Ferizaji, qyteti i kontrasteve: Pëshpërimat për vrasjen tronditëse dhe konferenca e Haki A****t
Të bësh punën e gazetarit në Kosovë, ndonjëherë është përvojë e sikletshme dhe rrëfimi i mëposhtëm jep një fragment të shkurtër të saj.
Mëngjesi i së shtunës së 28 majit për mua nuk ishte krejt i zakonshëm ashtu siç është të shtunave të tjera. Porsa u zgjova në ora 09:47, hapa sytë, mora telefonin për të parë se çfarë kishte ndodhur në botën reale, përmes asaj virtuale. Shkrimi i parë që e lexova mbante titullin “Vrasje në Ferizaj – policia jep detaje”. Ky titull më shtyu të kthjellem më shpejt nga gjumi.
Me të parë këtë lajm, mora menjëherë rrugë për në vendin e ngjarjes. Pasi puna e gazetarit kështu e ka. Nganjëherë nuk pyet për ditë pushimi e as për kohën që e kalon aty.
Një vrasje, shumë pëshpërima
Meqë e njoh mirë Ferizajn, u darkoduam me kolegët që ta mbuloj rastin për aq sa mundem. Ngjarja tashmë kishte pushtuar rrjetet sociale dhe po diskutohej me të madhe.
Kur mbërrita në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja gjithçka dukej e zakonshme. Njerëz që këqyrnin punët e veta e vetura që qarkullonin më shumë se zakonisht pasi që e shtuna është ditë pazari në Ferizaj.
Pasi bëra disa fotografi dhe ua dërgova kolegëve të mi, vendosa që të hyja në lokalet afër ku kishte ndodhur vrasja, për të kuptuar se si erdhi deri te akti që pas publikimit të pamjeve dukej brutal dhe tepër i rëndë. Doja të kuptoja edhe arsyen prapa kësaj kulture të dhunshme të ‘hip-hopit’ në një qytet si çdo tjetër në Kosovë.
U ula në lokalin pesë metra larg vendit të krimit, ku nëse do të qëlloja pak orë më herët, mund ta haja edhe ndonjë plumb gojës. Dhe të porosisje një “kafe pa plum” disi jepte tingull të çuditshëm. Ishte si të porosisje një kafe duke kërkuar që në atë moment të paktën, të mos shkrepeshin plumbat. Por në atë lokal, në atë kohë, po shkrepeshin pëshpërimat për vrasjen e mbrëmshme. Kushdo që hynte aty, pyeste se çfarë ka ndodhur.

“Çka ka ndodhë bre pramë (mbrëmë)?”
“Vallai tmerr, u bo si me kanë n’Teksas”, ishin disa nga frazat e pëshpëritura më të rëndomta.
Aty qëndronte një person, por për shkak se dëshironte të mbeste anonim, nuk po i zbulojmë identitetin. Ai dukej më i lidhur me ngjarjen se me të tjerët.
Biseda me të ishte e vështirë në fillim kur i tregova se jam gazetar. Mirëpo pas ndërrimit të disa llafeve, komunikimi me të vazhdoi lirshëm, e ai vetëm më kërkoi që të mos ia bëja publik emrin apo ndonjë të dhënë tjetër.
“Tepër rast i ranë, unë i njoh edhe Rifën (dorasi) edhe Strellën (viktima), të dytë. Më i pa pamjet si me kanë në Teksas. Ia ka dhanë shtatë plumba. Qikjo rruga jonë katastrofë u bo, veç qeso raste ndodhin”, ishin fjalët e tij pasi e pyeta se çfarë kishte ngjarë mbrëmë.
“Po pse ka ndodhë kjo vrasje, çka keni pa ju?”, e pyeta unë.
“Po thojnë që këta kanë pasë probleme edhe më herët. Unë menoj që një video e Feros e ka pru punën deri këtu. Se Strella e Rifa shokë janë kanë deri tash n’fund kur janë prishë diçka”, thoshte ai duke treguar qartë se i njeh mirë personazhet e ngjarjes. “Pamjet që i kom pa janë shumë t’rana. Para do dite Strella e kë kërcënu Butën diçka”, vazhdoi ai derisa u ndëpre nganjëherë pasi e pyesnin edhe disa të tjerë për atë që kishte bërë vaki.
Më të qëndrova duke folur për më shumë se një orë, derisa informatat e tij dolën se ishin të sakta.

“Edhe polici që e ka plagosë Rifën, u tutke, bile i kanë dhanë ujë”, vazhdoi ai. “Nuk e di, ai (polici) ish kanë tu e çu dikon në burg të Gjilanit, po ai ka qëllu aty në momentin e vrasjes”, shtoi ai duke u ndërprerë herë pas herë nga punët që bënte.
“Këtu vëlla s’ka shtet, a e ke pa sa armë nëpër dorë të njerëzve, krejt me armë”, u shpreh krejt në fund i shqetësuar dëshmitari që kishte parë ngjarjen.
Pas rrëfimit të tij, mora rrugën për ku në fakt e kisha menduar që të shkoja ditën e shtunë.
Një konferencë, shumë pak energji
Një konferencë e partisë Vetëvendosje në Ferizaj ishte paralajmëruar, dhe unë kisha një pyetje për deputetin Haki A**** (redaksia ka vendosur që të gjithë funksionarëve publikë që nuk respektojnë integritetin dhe punën e gazetarëve të mediumit t’i mbulojë me fusnotë pjesën e mbetur të mbiemrave përveç inicialit) i cili ishte paraparë që të fliste para mediave.
Në këtë konferencë do të diskutohej në lidhje me ligjshmërinë e ndërtimeve në Ferizaj, ku kjo parti informonte qytetarët për vërtetësinë e pretendimeve të tyre.
Mbërrita pak me vonesë në atë konferencë, por me të hyrë brenda, kërkova deputetin A**** të cilit i tregova që jam gazetar, por kur i tregova për vendin ku punoj, përgjigjja e tij s’ishte krejt e papritur.
“Jo, jo. Nuk flas për Nacionalen”, më tha ai pas pyetjes që ia bëra se pse kishte hequr dorë nga Komisoni Hetimor për energjinë elektrike, marrë parasysh faktin që kishte qenë i përfshirë në çështje të energjisë për kohë të gjatë.
“Pse po bëni këtë selektim të mediave?”, ishte pyetja e radhës që nuk gjeti përgjigje as nga deputetët tjerë nga kjo parti, Enver Haliti dhe Dimal Basha.

Ajo që po më çudiste tejmase ishte se si informacionet private jepeshin me lehtësi nga qytetarët e drejtë të Ferizajt, por jo edhe ato publike nga deputetët e këtij qyteti.
Gjithçka publike është private - madje edhe informacioni. E gjithçka private, është publike – madje edhe zënkat banale mes ish-shokëve të një lagjeje që zënë ballinat e gazetës Nacionale pas vrasjes që ndodhi.
Ndërkohë, krejt i shkëputur nga ky realitet i ftohtë e i zymtë në Ferizaj, dukej një piktor i moshuar i cili po e pikturonte një realitet më të mirë, në të cilin po hedhnin vallen me tupana e me veshje kombëtare disa qytetarë të Ferizajt.
