Vazhdon servilosja ndaj pushtetit e profesor Latifit
Një tjetër profesor universitar ka treguar mungesën e empatisë për kolegët e tij të ciklit më të ulët, që paguhen ndjeshëm më ulët se ai vetë. Bëhet fjalë për Blerim Latifin, që me një status në Facebook goditi grevistët kosovarë përmes ‘momentin të paduhur’.
“Mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë paga më të larta, sepse kriza ekonomike me rritjen enorme të çmimeve e ka devalvuar shumë edhe pagën ekzistuese që e marrin. Dhe, qeveria nuk ka me pasë çare pa u marrë me këtë çështje,” - shkroi fillimisht z. Latifi.
Por, ai u shpreh se “momenti” nuk është i menduar siç duhet për shkak të mundësisë së trazirave në veri.
E gjithë kjo i shkon në favor pushtetit të Albin Kurtit, që sot në mënyrë të paprecedentë iu doli kundër sindikalistëve përmes një ndryshim-plotësimi të ligjit për greva që parashihte pezullim të pagave.
Latifi është profesor në universitetin publik ku paga bazë është rreth 1450 euro, por mund të shkojë zakonisht deri në 3500 sosh. Pagat e mësimdhënësve të ciklit fillor në anën tjetër, janë vetëm 421 euro e 20 centë.
Statusi i plotë:
Mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë paga më të larta, sepse kriza ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve, e ka devalvuar shumë edhe pagën ekzistuese që e marrin. Dhe qeveria nuk ka me pasë çare pa u marrë me këtë çështje.
Por momenti i zgjedhur për grevën më duket i pamenduar mirë, sepse fare lehtë mund të ndodhë që me 1 shtator në veri të ketë rezistencë të dhunshme nga bandat e Vuçiqit e agjentët e Putinit që nuk duan ta lejojnë shtrirjen e ligjit kosovar atje dhe njëkohësisht në pjesët tjera të vendit sistemi të zgjohet në mëngjes i paralizuar nga grevat.
Nëse kjo ndodhë, atëherë ne me një shembull të ri do ta pasurojmë listën e gjatë të budallallëqeve tona.
