Lajm pozitiv: Hapet fabrika e kërpudhave, më e madhja në Evropë
Një investim prej rreth 8.5 milionë euro i bërë nga kompania Mabetex, i ka punësuar rreth 60 vetë, e deri në fund të vitit pritet të punësohen edhe 100 të tjerë.
Derisa në nivele të larta politike dhe shoqërore vazhdojnë kacafytjet e stilit të gjelave, ku të gjithë flasin e askush nuk dëgjon, në nivele të tjera dikush po punon dhe po hap vende të punës. Gazeta Nacionale e ka përzgjedhur si lajmin pozitiv të këtij muaji hapjen e një fabrike në komunën e Lipjanit, një investim ky shumë-milionësh, ku do të punësohen shumë qytetarë të Kosovës, që në rrethana të tjera, në mungesë të shpresës, do të mund të kishin qenë pjesë e listës së gjatë të personave që presin për një vizë të punës në Gjermani.
Nacionale për këtë lajm mësoi, në një status të publikuar nga Valon Lluka, drejtor ekzekutiv në Mabetex Holding, i shoqëruar edhe me disa foto të një objekti që për nga estetika, arkitektura dhe ajo çfarë kishte brenda tyre, nuk ishte asgjë më pak sesa çdo fabrikë tjetër në Bashkim Evropian.
Po për çfarë bëhet fjalë?
“Edhe një investim i përmbyllur me sukses. Fabrika e re e kërpudhave, më e madhja në Evropë, tashmë ka filluar punë duke eksportuar 100% të prodhimit”, ka shkruar Lluka në Facebook, të shoqëruar këtë postim me shumë foto.
Pra, në vendin tonë është hapur fabrika më e madhe në Evropë për kërpudha. Nacionale e ka pyetur pastaj z. Lluka se sa është vlera e këtij investimi.
“Investimi në objekte dhe makineri e kap vlerën prej 8.5 milionë eurosh”, ka treguar ai.
Kosova vuan tash e shumë kohë për investime të jashtme, siç ndodhin, bie fjala në Serbi dhe Maqedoni, ku biznese të huaja, për shkak të kushteve të favorshme i investojnë milionat e tyre.
Në anën tjetër investimet e vetme janë ato të realizuara nga kapitali i bizneseve vendore, që nuk kanë vlerë më të vogël se, bie fjala, nëse do të ishin miliona euro të Audi-së, Mercedes-it, apo çfarëdo biznesi tjetër. Tek e fundit janë para që i punojnë qindra banorë të papunë të Kosovës.
Kush është investitori?
“Është Mabetex Group”, thotë Lluka.
Në politikë Behgjet Pacolli i kishte fllip-fllop’at e tij. Jo të gjithë banorët e Kosovës janë ndarë të kënaqur me punën e tij, mirëpo në ekonomi, Pacolli është Liga e Parë. Ai është shqiptari më i pasur, kurse kapitali i tij është marramendës. Investimet e tij shtrihen prej Shqipërisë, Zvicrës, Kazakistanit, Kinës, Hong Kong-ut, e shumë e shumë vendeve të tjera.
Tash së fundmi qeveria e Shqipërisë i ka hapur rrugë kompanisë Mabetex që të fillojë punimet për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë, që pritet ta bëjë jugun e Shqipërisë një destinacion atraktiv për miliona turistë.
Në këtë investim të fundit, a ka ndihmuar qeveria?
“Jo, ky është investim vetanak, pa kurrfarë mbështetje. Komuna e Lipjanit na e ka dhanë tokën me qira për 99 vjet”, ka treguar Valon Lluka.
Behgjet Pacolli, ditë më parë, i ka reaguar qeverisë kur kjo e fundit kishte vendosur t’i ndante 100 milionë euro ndihma. Biznesmeni kishte thënë që me këto 100 milionë euro do të mund të hapeshin qindra vende të punës.
Sa vende të punës janë hapur në këtë fabrikë, me këtë investim prej 6.8 milionë eurosh?
“Punën e kanë filluar 58 vetë, kurse deri në fund të vitit aty do të punojnë 160 vetë”, thotë Lluka.
Ta bëjmë tash një kalkulim të thjeshtë, se sa vetë do të mund të punësoheshin me 100 milionë euro të ndara nga qeveria, po të përdoreshin ato për të hapur ndonjë fabrikë, duke bashkëpunuar me bizneset private.
Nëse me 6.8 milionë euro mund të hapen 160 vende të punës, po i bie që me 68 milionë euro do të mund të hapeshin 1600 vende të punës, që do të thotë, me 100 milionë euro do të mund të hapeshin mbi 2000 vende të punës. Tash, nëse këtyre 100 milionë eurove të qeverisë do t’i bashkoheshin edhe 100 milionë euro kapital privat dhe 100 milionë euro kredi nga banka, tash po flasim për rreth 10 mijë vetë të punësuar. Hmmm. Si duket askush në qeveri nuk e ka menduar kështu, sepse frikësohen nga bizneset, ose i konsiderojnë rivalë në ekonomi. Një qasje e tillë në kapitalizëm është gabim klasik.
Por, le të kthehemi tash edhe pak të Valoni.
1. Ku do t’i shisni kërpudhat?
“Të gjitha do t’i shesim në Bashkim Evropian dhe SHBA”, thotë ai.
Ndonëse me rol zero në këtë investim, askush mos të befasohet që një ditë në Kuvend dikush do të dalë në foltore në Kuvend, ose do të flasë në studio televizive, për suksese të qeverisë në fushën e ekonomisë.
2. Kush është investitori?
"Mabetex Group."
- A ka ndonjë benficion nga qeveria?
"Nga Qeveria nuk kemi pasur asnjë përkrahje apo benificion."
- Sa është numri i punëtoreve, dhe cilat janë ambiciet?
"Momentalisht janë të punësuar 58 punëtorë dhe për periudhën deri në fund të vitit do të arrijë numri prej 160 vetëve."
- Cilat janë tregjet ku shiten kërpudhat?
"Evropë dhe Mbretëri e Bashkuar."