KEDS e quan tendencioz raportimin e Nacionales për shtyllën elektrike në Ferizaj - NACIONALE

KEDS e quan tendencioz raportimin e Nacionales për shtyllën elektrike në Ferizaj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

KEDS ka reaguar pas një video-raportimi të gazetarit të Nacionales Burim Pacolli për një shtyllë elektrike të vendosur në një rrugë në Ferizaj.

Kjo kompani pretendon se gazetari ka keqinterpretuar përgjigjet e zëdhënësit të kompanisë dhe se nuk ka pasqyruar si duhet situatën në fjalë.

Për të parë videon në fjalë ju ftojmë të klikoni KËTU.

Ndërkohë më poshtë e keni të paedituar reagimin e KEDS-it:

E nderuar redaksi e gazetës “Nacionale”,

Përmes kësaj shkrese, kompania KEDS reagon ndaj gazetës “Nacionale” për mënyrën e interpretimit të përgjigjes së KEDS-it dhënë gazetarit Burim Pacolli lidhur me një shtyllë të betonit në rreth-rrotullimin në rrugën “Brahim Ademi”, në Ferizaj.

Burim Pacolli, gazetar i “Nacionales”, ka telefonuar dje Zëdhënësin e KEDS-it, z. Lulzim Krasniqi, dhe pa lejen a dijeninë e tij e ka incizuar bisedën. Për më tepër, ai këtë bisedë, e cila nuk ishte përmbajtjesore, por vetëm konsultative, e bën pjesë të stories.

Ky veprim i gazetarit është shumë jo profesional, gjë që na bën të konsiderojmë bashkëpunimin e mëtutjeshëm të KEDS-it me median tuaj, deri të sigurohemi që qasja juaj do të jetë profesionale.

Me të marrë informatat se për çka bëhet fjalë, si Departament për Marrëdhënie me Publikun, kemi përgatitur një përgjigje të detajuar, sipas kërkesës me shkrim të gazetarit Pacolli, në dakordim me Zëdhënësin Krasniqi, e cila përfshinte informacionin e nevojshëm rreth kësaj shtylle.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, gazetari Pacolli e ka përdorur vetëm një fragment të fundit të kësaj përgjigjeje me shkrim në storien e tij në formë të “screen shot”, ku nuk kuptohet nga shikuesit asnjë detaj i përgjigjes, gjë që e lë përgjigjen jashtë kontekstit të plotë dhe e deformon atë në mënyrë joprofesionale përpara opinionit publik. Përgjigjja ishte me shkrim dhe ajo duhet të lexohet, siç veprojnë të gjitha mediat që kanë për qëllim informimin e drejtë dhe të paanshëm të publikut. Asnjë rresht i përgjigjes nuk ishte jashtë kontekstit të temës, prandaj mos transmetimi i përgjigjes vetëm sa e rritë qëllimin e tendencës për dezinformim.

Gazetari në vazhdimësi tregohet tendencioz dhe e fabrikon informatën sipas dëshirës së tij e jo sipas realitetit. I numëron këmbët dhe i quan hapa. Pastaj, një kalimtar rasti pyetet nga ai pse KEDS-i e ka vendosë shtyllën aty. Ai i tregon që shtylla ishte e vendosur shumë kohë më parë dhe që rreth-rrotullimi nuk ka qenë dhe është ndërtuar së fundi. Njëjtë i kishte treguar edhe KEDS-i z. Pacolli. Por, vazhdon t’i pyesë sërish kalimtarët: Pse e ka vendosë arkitekti-inxhinieri shtyllën në rreth-rrotullim?

Z. Pacolli e dinte që shtylla ka qenë aty, por e dezinformon opinionin qëllimisht.

KEDS-i kërkon që kjo dezinformatë të korrigjohet menjëherë për të shmangur keqinterpretimin e informacionit dhe ndikimin e padëshiruar të tij në opinion publik të Kosovës.

KEDS-i shpreson se gazeta “Nacionale” do të marrë në konsideratë këtë kërkesë, të botojë të plotë përgjigjen e KEDS-it dhe këtë reagim, si dhe do të veprojë në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë.

Kjo është mënyra e vetme e vazhdimit të bashkëpunimit, pasi KEDS-i nuk bashkëpunon me asnjë media që nuk i përmbahet këtyre standardeve dhe informimit të drejtë të publikut.

Lajme të ngjashme