Liberalizimi i vizave në janar 2024, Pacollli: Kjo është e tepërt
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kritikuar BE-në për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli ka shkruar se pajtimi i vendeve të BE-së me propozimin që liberalizimi i vizave për kosovarët të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, është i tepërt.
Sipas tij, shtyrja kaq e madhe e këtij procesi, është turp për vendet e BE-së.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën vetëm në janar 2024 është e tepërt!! Pa asnjë respekt për qytetarët kosovarë, në mes të Evropës, qytetarë që vazhdojnë të mbahen të mbyllur, pa asnjë arsye. Gjithë kjo shtyrje e pritje për qejfin e dikujt që Kosovën as nuk e ka njohur si shtet të pavarur. Sinqerisht turp!! Tani mos të flasim për vlera demokratike. Qytetarët e Kosovës do të presin edhe një vit por çka do të ndryshon, çka do të jetë ndryshe pas një viti? Mendoj që nga fillimi është dashtë që Shqipëria të lëshon masovikisht pasaporta edhe për qytetarët tonë, atë që e ka bërë Rumania për Maldovinë”, ka shkruar Pacolli.