Kosovarit me pagë minimale i duhen 506 vjet kursime që të bëjë para në banka sa Vela i Presidencës - NACIONALE

Kosovarit me pagë minimale i duhen 506 vjet kursime që të bëjë para në banka sa Vela i Presidencës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela, njihet për retorikën e tij agresive ndaj medieve. Sidoqoftë, njihet edhe për paratë e gatshme në banka. Sa do t’i duheshin një punëtori me pagë minimale për të bërë para sa ai?

Deklarimet e Pasurisë nga politikanët tanë nuk reshtin së na befasuari çdo motmot. Kështu ndodhi edhe sivjet, më 2023. Shpërputhja e madhe mes pasurisë së politikanëve dhe pasurisë së qytetarëve mund të rrezikojë edhe cilësinë e përfaqësimit, siç kishte thënë dikur si opozitar kryeministri Albin Kurti.

Por, një kontrast i thellë na del mes shefit të stafit të Presidentes Osmani, Blerim Velës, dhe një punëtori që merr pagë minimale prej 250 eurove.

Po injorojmë për momentin faktin se në Kosovë paga minimale vazhdon të jetë 170 euro për personat mbi moshën 30 vjeçare dhe 130 për ata nën atë moshë. Le ta marrim të mirëqenë se Projektligji i Pagës Minimale do të kalojë shpejt në Kuvendin e Kosovës.

304 mijë e 140 euro

Siç është thënë nga deputetë të pushtetit, rreth 100 mijë punëtorë kosovarë paguhen aq sa është paga minimale.

Nëse këta punëtorë me 250 euro të ardhura për muaj do ta ndjeknin rregullin 50-30-20 (që përcakton se të ardhurat ndahen në tri kategori: 50% e shumës për nevoja, 30% për dëshira dhe 20% për kursime) atëherë do të nënkuptonte që të kursenin nga 50 euro në muaj.

Blerim Vela si para të gatshme në banka ka deklaruar 304 mijë e 199 euro (168 mijë prej të cilave janë në dollarë, por të cilat i këmbyem me kursin e sotëm).

Me një përllogaritje të thjeshtë, na del se një punëtori kosovar do t’i duheshin 506 vjet që të bënte para në banka sa Blerim Vela i Presidencës nëse do të paguhej gjithnjë me 250 euro në muaj.

50 euro në muaj kursime nënkupton se punëtori do t’i kursente 600 euro në vit, 6000 euro në dhjetë vjet, 60000 euro në 100 vjet dhe 304 mijë e 199 euro për 506.9 vjet.

Pra, punëtori kosovar me pagën minimale që pritet të miratohet do të kishte aq para të gatshme në banka sa ka Blerim Vela diku në dimrin e vitit 2530, pra në muajt e parë të atij viti.

Vlen të theksohet që z. Vela gati gjithë pasurinë e tij në banka e ka siguruar me anë të kursimeve nga të ardhurat.

268 mijë e 931 janë në emër të tij, pa numëruar fare bashkëshorten apo kursimet që ka ruajtur për fëmijët.

Lajme të ngjashme