Kryetari i Vitisë shpalli ditë zie për vajzën e vrarë në Graz, MPJD thotë se ‘ka informacione jozyrtare’ - NACIONALE

Kryetari i Vitisë shpalli ditë zie për vajzën e vrarë në Graz, MPJD thotë se ‘ka informacione jozyrtare’

5 ditë më parë

nga NACIONALE

11 të vrarë, përfshirë të dyshuarin, ishte epilogu i një tragjedie që ndodhi në një shkollë në Graz të Austrisë.

Në mesin e të vrarëve, është edhe L.B me prejardhje nga Kosova, më saktë nga komuna e Vitisë.

Lajmin për vrasjen e saj në këtë tragjedi, e konfirmuan edhe familjarët, por edhe komuna e Vitisë.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, njoftoi për një ditë zie në komunë pas tragjedisë.

“Kjo ngjarje e rëndë na ka prekur të gjithëve thellësisht. Humbja e një jete të re, me ëndrra dhe shpresë për të ardhmen, është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vitisë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella. Jemi me ju në këtë moment të vështirë dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe. Kujtimi i saj do të mbetet gjithmonë i gjallë ndër ne Poashtu i shpreh ngushëllime edhe mikes time,kryetares së Grazit Elke Kahr Në emër të Komunës së Vitisë dhe të qytetarëve tanë, ju shpreh ngushëllimet tona të thella për ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin tuaj, ku për fat të keq humbi jetën edhe një vajzë e re nga komuna jonë së bashku edhe me 9 fëmijë të tjerë”, ka shkruar Sokol Haliti në rrjete sociale.

Megjithatë, të informuar për këtë rast, zyrtarisht, po del se nuk janë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.

Në një komunikatë për media, ata i janë referuar vetëm informacioneve jozyrtare, pavarësisht se edhe familja edhe komuna e Vitisë konfirmuan rastin.

“Nga të dhënat e deritanishme të konfirmuara nga Policia Austriake, në mesin e viktimave gjendet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, viktimat e tjera janë shtetas austriakë, ndërsa shtetas nga Kosova, nuk ka as në mesin e të plagosurve. Nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010. Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve”, ka shkruar MPJD.

Si rezultat, sot në komunën e Vitisë është ditë zie.

Lajmin për vrasjen e të miturës me prejardhje nga Kosova e konfirmoi edhe familja e saj.

“Me zemër të thyer dhe me dhimbje të madhe njoftojmë familjarët, miqtë dhe të afërmit se mbesa jonë, Lea Ilir Bajrami, humbi jetën tragjikisht në sulmin e ndodhur në Graz të Austrisë. Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim falënderime për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë në këto çaste të vështira”, thuhet në njoftimin e familjes.

Lajme të ngjashme