Kaosi në tregun e çmimeve të barnave në Kosovë po vazhdon - NACIONALE

Kaosi në tregun e çmimeve të barnave në Kosovë po vazhdon

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në Kosovë nuk ka unifikim të tregut sa u përket ilaçeve farmaceutike. Në pak barnatore mund ta gjesh një ilaç me çmimin e njëjtë. Shembull, medikamenti ‘Aspirina’ në kryeqytet dallon nga barnatorja në barnatore.

Në njërën nga barnatoret Prishtinës, ‘Aspirina’ kushton 1. 80 euro. Por, jo shumë larg saj, ky medikament kushton 2.2 euro. E në disa të tjera, çmimi i këtij ilaçi që përdoret shumë nga kosovarët shkonte deri në 2 euro.

Qytetarja Besa Maloku, mëngjesin e së enjtes, kishte vizituar disa barnatore të Prishtinës. Ajo qëllim kryesor e kishte ta gjente një ilaç, që një pediatër ia kishte përshkruar asaj për vajzën disamuajshe.

“Kërkova shumë. Në disa s’e gjeta këtë ‘Gentamicinin’. Te kjo barnatorja këtu e gjeta, 6 euro e 40 cent kushtoi”, tha ajo, duke pohuar se të njëjtin para disa muajsh e kishte gjetur lehtësisht për më pak se 5 euro në barnatore.

Çmimin e këtij ilaçi e të të gjitha produkteve tjera farmaceutike në Kosovë e caktojnë vetë barnatoret. Për unifikimin e tyre në treg ende nuk ka ndonjë mekanizëm.

E nuk pritet që të ketë së paku edhe për disa muaj.

Për këtë punë, Grupi Punues për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale i Ministrisë së Shëndetësisë, me përfaqësim nga institucione te ndryshme shëndetësore dhe odat e profesionistëve shëndetësorë​, ka hartuar një projektligj që i përcakton çmimet e produkteve medicinale për shitësit me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhanë detaje për gazetën Nacionale sa i përket këtij projektligji.

Sipas tyre, në hartimin e këtij projektligji me komente kanë kontribuar edhe ekspertë të jashtëm.

“Ky ligj do të dërgohet në Qeveri për miratim pas përfundimit të fazës së konsultimeve publike, dhe pas miratimit në Qeveri kalon në Kuvend. Parashihet të zbatohet për qarkulluesit me pakicë dhe shumicë të produkteve medicinale, përfaqësuesit e mbajtësit e autorizimit për marketing, mbajtësit e autorizimit për marketing dhe institucionet publike. MSh pret që ligji të miratohet sivjet dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit të tij”, është thënë në përgjigjen e MSh-së dhënë gazetës Nacionale.

Ndërkohë, çmimet e produkteve medicinale, sipas projektligjit, do të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve referente të jashtme, ndërsa i ngarkuar për ta bërë këtë do të jetë Komisioni për çmime të produkteve medicinale, që do të këtë një përfaqësim nga MSH, AKPPM, Oda e Farmacistëve, Fondi i Sigurimeve dhe anëtarë vëzhgues nga shoqëria civile.

Pikërisht për këtë punë, për çmimet e larta të produkteve, ditë më parë është publikuar edhe një raport nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në të gjeturat e tij, vihet në pah se si Ministria e Shëndetësisë ka paguar rreth 280 për qind më shtrenjtë produktin ‘Paracetamol 1 gr’ për injeksion, në krahasim me vlerën në tregun me pakicë.

Sipas raportit, ky produkt në tregun me pakicë shitet për rreth 1.00 euro për njësi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka paguar 3.80 euro.

LV-ja nuk e përkrahu miratimin e projektligjit

Çështja e unifikimit të çmimit të barnave gjatë muajit korrik është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi Partia Demokratike e Kosovës kishte prezantuar para deputetëve miratimin e Projektligjit për rregullimin e çmimit të barnave. Projektligji ishte përkrahur edhe nga LDK-ja dhe AAK-ja, por jo nga partia në pushtet, LV-ja.

Inicuesja e këtij projektligji, Floretë Zejnullahu, kishte fajësuar drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e këtij dokumenti.

Sipas saj, ishte kërkuar që projektligji të votohet që nga marsi i këtij viti, ndërsa në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është diskutuar katër muaj më vonë.

“Në mungesë të ligjit për çmimin e barnave qytetarët për vite me radhë janë dëmtuar duke paguar produkte shumë më të shtrejta se vlera e tyre e tregut në baza vjetore. Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore, ndërsa qytetarët janë dëmtuar duke blerë mbi 10 milionë euro për barna më shumë se sa qytetarët e shteteve të rajonit”, ishte shprehur ajo javë më parë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin theksuar se Ministria e Shëndetësisë e posedon një projektligj për këtë fushë, prandaj duhet të pritet muaji shtator kur do të vijë në rend të ditës për miratim.

Edhe nga Oda e Farmacistëve në vazhdimësi kanë kërkuar që të unifikohen çmimet e barnave nëpër barnatore në mënyrë që sipas tyre, farmacistëve t’u kthehet dinjiteti.

Kujtojmë se përmes këtij projektligji për rregullimin e çmimeve medicinale do të rregullohen të gjitha çmimet e produkteve medicinale në të gjitha barnatoret. Çmimet do të jenë të njëjta në barnatoret farmaceutike. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme