Gjenerata e re e “mpirë dhe shkëputur” ekspozohet ndaj rreziqeve të mëdha - NACIONALE

Gjenerata e re e “mpirë dhe shkëputur” ekspozohet ndaj rreziqeve të mëdha

3 vjet më parë

nga Vesa Shahini

Gjenerata e re e njohur si “Alfa” e lindur në epokën e Internetit – që s’ka ide se si ishte bota pa Internet – ka karakteristika interesante dhe i nënshtrohet rreziqeve të mëdha. Cilat janë ato dhe çfarë mund të mësojmë?

Ndoshta i keni dëgjuar termet në gjuhën angleze ‘Gen Z’, ‘Millennial’, etj. Këto terme definojnë ndarjen e gjeneratave shoqërore në grupe demografike bazuar në vitin e lindjes. Formimi i një gjenerate të re ndodh çdo 15 vjet.

Kjo ndarje e gjeneratave shërben që të kuptohet se si përjetimet formuese (siç janë ndryshimet teknologjike, ekonomike, dhe sociale) ndërveprojnë me zhvillimin e individëve që t’ua gdhendin pikëpamjet mbi botën.*

*Për shembull, kosovarët e lindur para vitit 1998 (‘Boomers’, ‘Gen X’, ‘Millennials’ dhe vitet e para të ‘Gen Z’) e kanë përjetuar luftën e fundit ne Kosovë në një mënyrë apo tjetër, dhe kanë kujtime nga ajo. Ndërsa kosovarët e lindur prej vitit 1999 e tutje (‘Gen Z’ dhe ‘Gen Alpha’) ndoshta kanë degjuar vetëm rrëfime të luftës, por sigurisht nuk e kanë përvetësuar atë përjetim siç kanë bërë gjeneratat para tyre.

Me fjalë tjera, secila gjenerate i ka përjetimet e veta kolektive që ia formon karakteristikat… nga çka frymëzohet, çfarë këndvështimesh ka, çfarë çështje e preokupojnë, etj.

‘Alfa-t’

Fëmijët e sotit prej moshës 0-13 u përkasin gjeneratës më të re në botë aktualisht, gjenerata Alfa (2010-2024). Kjo gjeneratë është e para që ka lindur tërësisht në shekullin e 21. Ngjashëm me gjeneratën e saj paraardhëse (gjeneratën Z), gjenerata Alfa ka lindur në hovin e zhvillimeve të rëndësishme teknologjike gjatë dekadave të fundit – epoka digjitale.

Dhe natyrisht, të lindurit në epokën digjitale ka bërë që kjo gjeneratë të ketë dallime të shquara nga gjeneratat më të vjetra.

Alfa-t karakterizohen me të qenurit ‘vendas digjitalë’ (anglisht: digital natives), që do të thotë se prania e kompjuterëve dhe internetit ka qenë gjë normale për ta qysh nga fëmijëria. Ata pothuajse gjithmonë kanë një telefon të mençur apo pajisje të ngjashme pranë tyre, dhe dinë se si ta shfrytëzojnë teknologjinë që t’ju shërbejë atyre, duke pasur qasje në informata të pafundme në majat e gjishtave të tyre.

Gjithashtu, kjo gjeneratë pritet të jetë më e arsimuara ndonjëherë. Edhe pse është ende heret që të definohen qëndrimet e Alfa-ve, supozohet se Alfa-t do të jenë më të vetdijshëm për qëndrushmërinë mjedisore dhe drejtësine sociale sesa gjeneratat e mëparshme.

Kjo mund të shpjegohet përmes faktit se këta fëmijë po rriten në një botë ku informata është lehtë e qasshme. Kjo u ka mundësuar që të mësojnë për çështje të ndryshme sociale dhe të hasin në ide dhe këndvështrime të ndryshme.

Mirëpo, siç na thonë të moshuarit, gjithçka e tepruar është e keqe.

Padyshim se të qenit ‘online’ gati konstant, dhe prania e shpeshtë e ekraneve digjitale ka pasur (dhe do të ketë) edhe efekte negative në gjeneratën më të re.

Sipas një studimi kanadez, aktivitetet ku ekrani përdoret për një kohë të gjatë janë të ndërlidhura me rritjen e rrezikut për obezitet, dhe zvogëlimin e vetëbesimit, sjelljeve pro-sociale dhe arritjeve akademike në fëmijë.

(di)Socializimi

Shumë anëtarë të gjeneratës Alfa janë rritur duke përdorur telefona të mençur apo tableta si pjesë e argëtimit në fëmijëri. Mirëpo sot, këto pajisje janë shndërruar në një metodë të shpejtë dhe të lehtë për t’i qetësuar dhe shpërqenduar të vegjlit.

Studimet dëshmojnë se ky ekspozim i tepruar shumë shpesh çon në krijimin e varësisë në pajisje të tilla. Si pasojë, fëmijët po ndërveprojnë më pak me ambientin dhe njerëzit përreth tyre, dhe kanë dukshëm më pak kontakt dhe lidhje me natyrën krahasuar me gjeneratat e mëparshëm.

Arjeta Ahmedi Seferi, psikologe e fëmijëve në SOS Fshatrat e Fëmijëve thotë se me rritjen e përdorimit të teknologjisë, fëmijët mund të mos jenë duke zhvilluar aftësitë e tyre sociale në mënyrë adekuate.

“[…] Kjo mund të çojë që më shumë fëmijë të kenë të vështirë krijimin e raporteve shoqërore, të jenë të tërhequr, të turpshëm ose të frikësuar nga situatat sociale. Ata mund të mos dinë si të angazhohen me fëmijë apo të rritur të tjerë. Zhvillimi i aftësive sociale kërkon praktikë, dhe nëse ata janë të ekspozuar më shumë në teknologji sesa në raporte reale që kërkojnë prezencë, ka më pak mundësi që fëmijët t'i zhvillojnë këto aftësi.” – thotë ajo.

“Fëmijët mund të mësohen të jenë vetëm, dhe humbasin dëshirën për t'u angazhuar me prindërit apo edhe miqtë e tyre jashtë internetit.” – shton Arjeta.

Në ditet e sotme, është e zakonshme që t’i shohim fëmijët duke përdorur pajisje elektronikeambiente të papërshtatshme, si në restorante bie fjala. Këta fëmijë zakonisht luajnë apo shikojnë video me volum maksimal, duke i penguar të tjerët dhe njëkohësisht duke mos u socializuar me askënd përreth. Me fjalë tjera, këta fëmijë janë shndërruar në qenje që janë totalisht të mpirë dhe të shkëputur nga ambienti që u rrethon.

Mark Mccrindle, hulumtues social dhe shpikësi i emërimit ‘Alfa’ për gjeneratën e re, thotë se gjenerata Alfa është bërë pjesë e një eksperimenti global të paqëllimtë, ku ekranet janë vendosur para fytyrës së fëmijëve nga një moshë shumë e re.

Humbja e vetbesimit

Prania konstante e pajisjeve elektronike në jetën e fëmijëve ka bërë që ata të adoptojnë një mënyrë jetese ‘sedentare’ (të palëvizshme). Alfa-t po shpenzojnë më pak kohë jashtë, dhe më shumë kohë brenda shtëpisë.

Psikologja e intervistuar ka treguar se të qenit kryesisht brenda mund të shkaktojë shtimin në peshë tek fëmijët, që ndikon në imazhin që ata kanë për veten.

Ajo gjithashtu ka shtuar se ekspozimi ndaj teknologjisë është i lidhur me shëndetin mendor, ankthin social dhe uljen e funksioneve sociale dhe kognitive.

Studimet tregojnë një korrelacion midis ekspozimit të teknologjisë dhe ankthit. […] Efekte të tjera negative [të ekspozimit të tepërt në teknologji] përfshijnë depresionin, luhatjen e humorit dhe interesit kundrejt detyrave dhe angazhimeve që përfshijnë koncentrimin dhe durimin.” – thotë Arjeta.

Poashtu, eksplodimi i rrjeteve sociale në dekadën e fundit ka ndikuar në menyrë të pafavorshme në shëndetin mendor të fëmijëve.

Përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët ka ndikuar në shfaqjen e bullizimit kibernetik, rritjen e krahasimit konstant mes moshatarëve, dhe seksualizimin e hershëm, sidomos tek vajzat.

“Rrjetet sociale kanë amplifikuar presionet e lashta që vajzat të përputhen me disa narrativa seksuale të caktuara, dhe gjithashtu kanë hapur mënyra të reja dhe të paeksploruara që atyre t’ju bëhet kjo.” – ka thënë një psikiatre amerikane, Dr. Stephanie Ng, në një publikim të saj.*

*Vlenë te theksohet se edukimi seksual dhe seksualizimi kanë dallim.

Pra, aktiviteti i ulët fizik, së bashku me ndikimet e rrjeteve sociale, kryesisht kanë çuar në uljën e vetbesimit në fëmijët e sotit – gjeneratën Alfa.

Shëndeti kognitiv

Në ditët e sotme, nuk është e pazakontë që një fëmijë të luajë ne kompjuter, të shiqojë diçka në televizion, dhe t’i shfletojë rrjetet sociale në telefontë gjitha njëkohësisht. Bile, është shpikur një term i ri për këtë dukuri – multiscreening (përdorimi i disa ekraneve përnjëherë).

Psikologja Arjeta na tregon se kjo ndikon në mbistimulim të trurit të fëmijës, që pastaj shkakton probleme në përqëndrim dhe mësimnxënie.

“Fëmijët që shpenzojnë shumë kohë duke përdorur pajisje mund të kenë një reduktim të kohëzgjatjes së vëmendjes dhe aftësisë për t'u fokusuar. […] Disa studime madje argumentojnë se ekspozimi para moshës dy vjeçare ndikon dukshëm në procesin e zhvillimit të trurit.” – thotë ajo.

“Teknologjia mund të ndikojë potencialisht në zhvillimin e trurit të fëmijës dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Për shembull, fëmija mund të jetë i varur nga një pajisje për të zgjidhur probleme për ta në vend që të përdorin lidhjet e trurit për të zgjidhur një problem.” – shton Arjeta.

Një studim empirik në vazhdim ka konkluduar se fëmijët e moshave 9-12 që shpenzojnë më shumë se 7 orë ne ditje para ekranit u zhvillohet korteksi cerebral dukshëm ndryshe krahasuar me ata që shpenzojnë më pak se 7 orë.

Mërzia (anglisht: boredom) është element i rëndësishëm në zhvillimin trunor të fëmijëve, sepse aty lindë imagjinata dhe kreativiteti. Fëmijët zhvillojnë shkathtësi kreative kur u duhet të gjejnë zgjidhje per mërzinë e tyre, dhe jo kur u ofrohet zgjidhja e menjëhershme, siç bëjnë ekranet.

Së fundi, fëmijët sot po përfshihen më pak në lojëra fizike me njëri-tjetrin (për shembull, luajtja në ‘mahallë’). Kjo mungesë e lojërave të përbashkëta gjithashtu po ndikon negativisht në fëmijë, duke marrë parasysh faktin se lojërat e tilla kanë rol të rëndësishëm në mirëqenjen kognitive, sociale dhe emocionale të tyre.

Është përmes lojës që fëmijët zhvillojnë shkathtësi për jeten si vetbesimi, qëndrueshmëria (rezilienca), bashkëveprimi, pavarësia, kurioziteti, etj.

Rekomandimet

Arjeta Ahmedi Seferi rekomandon që prindërit të jënë prezent gjatë kohës kur fëmijët përdorin pajisje elektronike. Ajo thekson se kjo është e rëndësishme sepse fëmijët janë ende në fazë të hershme të zhvillimit që t’i procesojnë vet informacionet me të cilat përballen online.

“Prindërit duhet të mbikëqyrin drejtpërdrejt çfarë shikojnë fëmijët. Mundësisht për fëmijët në moshën parashkollore të shikojnë bashkë me ta dhe të interpretojnë verbalisht çfarë janë duke shikuar. Sepse në këtë përiudhë zhvillimi kognitiv dhe i trurit është më i shpejt sesa zhvillimi gjuhësor dhe zakonisht fëmijët gjatë ekspozimit marrin shumë informata të cilat nuk kanë kapacitet ti përpunojn as në aspektin gjuhësor e as atë emocional – prandaj prindi duhet të jetë prezent dhe i kyçur për të qenë pjesë e ‘ballafaqimit teknologjik’.” – thotë psikologja Arjeta.

Ajo gjithashtu rikujton se nëse përdoret në mënyrë të duhur, teknologjia mund të ketë edhe ndikim pozitiv në gjeneratën e re.

Të mos harrojmë se si teknologjia ndihmon në zhvillimin e motivimit. Prindërit dhe edukatorët njësoj mund të përdorin kohën e teknologjisë si një shpërblim për sjellje pozitive. Ky lloj përforcimi dhe praktikimi inkurajon një sjellje pozitive sociale dhe kognitive.” – shton ajo.

Pëforcimi i shprehive pozitive teknologjike tek fëmijët gjithashtu bëhet e mundur kur prindërit nisin duke dhënë shembull nga vetja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) gjthashtu ka rekomandime për kohën që fëmijët e vegjël kalojnë para ekranit.

“Për një-vjeçarët, koha para ekranit nuk është e rekomanduar. Për dy-vjeçarët, koha para ekranit nuk duhet të jetë më i gjatë se 1 orë; sa më pak, aq më mirë.” – thekson OBSh-ja.

Lajme të ngjashme