FSK-ja pa asnjë grua nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian
Asnjë grua nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, nuk është pjesë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës. Policia e Kosovës numëron 10 pjesëtare nga këto komunitete. Arsye për pjesëmarrjen e ulët të grave rome, ashkalike apo egjiptiane nëpër institucionet kyçe të sigurisë, po vlerësohen kriteret e ashpra e mungesa e vullnetit institucional për ta përmirësuar situatën. Gazeta Nacionale sjell detaje.
Hana (emër i vendosur nga redaksia) pothuajse çdo ditë merret me grumbullimin e mjeteve të qelqit e plastikës, për t’i shitur në një lagje të Fushë Kosovës. E gjatë punës, asaj shpesh i rastis të sheh nëpër rrugë ushtarë e ushtare në uniformë të FSK-së.
“Gjithë kam pas qejf (të bëhem ushtare). Kur i shoh rrugës ndihem tepër mirë, por edhe nganjëherë mërzitna”, thotë ajo në fillim për Nacionalen.
Si vajzë e komunitetit rom, ajo thotë se nuk ka aplikuar asnjëherë për t’u bërë pjesë e FSK-së apo ndonjë institucioni tjetër të sigurisë. Kjo kryesisht për shkak të mungesës së përgatitjes.
“Normal unë s’kam kry shkollë. Edhe nuk është që kam dëgju ndonjëherë qysh shkojnë procedurat edhe kushtet për me apliku”, deklaron më tutje Hana (emër i vendosur nga redaksia).

Fotografi: Ilustrim (arkiv)
Në fakt, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk është asnjë pjesëtare grua nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Kurse, nga komunitetet e tjera janë 17 pjesëtare. Pjesëtarë burra që vijnë nga komunitetet pakicë në FSK janë 137. Kështu bëhet e ditur në statistikat që FSK-ja i ka bërë të ditura për Nacionalen.
Pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja bëjnë të ditur se kanë pasur disa kampanja informuese për qytetarët nga komunitetet, nuk ka pasur ndonjë lehtësim në kriteret e aplikimit.
“Nuk ka asnjë grua nga komunitete joshumicë romë, ashkali dhe egjiptas që shërben në FSK. Në konkursin për pranimin e rekrutëve parashihen kriteret që duhet t’i plotësojnë kandidatet. Kriteret janë të njëjta për të gjithë aplikuesit. Procesi i përzgjedhjeve kalon në disa faza të testimit që është kusht kalimi i testimeve për pranimin në FSK”, thuhet në përgjigjen e FSK-së.

Situatë pak më e mirë është në Policinë e Kosovës. Në total, pjesëtare gra të Policia nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian janë 10. Prej tyre, asnjë grua nuk është në Policinë e Kosovës nga komuniteti ashkali. Vetëm një pjesëtare është nga komuniteti egjiptian, kurse tetë pjesëtare janë rome.
Shtohen aplikimet, por kriteret strikte e bëjnë të pamundur pranimin
Që nga viti 2016 është rritur dukshëm aplikimi nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për t’u bërë pjesë e FSK-së apo Policisë. Megjithatë, kriteret e ashpra të vlerësimit po e bëjnë të pamundur rekrutimin e grave nga këto komunitete në institucionet e sigurisë.
Kështu po vlerëson organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve”. Vesa Batalli nga kjo organizatë thotë për Nacionalen se ka pasur mungesë të vullnetit institucional për të shfrytëzuar masa afirmative në këto raste.
“Nëse marrim parasysh pabarazinë që ekziston në mes të këtyre tri komuniteteve dhe komunitetit shumicë në çdo aspekt të jetës, konsideroj që është e domosdoshme të krijohen masa afirmative të cilat do të nxisnin pjesëmarrjen dhe aplikimin. Kur kemi bashkëpunuar me këto institucione, interesimi ka qenë nga të dyja gjinitë por iu ka munguar përvoja, përgatitja profesionale dhe fizike të cilat me trajnime paraprake do të mund te evitoheshin”, ka thënë Batalli për Nacionalen.

Megjithatë, nga ekzekutivi po vlerësojnë se ka pasur hapa pozitiv në drejtim të punësimit të pjesëtarëve nga komunitetet në institucione. Elizabeth Gowing, këshilltare për komunitete e kryeministrit Kurti, thotë se Qeveria e ka krijuar një ekip ndër-institucional që ka për qëllim punësimin e pjesëtarëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Kemi marrë pjesë në konsultim për draft-rregullore për rekrutim për FSK, me propozime si mund të përfshihen komunitetet sa më mirë. Gjithashtu, kemi përcjellur procesin e rekrutimit në rundin e fundit tek policët, dhe na ka ardhur mirë që ka pasur një rritje të dukshme në numrin e kadetëve prej komuniteteve joshumicë: më shumë se 20% janë prej këtyre komuniteteve. Prej tyre, 9 (3 gra dhe 6 burra) ishin prej komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, ka thënë Gowing për Nacionalen.
Sipas saj, qeveria këtë vit ka ndarë 3 milionë euro shtesë ndërlidhur me synimet për punësimin e komuniteteve.
Deputetët i pranojnë problemet, por zotohen se po punojnë
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, i kanë edhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Të njëjtit e pranojnë se punësimi në institucione të sigurisë është problem, e sidomos te gratë. Megjithatë, ata zotohen se po punojnë për më të mirën.
Erxhan Galushi është deputet që vjen nga radhët e komunitetit rom. Galushi ka bërë të ditur për Nacionalen se çështjen e punësimit e kishte ngritur disa herë me ministrat përkatës. Ai ka thënë se pavarësisht që kanë diskutuar për lehtësimin e kritereve për komunitetet, testi fizik është prioritet pa të cilin askush nuk mund të bëhet pjesë e FSK-së apo Policisë.
“Ne i kemi pasur kampanjat që kemi zhvilluar me ish-ministrin Mehaj, vitin e kaluar kur ka qenë rekrutimi për FSK qoftë për burra apo për gra. Ne me ministrin kemi diskutuar çështjen e masave afirmative. FSK-ja e Policia janë institucione që kanë masa që patjetër duhet me i kalu nëse do me ushtru atë pozitë. Testin me shkrim do të kishim mundur me diskutu për masat afirmative ku ministri ka qenë i hapur, por kemi pritur se kandidatët do ta tregojnë maksimumin në testin fizik”, ka thënë Galushi për Nacionalen.

Sfidat i pranon edhe deputeti që vjen nga komuniteti egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Fridon Lala. Sipas tij, puna më e madhe është edhe tejkalimi i paragjykimeve sociale për gratë nga komuniteti që përfaqëson.
“Normalisht që është shqetësues fakti i pjesëmarrjes tejet të ulët të grave nga radhët e komuniteteve Egjiptian, Ashkali dhe Romë në institucione të rëndësishme siç është Policia e Forca e Sigurisë së Kosovës. Ndër vite, veç politikës, akterë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar kanë kontribuar në emancipimin e grave të këtyre grupeve, sidoqoftë dhe shumë punë na pret para deri në nivelin kur këto gra do ti kalojnë të gjitha peripecitë dhe paragjykimet sociale dhe të ushtrojnë dhe profesione që deri më tani janë pak të zakonshme për to”, ka thënë Lala për gazetën Nacionale.
Në konkursin e fundit për ushtarë në FSK, kanë aplikuar 26 kandidatë, nga të cilët vetëm 8 kanë kaluar në listën finale. Megjithatë, Forca e Sigurisë së Kosovës s’e ka specifikuar sa nga këta aplikantë kanë qenë gra. Kurse, në konkursin e fundit për policë, kanë aplikuar 13 gra nga komunitetet. Prej tyre, 7 gra ashkalike, 5 rome dhe një grua egjiptiane.