Gjendje e rënduar nga përmbytjet në disa komuna, kërkohet ndihmë nga FSK-ja
Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur qysh nga mbrëmja e kaluar, kanë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës.
Situata duket shumë më e vështirë në Rahovec e Gjakovë. Nacionale ka siguruar pamje nga këto dy komuna, ku shihet se uji ka depërtuar edhe në shumë shtëpi.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë për gazetën Nacionale që ka shumë vështirësi nëpër disa fshatra.
Sipas tij, gjendja më e rënduar aktualisht është në fshatin Fortesë e Sopniq.
“Prej mëngjnejsit jemi në terren, ka shumë vështirësi. Në qytet nuk ka, tash në Fortesë jemi pak më keq, kemi qenë në Sopiniq, Ratkoc. Dëme materiale ka shumë mundet me pas, njerëzve iu ka hy uji nëpër bodrume. Janë dalë lumenjtë prej shtratit edhe pse kanë qenë të rregulluar. Ka shumë prurje nga lumenjtë”, tha Latifi për Nacionalen.
Ai tha se ka thirrur një takim urgjent me institucionet lokale, për të hartuar planin se si të veprohet tutje. Latifi ka thënë se ndihma nga Forca e Sigurisë së Kosovës do të ishte tejet e nevojshme.
“Jemi aktiv që pas orës 1 mesnatë kur kanë nisur reshjet, me emergjencë jemi në terren. Operatorë ekonomikë e vullnetarë. Tash kemi mbledhje urgjente. Deri më tash nuk ka pasojë në njerëz. Gjithsesi sepse sidomos në Fortesë, kemi prrjre nga viset kodrinore nëpër ara nuk po munden me hy as bonduzherat. Me na ardhë në ndihmë FSK-ja do të ishte mire”, tha Smajl Latifi më tutje.
Situatë e ngjashme është edhe në komunën e Gjakovës. Në fshatra e qytet, ka pasur përmbytje. Syri Vision nga Gjakova, raporton se uji ka depërtuar edhe në spitalin e qytetit.
Nacionale ka tentuar të kontaktojë me kryetarin e komunës së Gjakovës, Ardian Gjinin, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.
Reshjet e shiut ishin paralajmëruar edhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, por që mundësia për përmbytje nuk ishte paralajmëruar.
“Gjatë këtyre dy ditëve të parashikimit parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat parashihen të shoqërohen me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Të premten do të ketë më pak riga, derisa dita e shtunë parashihet të ketë ë shumë reshje, duke e përfshirë tërë territorin e vendit. Vlerat minimale të temperaturave do të lëvizin ndërmje10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-27 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga drejtimi i verilindjes”, thuhej në njoftimin e Institutit.