LDK-ja kërkon që të shkarkohen të gjithë personat përgjegjës që s`kanë ofruar mbrojtje për viktimën - NACIONALE

LDK-ja kërkon që të shkarkohen të gjithë personat përgjegjës që s`kanë ofruar mbrojtje për viktimën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku, ka kërkuar që të shkarkohen të gjithë personat përgjegjës bashkëfajtor që nuk i kanë ofruar mbrojtje Hamide Magashit, e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së nga ish-bashkëshorti i saj.

Gjatë një konference për media, ajo ka thënë se shteti ka dështuar t`i ofrojë mbrojtje viktimës.

Hamidja ka kërkuar ndihmën e shtetit dhe shteti ka dështuar që t’i ofrojë atë. Ajo shkoi në spital për të sjellë jetë, kurse në spitalin publik u shua edhe jeta e saj. Hamidja është viktimë e shumëfishtë e sistemit tonë. Është viktimë për faktin që dhunuesi i saj u la i lirë nga sistemi i drejtësisë. Është viktimë për faktin që urdhërmbojtja që iu caktua nga shteti jo vetëm që rezultoi joefektiv, por ia dëshmoi sa të paaftë jemi që t’i mbrojmë viktimat e dhunës. Është viktimë sepse shteti sot, në mungesë të pajisjeve elektronike për t’i përcjellë lëvizjet e dhunuesve, ende i kërkon viktimave që ta njoftojnë policinë, kur sulmuesit e tyre i afrohen 50 metra. Kur tashmë është shumë vonë. Kjo është e pakuptimtë. Është viktimë, përfundimisht, për faktin që iu shua jeta pikërisht në hapësirat e një institucioni publik, ku siguria do të duhej të ishte maksimale”, ka thënë ajo.

Me tej, ajo ka kërkuar masat që duhet të merren nga institucionet e Kosovës.

Si Lidhje Demokratike e Kosovës, urgjentisht kërkojmë që: Qeveria e Republikës së Kosovës t’i shkarkojë të gjithë personat përgjegjës bashkëfajtorë që nuk kanë ofruar mbrojtjen e viktimës; 2. Qeveria e Republikës së Kosovës të siguroj pajisjet elektronike për monitorimin e personave të ndaluar dhe atyre që kufizohen me urdhërmbrojtje. 3. Sistemi i Drejtësisë të reflektojë dhe veprojë urgjentisht për trajtimin me prioritet të të gjitha lëndëve që trajtojnë dhunën ndaj grave”, ka thënë Lushaku.

Lajme të ngjashme