Halimi e LDK-së: Partia në pushtet duhet ta ndalë propagandën - Kosova meriton mirëqenie për qytetarët
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që Lëvizja Vetëvendoje ta ndal siç e quan ajo “propagandën”.
Halimi ka thënë se Kosova meriton qeverisje, në krijimin e mirëqenies për qytetarët, jo synim e përpjekje për të mbytur zërin kritik.
“Partia në pushtet duhet të ndal propagandën. Kjo qasje nuk i kontribuon zhvillimit të vendit. Emetimi i spotit pikërisht në ditën kur fillon mësimi e ndalen pagat e mësimdhënësve, tregon për rrugën autoritariste që po e ndjek kjo parti. Shqetësues, skenari i përgatitur për thellim krizash. Kosova meriton qeverisje, në krijimin e mirëqenies për qytetarët, jo synim e përpjekje për të mbytur zërin kritik në ujërat e turbullta të pushtetit autokratik.” – tha Halimi.
Më tej ajo ka kërkuar nga kryeministri Kurti të orientohet drejt vlerave të demokracisë, në të kundërtën, sipas saj, vendi do të bëhet i pajtueshëm.
“Kryeministri duhet të orientohet drejt vlerave të demokracisë, në të kundërtën vendi ynë me këtë frymë të krijuar do të bëhet i pajtueshëm. Trajtimi i të gjithë të tjerëve që nuk janë pjesë e pushtetit si armiq të shtetit është vesi më i keq i pushtetarëve me prirje autoritare. Kurse bindja se "shteti jam unë", po ashtu është armiku dhe kërcënimi më i madh i çdo rendi demokratik. Të gjitha demokracitë deri më sot kanë vdekur pikërisht kur paranoja të tilla janë bërë model i sjelljes politike të pushtetit.” – tha ajo