën e 2 milionë eurove.

Sipas Auditorit, vonesat për të njëjtat ishin nga tetë ditë deri në gjashtë muaj.

Në ShSKUK s’ka respekt as për orar të punës

Tutje, Auditori ka evidentuar edhe 15 raste ku personeli i ShSKUK-së nuk e ka respektuar vijueshmërinë në punë.

Sipas raportit vjetor ZKA ka raportuar se nga testimi i vijueshmërisë së stafit kanë vërejtur se në 15 raste nuk ka pasur dëshmi për vijueshmërinë e orarit të punës nga personeli në ShSKUK.

“Kjo për shkak që mungon një mekanizëm funksional i monitorimit të regjistrimit të plotë gjatë orarit të punës, përkundër faktit që sistemi elektronik i regjistrimit te vijueshmërisë është funksional”, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA raporton se mungesa e monitorimit të vijueshmërisë shkakton pagesa të pagave pa marrë shërbime. ZKA rekomandon që menaxherët e ShSKUK-së të sigurojnë orarin e punës ose në të kundërtën të ndërmarrin masa.

Në Auditor, shkelje po ashtu janë gjetur edhe në vazhdimin e kontratave të punës pa pasur konkurs publik.

Anëtarit të Bordit iu vazhdua kontrata pa konkurs publik

SHSKUK gjatë vitit 2018 kishte lidhur kontratë pune tri vjeçare me anëtarin e shtatë të Bordit Drejtues së ShSKUK-së saktësisht me drejtorin Financiar. Kontrata ishte lidhur me mundësi vazhdimi.

E njëjta kontratë kishte skaduar në korrikun e vitit 2121. Por Bordi i ri Drejtues i SHSKUK-së ia kishte vazhduar kontratën e punës së njëjtit edhe për tri vite të tjera. Kjo sipas këtij institucioni shëndetësor ishte bërë pas vlerësimit të performancës së punës.

E e gjithë kjo ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi i cili specifikon se mandati i anëtarëve të Bordit Drejtues zgjatë tri vite dhe i njëjti duhet të zgjidhet në bazë të konkursit publik.

“Vazhdimi i kontratës së punës duke mos respektuar kërkesat ligjore për të ju nënshtruar konkursit publik, rezulton me mungesë të konkurrencës dhe transparencës së procesit”, thuhet në njoftim.

ZKA shkelje po ashtu ka gjetur edhe tek procesi i pagave dhe mëditjeve.

Në këtë aspekt, Auditori ka hasur se QKUK në rastin e përzgjedhjes së Drejtoreshës së Pediatrisë kishte nënshkruar kontratë të punës me orar të plotë, përderisa në listën e pagave e njëjta paguhet si e punësuar me gjysmë orari (20 orë pune). E kjo punë, është në kundërshtim me kriterin përkatës në Statut që përcakton se drejtorët e Klinikave duhet të angazhohe me orar të plotë.

“Sipas QKUK-së, kjo kishte ndodhur si pasojë e angazhimit të drejtoreshës në procesin arsimor ku punën në universitet e kishte deklaruar si punë primare, ndërsa punën në QKUK e kishte deklaruar si pagë sekondare”, thuhet në raportin e ZKA-së.

E ky angazhim i këtij lloji rrezikon cilësinë e punë menaxheriale dhe mund të ndikojë në mos-arritjen e objektivave të organizatës./Nacionale.com./

Lajme të ngjashme