E hëna e ‘zezë’: Tre të vdekur, dy si pasojë e motit të ligë
Tre persona kanë mbetur të vdekur në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit. Një person vdiq në Prishtinë si pasojë e rënies së një lisi pas stuhisë. Një tjetër person u godit nga rrufeja në Rahovec, e një 23-vjeçar vdiq si pasojë e një aksidenti në Qyshk të Pejës.
Tragjike ishte dita e hënë për Kosovën. Si pasojë e një stuhie që ishte paralajmëruar ditëve të fundit, një lis ra në lagjen Pejton të Prishtinës. Ai e zuri Erdin Haxhiun nga Podujeva duke e lënë të vdekur, përderisa një grua tjetër mbeti e lënduar.
“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër poashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, konfirmuan nga Policia e Kosovës.
I vdekuri ishte kushëri i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Haziri. Kështu njoftoi ai vetë nëpërmjet rrjeteve sociale.
“I rëndë ishte lajmi kur dëgjuam se një i ri humbi jetën sot tragjikisht në Prishtinë. Dhimbja na u shtua kur kuptuam se ishe ti kusha jem, Erdin. Në këtë dhimbje të madhe, ajo çka mund të themi është; “të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi”, shkroi Haziri.
Reagoi edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
"Me pikëllim të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të bashkëqytetarit tonë, Erdin Haxhiu, i cili ndërroi jetë sot në Prishtinë, ku si pasojë e erërave të forta u rrëzua një lis i cili goditi veturën në të cilën ndodhej tashmë i ndjeri", shkroi Bulliqi.
Kurse, gruaja e cila mbeti e lënduar nga rënia e lisit në Prishtinë, është në gjendje stabile. Kështu konfirmuan mjekët kujdestarë dje për Nacionalen, duke shtuar se të lënduarës nuk i kujtohet pothuajse asgjë nga e gjithë ngjarja.
Si pasojë e motit të ligë, një tjetër person ka humbur jetën në Rahovec. Ai është goditur nga rrufeja.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona, shtetas turq, dyshohet se janë goditur nga rrufeja në fshatin Zatriq të Rahovecit të hënën rreth orës 15:55, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë pasi është dërguar në spitalin e Prizrenit.
Sipas Policisë, viktima është i vitit 1988, kurse tjetri i lënduar është i lindur në vitin 1994. Ky i fundit ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe pastaj për në QKUK.
Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjakovës tha se gjendja e të lënduarit është jashtë rrezikut për jetë.
“Në vend-ngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit, sipas të cilit është inicuar rast Hetim i Vdekjes”, tha Sheremet Elezaj.
Kurse, krejt vonë, një 23-vjeçar mbeti i vdekur si pasojë e një aksidenti në Qyshk të Pejës.
Sipas komunikatës së Policisë, deri te aksidenti ka ardhur pasi që ngasësi i veturës duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë, me të arritur në fshatin Qyshk, del nga rruga dhe ndeshet me një veturë (kombi) i cili ishte i parkuar jashtë rrugës duke shkaktuar aksident trafiku.
"I lënduari është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, dhe sipas ekipit mjekësor, viktima (mashkull i lindur më 1999) në spital ka arritur pa shenja jete. Me urdhër të Prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion", njoftoi Policia.