Blerim Latifi: Serbia po shkakton tensione në veri shkaku i planit franko-gjerman
Analisti politik Blerim Latifi, ka dhënë një shpjegim të tijin për situatën në veri të vendit.
Latifi krejt dramën që po ndodhë ditëve të fundit, e ka lidhur me planin franko-gjerman. Sipas Latifit edhe Borrell, dje e bëri të qartë se krejt shtetet anëtare të BE-se e mbështetin planin, e se edhe ShBA është pas tij. Derisa Kurti, ka bërë të ditur se ky plan, është i pranueshëm për Kosovën, sipas Latifit, i njëjti nuk po pranohet në Beograd.
Prandaj, Vuçiq, po shkakton tensione në pjesën ku ka ndikim te njerëzit. Pra, në veri të vendit.
Tutje, Latifi ka numëruar edhe gabimet e Kurtit gjatë rrugës, sidomos moskoordinimin me partnerin kryesor, ShBA-të.
Postimi i plotë i Latifit:
E gjithë kjo dramë e Veriut lidhet me planin franko-gjerman. Dje Borrelli tha se 27 vendet e BE-së janë pajtuar me planin. Kosova ka dhënë shenja të qarta se pajtohet me të. Serbia, ndërkaq, duket se e ka refuzu. Që të shmangë presionin ndërkombëtar për shkak të refuzimit, Vuçiqi ka nxitur rebelimin e serbëve në veri dhe ka nisur propagandën për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Kjo është logjika e horrave në politikë: që të shmangin një problem, e krijojnë një tjetër; për t'i ikur një krize, e shpikin një krizë tjetër.
Në këtë kontekst Kosova thjesht po përpiqet të mbrojë atë që thuhet në ligjin e saj themelor, Kushtetutën e Republikës.
A ka bërë kryeministri Kurti gabime në këtë drejtim?
Po, disa. Parasegjithash duke i shpërfillur këshillat amerikane, duke besuar se mund t'ia dalë i vetëm në vendosjen e rendit në veri dhe duke këmbëngulur në pikëpamjen e tij të vjetër se shkaku i problemit të veriut gjendet në Prishtinë. Shpresojmë të ketë marrë mësimet e duhura nga këto gabime.
Ky është thelbi i krejt kësaj drame.Të tjerat janë kakofoni e transheve partiake dhe e platformave të mosdurimit personal.