“Jemi mësuar që 23 vjet” – Rrëfimet e banorëve të veriut për shpërthimet dhe tensionet në veri
Fevzi Beqiri, për dekada të tëra jeton në “Lagjen e Boshnjakëve” në veriun e Kosovës. Jeta në këtë pjesë të vendit, ka bërë që Beqiri dhe banorët e tjerë të kësaj ane, të mësohen edhe me tensione. Madje, Beqiri thotë se situate të tilla tashmë janë kthyer në rutinë.
“Ne jemi mësuar që 23 vjet, beso, na u ka bërë rutinë kjo. Nuk është hera e parë me këto zhvillime që bëhen nga serbët”, deklaron Fevzqi për gazetën Nacionale.
Fevzi Beqiri më tutje ka treguar se situate mbrëmë ka qenë pak më e tensionuar. Edhe lëvizje nëpër qytet ka pasur më pak.
“Sot nuk është parë diçka që me u raportu. Dje ka qenë te Tre Rrokaqiejt, por na jemi në fund të lagjes. Kujdesi ka qenë më i madh ditën e djeshme, duke e ditur çka po ndodhë, sepse këta janë të paparashikuar”, deklaroi Beqiri më tutje për Nacionalen.
Ai bëri të ditur se në Lagjen e Boshnjakëve nuk ka pasur ndonjë familje që është larguar për shkak të zhvillimeve të fundit.

“Në lagjen teme nuk kam informacione që dikush është larguar, për tjera lagje nuk e di. Apeli im do të ishte që shteti i Kosovës aty ku jetojnë banorët shqiptarë, me qenë siguria më e madhe, me pas policë më shumë në pika ku janë shqiptarë sepse këtyre nuk iu besohet”, përfundoi Beqiri.
Banorë tjerë të veriut, deklaruan për Nacionalen në kushte anonimiteti se situata ka nisur të tensionohet për disa ditë me radhë.
“Qe 3-4 netë, nëpër rrugica qëndrojnë njerëz të komunitetit serbë, kah 3-4 persona minimum (mbrëmë ose parmbrëmë keni mujt me e pa videon e tre rrokaqiejve). Sot ku KQZ vendosi me polici me shku nëpër zyrës e tyre dhe me ushtru detyrën, nuk ka pasë gjasa me u afru afër zyrës, për shkak që tërë kohën, në një distancë jo të largët prej zyrës, kanë qendruar persona të komunitetit serbë, të gatshëm mos me leju kërkon me hy.” – ka thënë qytetari.
“Ka pasur edhe të shtëna të kohë pas kohshme të armëve, të cilat po vazhdojnë edhe në këtë moment. Siguri nuk ka. Polici pothuajse hiç. Sidomos në pjesën e tre rrokaqiejve, përveç një veture të Carabinierve që patrollojnë, tjerë nuk ka. Sa për Eulex, në rast eskalimi të situatës, janë të parët që ikin.” – tha ai.
Tensione pati në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok. Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’i dërgojë komisionerët në komisionet komunale zgjedhore. Si pasojë, pati edhe të shtëna armësh e detonime të fuqishme për disa herë me radhë.
Vëmendja tek zgjedhjet
Në anën tjetër, zv/kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se nuk dëshiron të krijojë panik, pasi vëmendjen e kanë tek zgjedhjet. Sadiku shprehu optimizmin se kandidati i Inicativës Qytetare Mitrovica, ka gjasa të fitojë.
Sadiku është pjesë e kësaj iniciative e cila e ka kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmanin.
“Shorti ka dashur kështu, dhe jemi të parët në short. Kemi shenjë të mirë që shpresojmë që iniciativa të mundet të fitojë edhe kandidati jonë të bëhet kryetar. Jemi tu u bo gati për zgjedhje”, deklaroi për Nacionalen, Skënder Sadiku.

I pyetur për situatën politike, Sadiku gjithashtu dha një lajm. Javën tjetër në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut do të bëhet zëvendësimi i asamblistëve të Listës Serbe që kanë dhënë dorëheqje.
“Sot një javë me datën 14, të mërurën do të bëhet betimi, bëhet zëvendësimi i asamblistëve nga Lista Serbe që kanë dhënë dorëheqje. Në komunën veriore të Mitrovicës, pasi kemi numër të asamblistëve që janë certifikuar nga KQZ-ja, do ta japin betimin më 14 dhjetor 2022. Lista Serbe ka dhënë dorëheqje, i zëvendëson Inicativa Qytetare Mitrovica. 14 kemi me dhënë betimin, dhe e vazhdojmë punën. Lista Serbe është e dorëzuar”, ka thënë Sadiku për Nacionalen.
Në Mitrovicën e Veriut zgjedhjet do të mbahen vetëm për kryetar të komunës. Kurse në Leposaviq e Zveçan.
Çfarë ndodhi mbrëmë në veri?
Të martën, disa grupe kriminale në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz. Fillimisht u dëmtuan zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut e pastaj u dëgjuan për disa herë krisma e granta, për të cilat zyrtarë të Policisë së Kosovës deklaruan se ishin prodhim jugosllav.
Policia e Kosovës tha se "persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës", duke përdorur "mjete të rrezikshme".
“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”- deklaruan zyrtarët e Policisë së Kosovës të martën në orët e mbrëmjes.
Për situatën atje, pati edhe reagime nga krerët shtetërorë të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "grupe të organizuara, me disa individë të maskuar" i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët "me shok bomba dhe të shtëna në ajër".
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se bandat kriminale janë të vetëdijshme se po u vjen fundi dhe se bombat që i hedhin dhe maskat që i vendosin, janë pafuqia e tyre politike e popullore.