Krasniqi: Krimet e komunizmit kanë përgatitur edhe ambientin për gjenocid
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka bërë me dije se krimet e komunizmit e kanë përgatitur edhe ambientin për gjenocidin e viteve 1998/1999.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pa dënimin e krimeve të komunizmit, pajtimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve është i parealizueshëm.
Postimi i plotë i Kraniqit:
Krimet e komunizmit e kanë përgatitur edhe ambientin për gjenocidin e viteve 1998/1999
Nga ky aspekt shoqëria jonë, para se të fokusohet në një proces pajtimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve, për armiqësitë e luftës së fundit (1998/1999) duhet ta lëvizë përpara procesin e pajtimit për periudhën e komunizmit. Pa u kryer procesi i dënimit të krimeve të komunizmit dhe rehabilitimi i viktimave të tij, pajtimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve pas luftës së fundit (1998/1999) është i parealizueshëm, sepse krimet e komunizmit e kanë përgatitur edhe ambientin për gjenocidin e viteve 1998/1999. Me dënimin e krimeve të komunizmit, i cili filloi me gjenocid kundër shqiptarëve (1945) dhe përfundoi me gjenocid (1998/1999) lehtësohet edhe procesi i pajtimit ndëretnik, sepse një pjesë e kriminelëve e marrin dënimin në këtë proces, gjë që mund ta lehtësojë pastaj procesin e pajtimit shqiptaro-serb.