Interesante: Prishtina kishte 16 shkolla fillore më 1893, veç një ishte për vajza
Historiani i periudhës osmane, Agron Islami, që punon në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, ka ofruar disa të dhëna interesante për hapat e parë të zhvillimit të arsimit në Prishtinë. Në vitin 1893, pra gati në vigjilje të shekullit 20-të, Prishtina kishte 16 shkolla fillore, të cilat organizoheshin përmes sistemit osman të arsimimit. Në këtë kohë kishte disa lloje të shkollave, përfshirë atë fillore, të mesme, medresetë dhe shkollat e jomyslimanëve.
Sipas historianit Islami, atë kohë kishte vetëm një shkollë fillore për vajza, ku mësimet i jepnin dy mësuese, teksa 180 nxënëse vazja ndiqnin këtë shkollë fillore. Ndërsa në këtë periudhë kishte edhe 10 mektepe për fëmijë, ku ndiqnin mësimin 737 fëmijë.
“Sipas të dhënave zyrtare nga salnameja e vitit 1893, në Prishtinë ishin aktive 16 shkolla fillore (ibtidaijje) për djem me 834 nxënës dhe 17 mësues. Ndërsa 2 mësuese jepnin mësim në shkollën e vetme fillore për vajza, e cila ishte hapur në vitin 1887 dhe që përbëhej prej 180 nxënëseve (vajza). Sipas salnamesë së vitit 1900, në këtë kohë në Prishtinë ishin funksionale 10 mektepe sibjan (për fëmijë), ku ndiqnin mësimet 737 fëmijë” – ka shkruar Islami.
Në artikullin e titulluar “Zhvillimi edukativo arsimor”, të botuar në “Prishtina në histori”, Islami ka treguar edhe për ndërtimin e shkollave.
“Ashtu siç ndodhte në gjithë truallin perandorak osman edhe në Vilajetin e Kosovës, pas themelimit të shkollave për djem, u hapen edhe ato për vajza. Në dokumentin e datës 7 prill 1887, bëhet fjalë për ndërtimin rishtas të shkollës fillore për vajza në Prishtinë.12 Po nga i njëjti fond shohim se, në korrik të vitit 1893 në Prishtinë ishin aktive 4 shkolla ibtidaije për vajza. Në vitin 1906, po ashtu identifikohet një dokument i cili fletë për ndërtimin e një shkolle të re për vajza, e cila do të kushtoj 33 mijë e 400 kurush (grosh), siç thuhet në dokument” – ka shkruar Islami, transmeton Nacionale.
Në artikull flitet edhe për shkollat e jomyslimanëve.
“Siç kemi parë edhe më lartë, që nga fundshekulli XVI, popullsia e Prishtinës kishte pranuar për besim islamin, por që asnjëherë nuk ishte zhdukur elementi i krishterë (katoliko-ortodoks). Këta të fundit, po ashtu gëzonin të drejtën e shkollimit të tyre sipas praktikave fetare që ata i aplikonin. Kështu, sipas të dhënave zyrtare osmane të fundshekullit XIX, në vitin 1888 në Prishtinë vijonin mësimin 140 nxënës të komunitetit jo mysliman në 10 mejtepe sibjan (për fëmijë). Prej tyre 20 vajza dhe 120 djem. Sipas të dhënave të vitit 1893, në shkollën ibtidaije të të krishterëve ortodoks, e cila kishte 148 nxënës, mësues i gjuhës osmane ishte Idris Efendiu” – thuhet aty.