Financimi i politikës në Kosovë dhe rëndësia e transparencës - NACIONALE

Financimi i politikës në Kosovë dhe rëndësia e transparencës

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan Diana Metushi Krasniqi

Kosova Democratic Institute

Kur paratë në politikë mbeten të paqarta edhe vet demokracia bëhet e mjegullt.

Financimi i partive politike është një pjesë normale e demokracisë. Fushatat zgjedhore, aktivitetet politike dhe komunikimi me votuesit kërkojnë burime financiare. Pikërisht burimi i këtyre fondeve duhet të jetë sa më transparent, meqë kjo e fundit konsiderohet një element kyç për integritetin demokratik. Kur raportimet financiare nuk janë të plota e të kuptueshme, kur donatorët mbeten të fshehtë ose donacionet të dyshimta, qytetarët nuk mund të kuptojnë se kujt u përgjigjen realisht përfaqësuesit e tyre politikë.

Në Kosovë, financimi i subjekteve politike rregullohet nga Ligji për Financimin e Subjekteve Politike dhe ndryshimet e tij të mëvonshme. Me kalimin e viteve, korniza ligjore është përforcuar ndjeshëm, kryesisht edhe si rezultat i angazhimit dhe presionit të shoqërisë civile. Sot, sipas legjislacionit “kontribut” konsiderohet çdo përfitim në para apo në natyrë, përfshirë shërbime, huadhënie, falje borxhesh apo transaksione nën çmimin e tregut. Ligji vendos gjithashtu kufij për kontributet dhe ndalon donacionet anonime apo kontributet nga kompani që kanë kontrata aktive me institucionet publike. Këto kufizime synojnë të ruajnë barazinë politike, të parandalojnë blerjen e ndikimit politik dhe të parandalojnë konfliktin e interesit.

E të gjitha ndryshimet legjislative dhe vet mënyra e zbatimit në praktikë, nuk kanë ardhur rastësisht. Ato janë rezultat edhe i përpjekjeve të vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile, e sidomos të KDI-së, për të forcuar transparencën dhe për të kufizuar rreziqet e ndikimit të padrejtë financiar në politikë. Në këtë kuptim, përmirësimi i rregullave ligjore ka ndikuar edhe në uljen e numrit të shkeljeve formale të raportuara ndër vite.

Megjithatë, përtej kornizës ligjore, raportet e auditimit të financave të partive politike tregojnë një realitet më kompleks. transparenca në financimin politik nuk varet vetëm nga ekzistenca e rregullave, por edhe nga mënyra se si raportohen dhe kuptohen të dhënat financiare. Nominalisht, informacioni për financimin e partive është publik. Raportet financiare publikohen çdo vit në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përmbajnë lista të kontribuesve, shumat dhe kategoritë e shpenzimeve. Në praktikë, megjithatë, këto të dhëna shpesh janë të shpërndara në dokumente të gjata dhe në formate që e bëjnë të vështirë analizimin dhe krahasimin e tyre. Kjo do të thotë se, edhe kur informacioni është formalisht publik, ai jo gjithmonë është lehtësisht i kuptueshëm për publikun, gazetarët apo organizatat monitoruese.

Për më tepër, financimi i aktivitetit politik nuk shfaqet gjithmonë vetëm përmes transfereve të drejtpërdrejta monetare. Mbështetja politike mund të marrë edhe forma të tjera, si shërbime apo përfitime në natyrë, të cilat mund të jenë më të vështira për t’u identifikuar dhe interpretuar përmes raportimit financiar tradicional.

Në anën tjetër, auditimet zakonisht identifikojnë probleme procedurale në raportimin financiar, si mungesë dokumentacioni për transaksione financiare, evidencë jo të plotë të transaksioneve financiare apo raportim të paqartë të disa kategorive të të hyrave dhe shpenzimeve. Këto janë gjetje të rëndësishme, por ato fokusohen kryesisht në aspektin teknik të raportimit financiar dhe rrallë arrijnë të zbulojnë dimensionin më të gjerë të financimit politik, gjegjësisht lidhjen midis parave dhe ndikimit në vendimmarrje. Për më tepër, analiza e raporteve financiare tregon se një pjesë e madhe e kontributeve të deklaruara vijnë nga aktivistë dhe anëtarë të partive politike. Kjo mund të reflektojë mbështetje reale nga baza partiake. Megjithatë, në disa raste, krahasimi i këtyre të dhënave me burime të tjera publike mund të ngrejë pyetje për mënyrën se si raportohen ose deklarohen kontributet.

Pikërisht këtu bëhet e rëndësishme analiza e të dhënave publike në mënyrë më të strukturuar. E duke i njohur këto sfida, KDI ka krijuar platformën Integrity Watch Kosova, përmes së cilës të dhënat për financimin e partive politike, deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe informacione të tjera relevante mund të analizohen në mënyrë më të lehtë dhe të krahasueshme. Qëllimi i kësaj qasje nuk është të zëvendësojë institucionet mbikëqyrëse apo të nxjerrë përfundime për shkelje, por të ndihmojë në identifikimin e çështjeve që meritojnë vëmendje më të madhe publike dhe institucionale, përmes flamujve të kuq dhe të indikatorëve të rrezikut.

Në fund, çështja nuk është vetëm sa para hyjnë në politikë. Çështja është nëse qytetarët kanë mundësi reale të kuptojnë se si financohet ajo. Kur transparenca është e kufizuar ose informacioni mbetet i vështirë për t’u analizuar, edhe besimi publik në institucionet demokratike dobësohet.

Prandaj, transparenca në financimin politik nuk është vetëm një kërkesë ligjore. Ajo është një kusht i rëndësishëm për llogaridhënien publike dhe për një demokraci ku qytetarët mund të kuptojnë më qartë marrëdhënien ndërmjet parave dhe politikës. Sepse një demokraci e shëndetshme kërkon qytetarë të informuar dhe të dhëna të hapura.

Lajme të ngjashme