E hëna e tretë e shtatorit – por jo e vërteta - NACIONALE

E hëna e tretë e shtatorit – por jo e vërteta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot është e hëna e tretë e shtatorit dhe mësim, nuk do të ketë.

Kjo për shkak se palët, qeveria e sindikatat nuk kanë arritur marrëveshje, për ndalje të grevës.

Një angazhim rreth kësaj çështjeje, u pa gjatë fundjavës, me ç’rast u përfshi edhe Avokati i Popullit.

Të dielën, Nagavci i kishte dërguar një letër Naim Qelajt, për përfshirjen e këtij të fundit në proces.

Qelaj, ashtu siç shkruan në letërkthim, thotë se konform angazhimeve kushtetuese, ai ka takuar përfaqësues të sindikatave.

Nagavci, për të dytën herë iu përgjigj, duke e falënderuar Qelajn për angazhimin e tij dhe vlerësimin se e drejta e fëmijëve për t’u shkolluar nuk duhet të cenohet në asnjë formë.

Shkresa që s’prodhoi rezultat

Megjithatë, sipas Jasharajt, shkresa e Avokatit të Popullit nuk ka prodhuar rezultat.

Andaj, si pasojë e kësaj, greva do të vazhdojë, teksa këtë e konfirmoi edhe vet Jasharaj në një prononcim të djeshëm për Nacionalen.

“Nuk ka ndonjë sinjal pozitiv. Dje patëm një taki me Avokatin e Popullit, menduam se do të ketë ndonjë zhvillim. Ai kishte bërë angazhime që të jetë një ndërmjetësues mes palëve. Mesiguri ka biseduar edhe me Qeverinë, nga ato që i tha dje, u kuptua që Qeveria mbetet në të njëjtat qëndrime. Pra nuk është e gatshme të për të lëvizë asnjë milimetër, asnjë angazhim për të dalë nga kjo situatë”, tha ai për Nacionalen.

S’bëri punë as presidentja

Presidentja Vjosa Osmani javë më parë mori një nismë, duke tentuar ta thyej barrikadimin e Qeverisë dhe të SBAShK-ut në lidhje me grevën.

Duke synuar ta luajë rolin e saj kushtetues prej figure unifikuese, Osmani takoi Rrahman Jasharajn, dhe sindikalistët e tjerë me 3 shtator. E pastaj, kërkoi dialog social, kthim të nxënësve në shkolla, e shqyrtim të ofertës nga sindikalistët.

Bilanci i saj në këtë iniciativë, që u vlerësua edhe nga Nacionale, është katastrofal, gjersa Rrahman Jasharaj thotë se as presidentja Osmani s'mundi të ndikojë tek Kurti.

Komandantja supreme u përballë me një JO të madhe të dyfishtë. Presidentja Osmani nuk u dëgjua as nga sindikalistët e as nga Qeveria Kurti.

Të parët, i thanë jo pakos së Kurtit, ndonëse shefja e shtetit u kërkoi ta konsideronin atë, dhe nxënësit nuk janë kthyer ende në shkolla, përkundër që Osmani e kërkoi atë edhe në konferencën pas takimit.

Thirrja e ministres

Ministrja Nagavci ndërkaq, dje, në cilësinë e së parës së arsimit në vend u bëri thirrje të gjithë mësimdhënësve që nesër t’u kthehen bankave shkollore.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat”, tha ndër të tjerash ajo në komunikatë të cilën të plotë mund ta lexoni më poshtë.

Me Projekligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.

Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj.

Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit.

Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik. Ky Projektligj ofron shumë më shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit.

Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat.

Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor.

Lajme të ngjashme