E tmerrshme, disa komentues fyejnë qytetaren e sulmuar seksualisht: Inskenim, e ka bërë për famë - NACIONALE

E tmerrshme, disa komentues fyejnë qytetaren e sulmuar seksualisht: Inskenim, e ka bërë për famë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Alpinistja Mrika Nikçi është sulmuar seksualisht nga një person me inicialet F.B, i cili është arrestuar sot nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Nikçi përmes një shkrimi në Facebook, pasditën e së premtes ka bërë të ditur se i dyshuari, me inicialet F.B, vjen nga një familje e njohur e qytetit të Pejës.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”, ka thënë ajo.

Pas publikimit të pamjeve në llogarinë e saj në Facebook, ka pasur shumë reagime në mbështetje të zonjës Nikçi.

Fatkeqësisht, lidhur me rastin e rëndë të sulmit seksual ndaj alpinistes Nikçi, nuk kanë munguar as komentet e talljes, seksizmit e pretendimeve banale në lidhje me vërtetësinë e pamjeve nga disa komentues në Facebook.

Nacionale ka siguruar komentet e disa prej personave të cilët i kanë komentuar Nikiqit në postimin e saj lidhur me ngjarjen, por edhe në medie tjera të cilat kanë raportuar rreth rastit.

Nacionale ka kontakuar disa nga këta persona për t'i pyetur rreth komenteve të tilla. Të njëjtit kanë vazhduar pretendimet jashtëzakonisht banale dhe seksiste ndaj pamjeve në rastin e sulmit seksual të alpinistes Mrika Nikçi.

Sipas burimeve të Nacionales, Flori Beqiraj, dyshohet të jetë personi që e sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikçi, mbrëmjen e 27 shtatorit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova i tha Nacionales se i dyshuari është arrestuar sot dhe është dërguar në mbajtje.

“Më datën 27 rreth orës 19:40 policia është informuar për një rast që ka ndodhur në rrugën “Wesley Clark” në Pejë. Ka ndodhë rasti i ngacmimit seksual. Policia ka punuar intesivisht për kapjen e autorit, dhe sot është bërë arrestimi i tij. I njëjti me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme