Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Të dyshuarit të dalin para drejtësisë, të mbrohet gazetari Burim Pacolli
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli
Në një komunikatë për media, Komiteti ka bërë thirrje që personat e përfshirë në sulm të dalin para drejtësisë. Po ashtu, është bërë thirrje që të merren masa që të mbrohet gazetari Pacolli dhe familja e tij, pas kërcënimeve të vazhdueshme.
“Prita e dhunshme në rrugë ndaj gazetarit Burim Pacolli, si hakmarrje për një recension muzikor, dërgon një mesazh frikësues për gazetarët kulturorë në Kosovë,” tha Attila Mong, përfaqësues i CPJ për Evropën.
“Ne mirëpresim arrestimet e shpejta nga autoritetet e Kosovës dhe hapjen e një hetimi. Tani ata duhet të sigurojnë përgjegjësi të plotë për të gjithë të përfshirët. Autoritetet duhet ta bëjnë të qartë se një dhunë e tillë nuk tolerohet dhe të garantojnë mbrojtjen e Pacollit dhe familjes së tij, në mënyrë që ai të mund të vazhdojë punën pa frikë.”
Më 2 mars, një person i identifikuar në mediat lokale si reperi kosovar Gramos Krasniqi, i njohur me emrin artistik “Mossi”, iu afrua Pacollit në rrugë teksa ai po largohej nga një bankomat në Prishtinë.
Pacolli i tha CPJ se, pas fyerjeve verbale, Krasniqi e goditi me grusht në fytyrë dhe, kur ai u përpoq të largohej, reperi dhe tre ose katër persona të tjerë e ndoqën, e rrethuan, e rrëzuan në tokë dhe e goditën vazhdimisht me shqelma para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes, ndërsa kalimtarët njoftuan policinë.
Pas sulmit, më 4 mars, Krasniqi e kërcënoi më tej gazetarin në rrjetet sociale, duke thënë se dëshiron “mish dhe gjak”. Pacolli i tha CPJ se vazhdon të marrë kërcënime online dhe se ka frikë për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.
Në një deklaratë me email për CPJ, Prokuroria e Prishtinës tha se ka nisur një hetim, ka ndaluar tre persona në lidhje me sulmin dhe ka kërkuar nga gjykata që ndaj tyre të vendoset masa e paraburgimit.