Java e tretë e grevës: SBAShK-u që nuk dorëzohet, e Qeveria që i thumbon ata pa gjetur zgjidhje - NACIONALE

Java e tretë e grevës: SBAShK-u që nuk dorëzohet, e Qeveria që i thumbon ata pa gjetur zgjidhje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe kjo e hënë e 12 shtatorit, shkollat i gjeti të mbyllura, si shkak i grevës. E po ashtu edhe administratat komunale, por jo vetëm, duke mos punuar. Thënë shkurt Kosova ka hyrë në javën e tretë të grevës, ku palët, Sindikatat dhe Qeveria nuk po mund të arrijnë një kompromis për ta ndalur grevën.

Gjatë ditës së diel, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, mbajti një takim të jashtëzakonshëm, me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, për të debatuar lidhur me takimin e kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli bashkë më kryeministrin Kurti.

Gjatë këtij takimi, u vendos që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave, dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.

BSPK: Greva vazhdon

Sindikatat kanë cilësuar, së greva erdhi si pasojë e mungesës, së vullnetit të Qeverisë

“Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë. Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

Qeveria: Janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se deri tani kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi dhe shefi i stafit të kryeministrit janë takuar të paktën 10 herë me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave, Atdhe Hykolli.

Sipas Kryeziut, takime ka pasur, por mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatsihmëria nga sindikatat për të ecur përpara.

“Deri tani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i stafit të kryeministri janë takuar të paktën dhjetë herë me kryetarin e BSPK, z. Atdhe Hykolli.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur katër takime me përfaqësues të sindikatave, përfshirë BSPK.

Ministri i Shëndetësi, Rifat Latifi të paktën katër takime me përfaqësues të degëve sindikale, përfshirë BSPK.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pasur gjashtë takime me sindikatat e Policisë, Zjarrfikësve, Infermierëve e Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci tetë herë është takuar me përfaqësuesit e SBAShK-ut.

Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”, thuhet në shkrimin e zëdhënësit të Qeverisë, Kryeziut.

Ndryshe, disa shkolla në komunat e udhëhequra nga partia në pushtet, Vetëvendosje, kanë filluar të mbajnë mësim.

Kjo pasi që krerët e tyre, kanë bërë presion të vazhdueshëm për të filluar mësimin, duke thënë se greva është çështje politike.

Lajme të ngjashme